Tregim nga Maksim Gorki
Një herë lumturinë e pata fare pranë, mend e preka me dorë.
E gjitha kjo ndodhi gjatë një shëtitjeje, një natë të nxehtë vere. Ne, një shoqëri e madhe të rinjsh, u mblodhëm në lëndinat përtej Vollgës, tek gjuetarët e blinit.
Hëngrëm supë që na e përgatitën peshkatarët, pimë vodkë e birrë përreth zjarrit, diskutuam si ta ndërtonim sa më shpejt e më mirë këtë botë, pastaj, si u lodhëm paq, u shpërndamë nëpër lëndinën e korrur, secili në qejf të vet.
U largova nga zjarri me një vajzë, e cila më dukej vërtet e mençur dhe e ndjeshme. Kishte sy të qeshur e paksa të zinj, në çdo fjalë që thoshte tregohej çiltërsia.
Kjo vajzë të gjithë njerëzit i shihte me përkëdheli.
Ecnim të heshtur, krah njëri-tjetrit. Nën këmbë thyheshin duke kërcitur kërcejt e barit të prerë me kosë. Nga kupa e kristaltë e qiellit, e përmbysur mbi tokë, derdhej vlaga dehëse e dritës së hënës.
Duke psherëtirë thellë, vajza filloi:
– Sa bukur! Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët, si piramida. Dhe vapë…
Pastaj më ftoi të uleshim rrëzë një mullari që lëshonte një hije të rrumbullaktë e të plotë, sikur të ishte ditë. Këndonin gjinkallat, që larg dikush pyeste trishtueshëm:
Eh, përse më tradhtove?
Plot gëzim zura t’i rrëfej vajzës për gjithçka dija e nuk dija në këtë jetë, kur – papritur- ajo bërtiti me një zë të shuar e ra me shpinë në tokë.
Ishte, me sa duket, e para herë që shihja një njeri t’i binin të fikët dhe për një çast u hutova.
Doja të bërtisja, të thërrisja për ndihmë, por shpejt më erdhi ndër mend se ç’bënin në këto raste heronjtë e edukuar të romaneve që kisha lexuar, ia zbërtheva rripin e fundit, bluzën, shiritat e korsës.
Kur pashë gjinjtë e saj, si dy kupa të vogla argjendi të lara me dritën e plotë të hënës, e të rrëzuara në anën e zemrës, më pushtoi një dëshirë e zjarrtë ta puthja.
Por, si e ndrydha këtë ndjenjë u sula me vrap drejt lumit që të merrja ujë, sepse – siç shkruhej në libra – heronjtë në të tilla raste kurdoherë vraponin për ujë, po të mos kishte ndonjë përrua në vendin e katastrofës, të përgatitur që më parë me hamendjen e autorit.
Por, kur u ktheva, gjithnjë duke vrapuar si një kalë i harbuar, me kapelen e mbushur plot me ujë, e gjej të sëmurën mbështetur te mulliri.
-S’është nevoja, – tha e lodhur fare qetësisht, duke shtyrë me dorë kapelën e bërë qull…
Dhe u largua prej meje drejt zjarrit, ku dy studentë përsërisnin po atë këngë të mërzitshme:
Ah, përse më tradhëtove?
Unë, s’të bëra ndonjë të keqe? – doja të sigurohesha, i turbulluar, siç isha nga kjo heshtje e vajzës.
Ma preu shkurt:
Jo. Ju nuk jeni shumë i shkathët. Megjithatë, kuptohet, ju falenderoj.
Por m’u duk se nuk më falenderoi sinqerisht.
Ne nuk takoheshim shpesh, por, pas këtij rasti, takimet tona u bënë më të rralla. S’vonoi shumë dhe ajo humbi fare nga qyteti.
Vetëm pas nja katër vjetësh u pamë në një anije. Qe nisur nga një fshat i Vollgës, ku banonte në një vilë, e po shkonte në qytet tek i shoqi.
Ishte shtatzënë, e megjithatë, rrobat i rrinin për bukuri kurse në qafë i varej zinxhiri i gjatë prej floriri i orës dhe një lule e madhe si medalje. Ishte bërë shumë e mirë, vërtet.
Ja, – tha ajo kur po kujtonim miqësisht të kaluarën – ja ku jam, e martuar dhe gjithçka…
Ishte mbrëmje. Në lumë digjej perëndimi i diellit. Gjurma shkumore që linte anija nga pas, në largësinë e kaltër të veriut, dukej si një shirit i gjerë dantelle të kuqe.
Kam dy fëmijë, pres të tretin, – foli krenare, si një mjeshtër që e pëlqen zanatin e vet.
Në prehër mbante një qese letre me portokalle.
– A t’ua them? – pyeti pastaj duke qeshur ëmbël me ata sytë paksa të zinj. – Në qoftë se atëhere tek mullari – e mbani mend – ju do të kishit qenë më i guximshëm… do t’më kishit puthur… tani do të isha gruaja juaj… Se unë ju pëlqeja, apo jo? Kurse ju, drejt e tek uji… Eh, ju!
I shpjegova se kisha vepruar ashtu siç tregohej në librat që ishin aq të shenjtë për mua në atë kohë; dhe vetëm atëhere mund ta puthje, kur ajo, si të hapte sytë, të thërriste e habitur- Oh, po ku jam kështu?
Ajo qeshi një grimë, pastaj foli mendueshëm:
-Ja, këtu është e keqja jonë, se ne duam të jetojmë si nëpër libra… Por jeta është më e gjerë… më e mençur se librat, zoti im…Jeta s’është aspak si në libra…Po…
Nxori nga qesja një portokall, e vështroi me kujdes e, duke e mvrejtur, tha:
– I poshtri, e ka futur të kalbur…
Pa delikatesë e flaku në lumë; unë e ndoqa me sy kur ai, duke u rrotulluar, humbi në shkumën e kuqe.
– Hë, po tani? Akoma jetoni si nëpër libra? Ë?
Unë heshtja duke shikuar rërën e bregut, të ringjyrosur nga flaka e perëndimit dhe më tej, hapësirat e lëndinave që kishin marrë një nuancë të florinjtë.
Varkat e përmbysura dergjeshin mbi rërë si peshq të mëdhenj, të vrarë. Shelgjet lëshonin një hije të trishtueshme. Në hapësirat e largëta të lëndinave, dukeshin mullarët e barit e, mua m’u kujtua krahasimi i saj:
“Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët si piramida…”
Duke qëruar portokallin tjetër, gruaja më përsëriti me tonin e një të madhi e sikur t’më ndëshkonte:
– Po, do të isha gruaja juaj…
-Ju falenderoj, – i thashë, – ju falenderoj.
Dhe e falenderova sinqerisht.
( E përktheu nga origjinali B. H., Elbasan, 1986)
ObserverKult
Lexo edhe:
GORKI KUNDËR LENINIT NË… SHAH
Përgjatë një vizite në Capri të Italisë në vitin 1908, Bogdanov dhe Lenin luajnë shah përkrah shkrimtarit të famshëm sovjetik, Gorki (Maxim Gorky).
Në internet, loja e tyre e shahut njihet ndryshe si, “Gorki që luan shah kundra Leninit” (Gorky vs. Lenin).
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult