Unë jam ajo
Tjetër kurrë nuk bëhem
Plagët e mia të pashëruara lëpij natën vonë
I pastroj tinëzisht me vajin e shpirtit
Gjithmonë në strukje nga rrebeshet burrërore
Nuk harroj të vë në fytyrë buzëqeshjen e frikësuar
Që mësova e donit aq shumë
Dhimbjet e mia dëshmi e forcës suaj
E unë ju adhuroj
Heshtja e botës ju shëlbon
Unë tjetër nuk bëhem
E mira
e urta
e vyeshmja
e pafjala
e pagoja jam
Në botën time sytë nga ngjyrat nuk dallojnë
Por nga gjuha tek thonë
ul kokën e mos bëzaj
buzëqeshja ime ju përgjigjet urdhërave tuaj
leshrat e mia të shprishura dje nga fshikullimi
sot gëzof i shkëlqyer vezullojnë
janë kërkimfalje për trillin
që fjalët e mia pyetje të shtrojnë
Unë jam ajo
Kurrë tjetër nuk bëhem
argëtuesja
dëgjuesja
përkëdhelësja
gatuesja
Unë, uzurpuesja e çatisë suaj
falem për bukën që ndani me mua
e fal vonesat, harresat, dashuriçkat tuaja
Jeta ime zog i pakrahë në grushtin e fortë
Trupi im përplot ngjyra dëshmi dashurie
Përkujtim i juaji për natyren time
Në trup e shpirt qëndisur
Nga dëshira juaj të më përkujtoni
Të mbetem ajo që ju aq shumë e doni .
Unë jam ajo
Nuk bëhem kurrë tjetër
Bota juaj nuk është vend për mua
Që në djep më thanë se unë një tjetër botë kam
Ku nuk ka njeri, ka vetëm grua
Vëlla e mik kafshët e tyre i lejojnë që unë të loz me to
Unë jam ATO
Unë përhera do të jem ajo
Varësja juaj e artë në qafë më rëndon
Me ndalë frymën të ju tregoj
Se jam unë, kafsha juaj e preferuar
E kurrë nuk do të mund të them
Se unë jam KJO, jam UNË, dëgjo!
Nuk më njihni, nuk më njeh ?
Jam unë, o lal, kjo nëna, gjyshja, vajza, kjo gruaja juaj
Jam halla e tezja e motra e mbesa
Si ka mundësi të harroni
Kafshën tuaj përkëdhelëse që aq shumë e doni.
ObserverKult
Lexo edhe: