Luljeta Dano: Autograf nga Jevgenij Jevtushenko…

Nga Luljeta Dano

Autograf nga Jevgenij Jevtushenko, marrë në Tiranë, në një fundviti në fund të socializmit, dhjetor, 1991. Takimi u bë në sallën e vogël të Muzeut Historik Kombëtar, me një grup që kishin qenë studentë në Moskë në vitet ‘ 50 – ’60 dhe me studentët aktualë të gjuhës ruse të Filologjikut.
Në krah kisha Profesorin Qemal Xhaka dhe ndoshta emocioni i tij për takimin e bisedat me këtë emër të shquar të letërsisë ruse në botë, sot pas më shumë se tridhjetë vitesh është emocioni im kryesor i kujtesës për atë ditë.


Jevtushenko kthehej në Tiranë pas udhëtimit në Rivierën shqiptare që e kishte mrekulluar. Dikush nga salla e pyeti se ç’mendim kishte vetë Jevtushenko për poetët shqiptarë. I madhi dha një përgjigje prej të vogli dhe autori e përcolli vetëm me të qeshura. Se edhe të mëdhenjtë kanë çastet e tyre prej të vogli…
U përgjigj me dy vargje të atypëratyshme, që rimonin në rusisht:
Poetët rusë nuk kanë atdhe
Poetët shqiptarë nuk kanë…
Këtë fletë autografi e kam ruajtur brenda një letërthithëse boje, që e ruaj gjithashtu nga klasa e dytë fillore.

ObserverKult