Çfarë e lidh perandorin francez Napoleon Bonaparte me Viron Bezhanin? Përgjigja është më e thjeshtë nga ç’mund të pritet.
Një violinë stradivarius. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar është zotëruesi i ligjshëm i një instrumenti prej më shumë se 3 shekullor, që vlen dhjetëra milionë dollarë. E megjithatë, fizikisht i mungon, gjithnjë i ka munguar. Kurrë nuk ka arritur t’ia përshkojë me gishtërinj planin harmonik, fundin dhe vetullën e mbajtëses së telave. Ama gjurmët e të së kaluarës së saj i di mirë dhe nuk ngurron t’i ndajë me Mapo.
Me shumë gjasa askush nuk ka prodhuar në siluetën e saj të brishtë dhe të çmuar tingujt e simfonisë së pestë të Ludwig van Beethoven, sinfonisë së fitores. Dhe trishtueshëm dihet fakti se babai i Viron Bezhanit, Nafiz Bezhani, ish-kryesuesi i Komisionit për Verifikimin e Figurave, nuk arriti kurrë ta shijonte aromën e fitores, përsosmërinë e violinës stradivarius. I ushqyer me data, sekrete të shumta, kërcënime të vazhdueshme dhe mërzi të thellë për mos pasjen në duar thesarin që i takonte me të drejtë, kështu do të ndërronte jetë Bezhani në moshën 78-vjeçare (2005). Nën ajrin e kujtimeve, i biri rrëfen për Mapo gjithëpërfshirjen e të atit për të rënë në gjurmë të këtij instrumenti muzikor, tërësisht të pangjashme nga të tjerat, si dhe pengun që nuk arriti dot t’i vinte në ndihmë.
“Im atë iu nënshtrua pesë operacioneve në zemër. Kur ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, u mundova të rikuperoja kohën që nuk kisha qëndruar dot me të. Me një nevojë jashtëzakonisht të madhe për t’u hapur e rrëfyer gjëra të pathëna më parë, më foli edhe për dashurinë e tij me emrin stradivarius. Edhe dikur ishte munduar, por unë isha tejet i përfshirë me sportin.Teksa iu drejtoja stërvitjes së përditshme, me çantë mbi shpinë, e dëgjoja si i hutuar kur i hapej nënës . “Eh more bir, s’i nuk e kupton se ç’vlera ka ky instrument”, më thoshte asokohe ai kur shihte sesi e përplasja derën i entuziazmuar për të rendur pas ëndrrave…Ishte një dashuri që i ka kushtuar shumë”-pohon Vironi, pa harruar të na rikujtojë sesi i ati iu u bë papritmas në ‘75 pronari i violinës së rrallë.
“Babai e trashëgoi violinën nga klienti i tij Adil Serezi. Pasi e mbrojti ligjërisht kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, Serezi ia dhuroi me anë të një prokure. Është një violinë tejet e rrallë, edhe për nga historia që mbart. Babai i Adilit, Ali Serezi ishte djali i adoptuar i Guvernatorit të Egjiptit, Hajdin Pasha. Ky i fundit u nderua pikërisht me këtë violinë nga Napoleon Bonaparti, të cilën ia pasoi më pas Aliut, pra babait të Adilit”– tregon Vironi, duke shtuar se ndonëse Adilit i ishin ofruar çmime fantastike, ai dëshironte ta ruante si kujtim nga i ati; dëshirë e rrezikshme, e cila për pak mund t’i kishte rrezikuar jetën.
Mirëpo, ish milioneri u largua nga buzët e greminës së vdekjes pikërisht nga avokati Nafiz Bezhani. Dhe në shenjë mirënjohje, krahas violinës, Adili i la të gjithë pasurinë e mbetur në Sofje të Bullgarisë.
“Kishte raste që më nervozonte këmbëngulja e tij. Ai e kuptonte fare mirë këtë gjë. Një ditë më mori pranë vetes dhe duke m’u drejtuar si kurdoherë me fjalën “mundës”, më tregoi se për të nuk kishte aspak rëndësi shuma e majme e parave që mund të përfitonte në rast se violina do të shitej. Ai thjesht donte që shteti ta gëzonte si relike të vyer”- shprehet zëulur Vironi, i cili nuk ngurron së pohuari me bindje se kërcënimet vinin pikërisht nga figurat pushtetare të asaj kohe, falë palëve të treta. “Shpërtheja i tëri kur e shikoja se nuk donte të më përzinte në vorbullën e kërcënimeve. Unë doja ta mbroja nga çdokush dhe çdokënd, por ai ishte tepër protektiv. “Po ik more bir, do më japësh ti mend mua”- më thoshte sa e sa herë me një qëndrim kryeneç që e karakterizonte”– përhumbet për pak çaste Vironi, teksa kthen kokën pas në të shkuarën.
Ndonëse naiviteti i moshës asokohe e bënte t’i shihte gjërat ndryshe, nuk i janë venitur ende fytyrat e policëve që stacionoheshin me ditë të tëra përballë shtëpisë së tij. “Ishte ditë e shtunë kur e morën në telefon dhe i kërkuan 200 mijë dollarë në këmbim të violinës. Ai ishte i bindur se letra që i dërgoi në ’90 ministrit të Kulturës Moikom Zeqo, ku tregonte idenë sesi mund të tërhiqej violina nga vendi sekret, kishte shërbyer si një busull orientimi për grabitësit”– tregon me kërshëri Vironi, teksa mban në duar dy fotografi të violinës stradivarius.
Bëhet fjalë pikërisht për fotografitë që grabitësit ia dërguan Nafizit kur ky i fundit ua kërkoi si prova, pasi fillimisht nuk e besonte se violina mund të ishte vjedhur. Por ndryshe nga ç’kishte menduar, ato i mbërritën shumë shpejt në dorë. Në një intervistë të dhënë në vitin ‘99 për revistën AKS, ish-kryesuesi i Komisionit për Verifikimin e Figurave do të shprehte dyshimet se violina gjendej diku në Shqipëri të Mesme. Dhe po të shohim fotot, ambientin në të cilin është vendosur dhe fotografuar violina e rrallë, të bëjnë të mendosh se dyshimet e Nafiz Bezhanit nuk kanë qenë aspak të pabaza.
Krahas rrugëtimit tashmë të ditur të avokatit për në Sofje, në vitin 1996, ku synonte të vendosej në gjurmët e ish-bashkëshortes së Adil Serezit dhe të zhdukte njëherë e mirë mendimin se kishte rënë pre e shantazheve dhe kërcënimeve të hajdutëve, Vironi rrëfen se i ati nuk e takoi kurrë Anën. “Llogarinë rrjedhëse bankare të Adil Serezit dhe bodrumin e shtëpisë dykatëshe që mbartte plot pasuri të tjera, të gjitha këto vetëm Ana dhe im atë i dinte”– thotë prerazi Vironi, i cili rrëfen më tutje se Nafizi kishte vendosur kontakte edhe me personalitete të Turqisë.
Ai shprehet me sinqeritet se rrugëtimet pa rezultate të ndërmarra të të atit, e kishin lodhur më shumë sesa vetë atë. Aq sa njëherë i kishte kërkuar që në përgjigje të reagimit të shtetit, të nxirrte në dritë çdo gjë që dinte për figurat pushtetare. “S’është kaq e lehtë, më tha në një ditë të zakonshme kur fill më orientoi që t’i drejtohesha pranë kompjuterit, ku shihej pothuajse në çdo moment të ditës. Aty më urdhëroi që të shtypja një gërmë në të. Më tutje çfarë nuk kam lexuar! Ai e këqyri mimikën time dhe më tha:E shikon? Po të dalin në pah të tilla informacione, pasojat do të ishin tepër të rënda”-tregoi Vironi, duke theksuar kështu dukshëm impulsivitetin e tij dhe maturinë e të atit.
Ky i fundit, zotërues nga hera i sekreteve, i la të birit ndjesinë e keqardhjes.“Më vjen shumë keq që nuk e ndihmova dot në këtë aventurë të tijën, të cilën e ka ndërmarrë krejt i vetëm. Njihja mjaft njerëz të fuqishëm në Bullgari, m’u ofruan madje edhe vullnetarisht. Por, nuk e bëra dot. …Ndoshta kisha arritur diçka”– shprehet Vironi teksa i purpurlitet për pak çaste zëri.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërkohë që ripohon se harku (karakteristika themelore e violinës stradivarius) nuk është bashkë me drurin e stazhinuar e të formësuar, ndan të njëjtin mendim me të atin: violina stradivarius ndodhet në Shqipëri. Ndryshe nga i ati, Viron Bezhani nuk shfaq entuziazëm dehës karshi këtij instrumenti. E megjithatë, ndihet shpirtërisht i qetë. “Edhe nëse nuk zbulohet kurrë vendndodhja konkrete, që t’i dhurohet vendit më pas si relike e çmuar…nuk do ta njohë kurrë shkëmbimin me para”– përfundon ai, teksa ledhaton në mënyrë të pavetdijshme dokumentet dëshmuese trashëgiminë e çmuar të Bezhanëve.