Kinemaja verore e “Lumbardhit” nga java e ardhshme hap dyert për numër të kufizuar të vizitorëve, që do të mund t’i përcjellin programet artistike që mund të jetësohen në kushte pandemie.
Sikurse programi, edhe orari parashihet të jetë i kufizuar në këtë hapësirë që së fundmi njihet si “Kino Bahçe”. Drejtuesit e fondacionit “Lumbardhi” kanë pohuar se hapja e kinemasë verore ka për qëllim ofrimin e qasjes në hapësirë, takimin me komunitetin dhe krijimin e befasive artistike.
“Hapja bëhet me program dhe orar të kufizuar për shkak të kufizimit të orës 21:00, që nënkupton që e kemi pezulluar programin e filmit të përgatitur shumë kohë përpara, sikurse edhe programe tjera dhe uebinare që kanë nevojë për ekranin e madh dhe errësirën.
Këto ditë po e hapim vetëm ‘Kino Bahçen’, me qëllim të ofrimit të qasjes në hapësirë, kalimit në kontakt direkt me komunitetin dhe vizitorët e rregullt të ‘Lumbardhit’, si dhe krijimin e surprizave e programeve të vogla që mund të realizohen në këto kushte”, ka thënë Ares Shporta nga ky fondacion.
Ai ka shprehur qëndrimin se në rrethanat aktuale kontakti fizik, edhe pse i kufizuar, është i domosdoshëm për komunitetin e kinemasë skaj lumit./koha