Ngjyrat, lapsat e letrat për të vizatuar e ngjyrosur i ka dashur qysh e vogël. Por, interesimin për artin në përgjithësi ajo e ka shprehur në kohën e shkollës së mesme, atëherë kur edhe filloi të sillej më shumë afër veprave e veglave të babait të saj, të ndjerit, piktorit Kadrush Rama.
Bëhet fjalë për Luljeta Rama Muçaj, piktorja me shpirtin krijues dhe artdashës e cila përveç veprave të veçanta që sjell për publikun punon njëkohësisht edhe si arsimtare e artit në njërën nga shkollat e kryeqytetit.
Për fillet e saja si piktore, për ngjyrat unike në veprat e saj, mësimdhënien etj., lexoni intervistën në vazhdim të piktores Luljeta Rama -Muçaj dhënë për ObserverKult.
Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi
Pasioni për artin, pikturën, kur nisi?
Luljeta Rama -Muçaj: Nuk më kujtohet realisht se kur ka filluar ky pasion. Në shtëpinë tonë arti ka qarkulluar prej kur unë mbaj mend… por e di që më ka pëlqyer të kem lapsa e ngjyra në dorë si fëmijë… më vonë diku në shkollë të mesme mund të them se kam filluar të interesohem më shumë rreth artit, duke qarkulluar rreth veprave dhe veglave të babait tim.
A ishte pikërisht i ndjeri, babai juaj, piktori i njohur Kadrush Rama shkaku që ju e nisët këtë rrugëtim. Me siguri ka qenë shtytje edhe për vëllaun dhe motrat sepse njiheni si familje artistësh?
Luljeta Rama -Muçaj: Sigurisht. Puna e tij në atelie, bisedat e tij me nanën, e cila i ndihmonte babait në diskutim rreth veprave të tij, rreth inspirimeve si edhe rreth punës së tij edukative në fakultet, që përsëri sillej rreth artit. Kjo punë në mënyrë instinktive ndikon në rreth, ku ishim unë, motrat e vëllau… që s’do mend që na bëri për vete, duke parë atë si njeri i butë që ishte, si fliste ëmbël për punën e tij, ngjyrat dhe pëlhurat e tij.
A keni marrë diçka konkrete nga arti i babait apo është krejtësisht natyrë tjetër arti juaj?
Luljeta Rama -Muçaj: Nuk jam e sigurt… ndoshta ai vullneti që të hulumtoj në kolorite e kontraste, çiltërsia temave të tij, energjia e kompozicionit ndoshta…, por realisht dallojmë shumë në tema, materialet dhe shumë aspekte tjera.
A mund të na përshkruani me pak fjalë procesin tuaj të punës së një vepre, pra nga fillimi deri te përfundimi?
Luljeta Rama -Muçaj: Është i ndryshëm, mendoj… Varësisht nga inspirimi, shpesh filloj me diskutim me kolegë apo dikë tjetër, në mënyrë indirekte natyrisht… hulumtoj kompozicionin e përgjithshëm, apo ndonjë detaj i cili më shtyn tutje të eksperimentoj me forma e tekstura… Shikoj mjaft veprën gjatë punës… mendoj që pres të më flet vet pëlhura pak prapa… edhe ashtu hap pas hapi fillon të vibrojë energjia e krijesës së re e cila më tregon se çka i mungon të formësohet plotësisht.
Cilat tema, ngjarje, natyrë e trajtoni më shpesh në pikturat e juaja
Luljeta Rama -Muçaj: Temat e mia shpesh kanë të bëjnë me hulumtimin tim për estetikën dhe fuqia vizuale e formave dhe teksturave… ajo që i shtyn njerëzit të thellohen në to dhe të argëtohen në labirintin që futesh duke i shikuar dhe emocionet që kjo shkakton…
Nuk synoj të trajtoj tema sociale e momente të njerëzimit, por më shumë merrem me ndërlidhjen e elementeve të ndryshme natyrore që i ngërthej mes vete me ligje të mia ndërlidhëse e jo me paraqitje realiste apo krahasuese të fenomeneve ekzistuese.
