Lulet që po na mungojnë

lulet naser


Premiera e dramës “Lulet” sipas dramës së Ragip Sylës, dramaturg dhe regjisor: Naser Shatrolli
Produkcion i Teatrit Dodona dhe Naser Shatrolli


Shkruan: Agron Gërguri

Lulet dhe tingujt e muzikës që bëhen poezi qiellore pasaj vjen gruaja si muzë dhe qenie që kërkon mëvetësim. Kështu fillon shfaqja “Lulet” e Naser Shatrollit punuar sipas dramës të Ragip Sylës. Çështja kurciale që bëhet pyetje është se ku pretendon të dal mesazhi i shfaqjes i ambalazhuar me  metaforën e  luleve,  deri te kopshti i Edenit apo te Adami e Eva si prindërit e njerëzimit të zënë në faj e të penduar për mëkatin apo jo!
Shfaqja lëviz me dinamikë nëpër ironi e përqeshje duke ngacmuar e zbërthyer dukuri të  dominimit mbi gjininë më “të dobët” gruan për të prekur fundamentalisht fatin kozmik të njerëzimit. Personazhet e dramës Adami dhe Eva dukeshin si të mbijetuarit e kataklizmës bërthamore dhe tani më ngurrojnë të rinisin popullëzimin me njerëz apo të mbesin tek e para që ishte fjala që tha “bëhu” dhe bota njerëzore u krijua.

Raporti kozmik grua – burrë

Autori i shfaqjes Shatrolli me një gjuhë subtile prekë marrëdhënien ikonike burrë grua duke operuar në mënyrë dramatike brenda kësaj marrëdhënie.
Gruaja ashti i eshtrave të burrit, ashtu thotë teologjia,  ka dal nga brinjët e mbizemrës andaj është e tillë edhe pse kohët e fundit dikush po thotë se ka dalë nga ijet. Mirëpo e vërteta esenciale është tek molla, kafshimi i së cilës bën nektarin e mëkatit dashuror dhe se ky raport apo betejë dëshmimi është përhershëm dramatik deri në ditët e impotencës  e cila mundet të stimulohet me viagra.
A i duhet dashurisë viagra apo stimuj të vërtetë janë për njeri -tjetrin burrë e grua si ushqim i ndjenjave me aromën e lules së dëshirave. Dilemë shqyrtuese apo konstatim i faktitit që buron nga dashuria.
E keqja është se njerëzimi ka mbërri në delirin shkatërrues dhe se t’tharmin e jetës sërish duhet ta nxjerrin nga shtrydhja e dashurisë.  Eva dhe Adami si duket janë të zhgënyer dhe përtojnë ta përsërisin mëkatin…!
Ata kanë mbërri në stacionin e vetmisë dhe banojnë tek njeri tjetri derisa të vijë treni i dëshirave që të ikin nga mundësia e vetmimit si kataklizëm e tjetërsimit të njerëzores. Mbase autori vetminë e akcenton edhe si një mundësi reflektimi kah po shkon njerëzimi sepse këtu vetmia do të thotë mendimi i munguar aq sa edhe dashuria.
Dheu mbetet esenca prej ku nisi dhe ku mbaron  por duke se lulet mbijetojnë për të ruajtur nektarin e dashurisë për një kohë më të mirë të cilën e thërret shfaqja.
“Gjeje vetmin tende në vetmin time” i thotë Eva Adamit duke na bërë të kuptojmë se ajo që duket mosprezencë të ndihet si prezencë.
 Por si të shkohet tutje në ripërtritje kur ata Adami e Eva shkelën kushtetutën e dashurisë tek neni i gjarpërit dhe sikur e merituan përzërjen nga Edeni. Godoja na thotë se nuk kthehemi dot aty përmes rrugës së asgjës. Përpjekjet për tu kthyer aty prej ku janë përzën na dërgojnë tek pendesa si pikëpyetje që lexohet si pikëçuditëse a mos njerëzit janë kthyer atje apo kanë gjetur parajsën këndej mendjes por nuk po  e dijnë. Dhe konfliket e njerëzimit kanë arritur deri tek prekja e atomit aty ku nisi gjithçka edhe pse elementi i 25 nuk u deshifrua ende.
Shiu lulet, molla kitara shenja ku preket jeta dhe ku njeriu përfaqësohet. Po dashuria a është fjalë apo veprim gjendje apo akt prodhues i fëmijëve. Apo është vdekja si momenti final i përjetësimit apo pranimit definitiv të Zotit.

Naser Shatrolli në kërkim të thelbit të dashurisë apo farës së prishur të saj.

Struktura dramatike e tekstit bazuar në dramën e Ragip Sylës  të cilën e kishte përkthyer në situata dramatike Shatrolli atakon mendjen e shpirtit aty ku zë fill dashuria. Regjisura e tij kishte zbërthyer tekstin deri te kuptimet e esencës lexo ekzistencës njerëzore. Idioma të krijuara bukur dhe me sens estetik. Skena me gudulisje shpirti, shtatëzania, vazo si frytnim i jetës deri te akti që e vrazhdëson figurën e ndërtuar deri aty që në shfaqje atakon banalitetin e aktit si nevojë thjeshtë fiziologjike. Thënia teatrore e Naserit të cyt në mendim të provokon dhe të shqyrton në raport me veten dhe të tjerët. Fundja teatri është art intim dhe kjo përfaqësohet edhe në shfaqjen “Lulet” e cila ndoshta në aspektin e skenografisë ka mund të jetë më shprehëse dhe të bëhet më plastike e vepruese siç Naseri i animon elementet e skenografisë me dy apo më shumë funksione që bëhen pjesë e rrëfimit dhe nuk janë thjeshtë përkufizim i hapësirës ku zhvillohet ngjarja



Imterpretim me energji kreative

Çifti i aktorëve Arbnora Ademi dhe Çlirim Shabani ishte përfshirë me shumë energji kreative në rrefimin skenik. M’u duk sikur aktorja kishte nuanca interpretative më të pasura si shprehje e gjendjeve variabile shpirtnore. Ndërsa aktori se që kishte një mllef të akumuluar tek personazhi, mllef që nuk i dihej sakt prejardhja. Nuancat e zbërthimit e ndërtimit të karakterit do ishin më të theksuara dhe në funksion sikur ta gjente ventilin për ta zbrazur mllefin e për t’i lënë hapësirë dashurisë. Jo se jeta e gjenerates së personazhit dhe vetë aktorit nuk ka mllef të akumuluar nga mungesa e jetës së dëshiruar por ëndërra asnjëherë nuk bënë të vritet dhe se asaj duhet dhënë oksigjen.
Përndryshe energjia ekspresiviteti angazhimi ishin në nivel të kërkesave të shfaqjes e cila si e tillë kishte thyerje, përthyerje, ngërçe e çlirim të të menduarit dhe kënaqësisë shpirtnore të ikur e të thirrur si mesazh.
Regjisura si një proces i animimit të mizanskenës për t’i dhënë kuptim secilës skenë të veçant dhe pastaj nga i gjithë mozaiku skenik të krijohet fotografia plotë emocione e shfaqjes si tërësi.
Këtë herë Shatrolli kishte ekonomizuar me shtjellimin teatror të temës porse kishte thelluar kuptimet sigurisht nga pesha e temës trajtimin e së cilës e kishte ngre në nivele planetare për fatin e njeriut sot i cili po kanoset nga ajo që vetë e ka krijuar.
Përbërsit tjerë të shfaqjes ishin inkorporuar mirë në idenë e shfaqjes dhe mesazhit apo mesazheve që ajo përcjell për lulet e munguara që i japin aromë e dashurisë.



Ekipi i shfaqjes “Lulet” sipas dramës së Ragip Sylaj

Dramatizimi dhe regjia: Naser Shatrolli
Interpret: Çlirim Shabani, Arbnora Ademi
Idea e skenografisë dhe kolona zanore: Ar Veselaj
Skenografia: Refki Gollopeni, Kostumografia: Flutura Dedinja
Dizajni ndriques: Albert Gashi
Dizajni grafik: Granit Kallaba
Video traileri: Dalmat Dobra
Koproduksion: Teatri Dodona dhe Naser Shatrolli

ObserverKult