Më pëlqen të luaj në këtë mjedis i cili më duket i pashterrshëm edhe mjaft inspirues për thellim të mëtejshëm… Edhe po ashtu më pëlqen natyra e materialeve të ndryshme të cilat mundohem ta gjej mënyrën si t’i përdor në kompozicionet e mia…
Çka e bënë të veçantë apo unik artin tuaj?
Luljeta Rama Muçaj: Realisht nuk merrem me të tjerët, sepse arti lejon mjaft individualitet dhe pavarësi nga relacionet me të tjerët, andaj nuk synoj të jem sikur apo ndryshe nga dikush tjetër… thjesht merrem me frymëzimet e mia dhe pëlhurën që kam përpara.
Ekspozita juaj më e veçantë cila ka qenë. Ndoshta mund të veçoni një që ka pasur një arsye të madhe kur e keni prezantuar, që të ka sjellë emocione…
Luljeta Rama -Muçaj: Ekspozita në Tetovë, tetorin e kaluar. Mendoj se më la përshtypje më shumë jashtë kontekstit të artit tim… se ishte rasti i “kthimit tim” në atë qytet ku pata kaluar momente të brishtësisë tonë shoqërore kur u detyruam të lëshonim shtëpinë gjatë kohës së luftës. Në atë qytet ku pata rast të përjetoj personalisht bujarinë e vendasve që hapën dyert e shtëpive të tyre për njerëz që kurrë më parë s’i kishin parë… Pra, vendi ku njoftova familjen Xhaka, me të cilën familje na mbeti miqësi edhe pse jeta na përcolli në kontinente të tjera familjarisht por që nga atëherë jemi takuar plot herë.
Rasti i ekspozitës, duke falënderuar shumë edhe drejtoreshën e galerisë atje, Arbenita Meta më mundësoi që në mënyrën time modeste t’i sjell diçka nga unë këtij qyteti dhe banorëve të saj… pak nga veprat e mia, emocionet e mia, që mendoj se janë të ngarkuara pozitivisht, ashtu si edhe momentet kur kujtoj kohën e kaluar në atë qytet gjatë vitit 1999. Aq më shumë u emocionova kur me rastin e hapjes së ekspozitës time u shfaqën anëtarë të familjes Xhaka të cilët më befasuan me prezencën dhe buqetën e madhe të luleve.
Kur kujtoj ato momente më jep një ndjenjë që të jep kuptimin e jetës, atë që energjia që merr mund edhe të kthehet tutje, në një qark pëmbyllës kuptimplotë, që të bën të ndjehesh gjallë dhe të inkurajon që rrugëtimin e jetës ta kesh të fuqishëm dhe me ndjeshmëri për ngjarjet që ke përrreth teje. Në këtë rast arti ishte kanvasi im që ta thurri veprën time te një lloj falënderimi për të mirën që më është ofruar një kohë nga ky vend.
Pikturat e juaja në përgjithësi kanë përzierje ngjyrash, ngjyra të mbyllta, ngjyra që në shikim të parë duket sikur shfaqin trishtim, frikë…
Luljeta Rama -Muçaj: Nuk ka trishtim në emocionet që formësojnë veprat e mia. Ajo mund të jetë emocion që krijohet në perceptim individual të vëzhguesit të veprës, gjë që unë e respektoj si përjetim individual. Nuk synoj të ngacmoj trishtim tek shikuesi… koloritin e përdorur unë nuk e zgjedhi me efekt të tij përfundimtar por si medium formësues, ku edhe ngjyrat e errëta mua më bëjnë të ndjehem e çiltër dhe e fortë, sepse i konsideroj të fuqishme në kompozicion dhe që bashkërisht me format japin një ndjenjë që dikush mund ta përjetojë edhe si të trishtë… ajo pra është fuqia e artit.
Por, besoj se vlen të përmendet që elementet e ngjyrave tjera, kontrastuese me ato të “bazës së errët” meritojnë të theksohet që “klithin” me prezencë që balancon paraqitjen dhe janë pjesë e pandashme e asaj që tregojnë.
Cilën periudhë të artit e pëlqeni më shumë dhe cilës kohë i shkoni më shumë pas?
Luljeta Rama -Muçaj: Fillimi shekulli XX më pëqen më shumë… dalja nga dominimi i gjatë i kompozicioneve të “porositura”, harmonitë realiste (pavarësisht se të inspiruara nga mitologjitë apo ngjarje biblike), duke dalur në planin personal emocional të veprës, sikur dadaizmi, impresionizmi, ekspresionizmi e sidomos surrealizmi. Ajo kohë më bën të ndjehem se i takoj paksa… ndoshta jo në mënyrë direkte, prap me theks në individualizmin në shprehje.
Sa po ju ndihmon epoka dixhitale juve sot në art?
Luljeta Rama- Muçaj: Unë jam edhe arsimtare. Kjo pjesë e profesionit tim artistik më mundëson të ndikojë në gjeneratat e reja të zhvillojnë këtë veprimtari tonë që ndërlidhet me lojën e fëmijës, ëndërrat dhe “refuzimin të bllokohemi në realitetin e rrethit”, ku personalitetit të ri në formësim (fëmijës) i ndihmon që të mos humbasë aspektin kreativ në veprimtaritë që synon t’i përvetësojë gjatë jetës. Koha dixhitale më ka ndihmuar shumë në hulumtimet e mia për t’ju dhënë shembuj të llojllojshëm inspirues, për të zbuluar teknika nga më të ndryshmet që janë të përshtatshme për grupmoshat e caktuara për të krijuar vepra që zgjerojnë horizontin e aftësive të tyre.
Këtë aspekt e kam aplikuar qëmoti dhe që ka arritur rezultate që janë vërtetuar mjaft të suksesshme. Anash kësaj edhe në veprat e mia kam pasur periudha që kam filluar me mediume dixhitale të formësimit, të cilat më pas i kam kombinuar me teknikat analoge dhe kjo që nga fotografia, instalacionet e deri në pikturë.
A mund të themi se sot falë këtyre platformave është më mirë dhe më lehtë. Kjo pasi që pikturat, puna e artistit është më afër artdashësve, apo jo?
Luljeta Rama -Muçaj: Mendoj se njeriut nuk i ka munguar kurrë mediumi dhe teknika e shprehjes. Dixhitalizmi po ka karakteristikat e veta që mundëson aspekte të caktuara si fleksibiliteti, mundësia e plasimit të veprës në territore më të gjëra etj, por të mos harrojmë që krijimtaria fillon përbrenda krijuesit dhe është e ndërlidhur më shumë me ndjeshmërinë krijuese se sa me teknikën apo mediumin, kështu që unë mendoj që kjo është edhe arsyeja e fuqisë artistike që kanë veprat që nuk janë punuar në platformën dixhitale. Mundësia e afrimit të veprave drejt artdashësve përmes mediumit dixhital po që është e fuqishme dhe me mjaft ndikim.
Kritika në përgjthësi, sa luan rol tek ju?
Luljeta Rama -Muçaj: Mendoj që kritika është një formë diskutimi rreth një veprimtarie, e kjo është ajo që krijimtaria e inkurajon. Gjithsesi më intereson opinioni rreth veprimtarisë sime sepse krijoj të ndaj emocionet e mia me të tjerët (andaj edhe krijoj në medium që mund të përjetohet). Këtë e shoh si një fushë bashkëveprimi ndërnjerëzor.
Si e balanconi punën tuaj si arsimtare, artiste dhe nënë po ashtu, sepse secila e do kohën e vet dhe do përkushtim?
Luljeta Rama -Muçaj: Në jetën time kam pasur fat të takohem me njerëz që më kanë mundësuar të gjej një balans mes këtyre që përmende. Edhe fëmijët e mi më ndihmojnë në ndarjen e aktiviteteve familjare (kujdesen për njëri-tjetrin pa pasur nevojë për mbikëqyrje tërë kohën) dhe marrin pjesë edhe në aktivitete artistike të mia apo të tyre.
Edhe bashkëshorti im gjen kohë për të diskutuar (apo kontribuar në mënyra të tjera të ndryshme) me mua rreth punës sime në shkollë, në atelie apo në shoqëri, njëjtë sikur që edhe unë mundohem t’i gjindem afër atij dhe fëmijëve rreth aktiviteteve të tyre dhe kështu së bashku si familje kemi një interaksion që na plotëson të gjithëve.
Sa ka ndikuar mësimdhënia në procesin e juaj artistik?
Luljeta Rama -Muçaj: Unë jam inspiruar që në fëmijëri si nga puna artistike e babait ashtu edhe nga nëna në aspektin edukativ-arsimor edhe disi i kam ndjerë gjithmonë si pjesë e imja, të cilat pata fat t’i mishëroj në veprimtarinë time.
Kjo nuk më ka ngarkuar asnjëherë por vetëm më ka mundësuar të shprehem edhe më mirë. Ndikimi i punës me fëmijë, sukseset e tyre, befasia në sytë e tyre kur krijojnë diçka që nuk e kanë ditur që mund ta arrijnë ndonjëherë më kënaq pa masë dhe më inspiron që t’i shtyj kufinjtë krijues edhe më tej.
E kjo tek unë ndikon në atë energjinë që i krijon kompozicionet dinamike dhe në eksperimentet e mia (sikur të fëmiut) që të gjej mënyra të reja shprehje.
A mendoni se sot nxënësit i kanë kushtet e punës çfare duhet për t’i përshtatur me metodat e mësimdhënies, pra për t’i angazhuar nxënësit në orën e artit?
Luljeta Rama -Muçaj: Për krijimtari artistike mendoj se ka hapësirë të punohet edhe pa mjete të sofistikuara. Kjo duke patur metodologji kreative për të nxitur tek fëmiu kurreshtjen dhe inspirimin. Sot mendoj se është e mundur të punohet mjaft me fëmiun dhe të arrihen rezultate të mira, në kuptimin e formësimit krijues i cili i duhet personalitetit gjatë gjithë jetës.
A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri?
Luljeta Rama -Muçaj: Aktualisht jam në fazë inkubimi të serisë së re të pikturës sime. Periudhë kjo që e kaloj duke vëzhguar botën përrreth dhe duke përjetuar momente që më ngacmojnë të filloj të krijoj…
Cila është porosia juaj për artistët e rinj
Luljeta Rama- Muçaj: Ndoshta tingëllon klishe, por shprehja “vazhdo të ëndërrosh gjithë jetën” është ajo që duhet të theksohet përherë tek individi…Pra, të mos rritemi kurrë, të mbetemi “fëmijë të lazdruar” në shpirt… në shikimin e botës përmes ngjyrave e jo të “ngurtësohemi” nga ndikimi i përditshmërisë që shpesh di të “mbyllë perceptimin” dhe na futë në grackën e “reagimit refleksiv automatik” me përgjigje standarde në jetë, duke munguar aspekti individual e kreativ në reagimet tona të përditshme.
Observerkult
Lexo edhe:
PËRPARIM RAMA: SALLA KONCERTALE DHE MUZEU I ARTIT PO BËHEN REALITET
Më në fund, një premtim i kahershëm, qeverisje pas qeverisje komunale po bëhet realitet.
Bëhet fjalë për sallën koncertale në Prishtinë, e shumë kërkuar dhe e nevojshme për komunitetin artistik, e cila do të realizohet së shpejti në objektin e ish-Gërmisë (ish-shtëpia e mallrave, përballë Teatrit Kombëtar).
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult