Luran e Linditë, ju ishit kuptimi i gëzimit. I lumturisë. I të ardhmes…

Luran dhe Lindita Ahmeti

Arba tash do të vazhdojë ta bëjë më të bukur mozaikun me portretin kolektiv të familjes sonë

Nga Xhabir Ahmeti

Biri ynë, Luran; bija jonë Linditë

U bënë katër vjet që mbetëm pa Ty, bir. Edhe pak edhe Linda e bën përvjetorin e largimit nga ne. U bëtë të dytë, vëlla e motër, pranë njëri-tjetrit në hapësirat e heshtjes.

Na latë neve që vazhdimisht, natë e ditë, orë e çast, ta përsërisim një fjali: a është e mundur që fatkeqësia të na përvëlojë në këtë mënyrë, e në këtë acar dhembjeje ta shikojmë kohën që ikën pamëshirshëm duke na i nxjerrë parasysh kujtimet me ditët e plot gëzim e krenari që na i falët Ju si fëmijë të mbarë që Ju patëm.

Sa Ju kishim Juve në shtëpi ne ishim një tubëz thuprash që s’i thyente askush, ishim një burim frymëzimi. Tash Tubëza u pakësua e thuprat duken si të derdhura në hapësirat e engësisë. Tash vazhdimisht na mbajnë nën pushtetin e vet ngashëria dhe pagjumësia, të cilat s’na kanë lënë pikë loti të na rrjedhë nga sytë e skuqur nga vaji.

Kur ishit me ne, Luran e Linditë, shtëpia jonë ishte kullë rreth të cilës çelnin trëndafila e gjithfarë lulesh të tjera. Qielli mbi kullën tonë vlonte nga yjet. Brenda kullës Ju keni vënë shenja në kohë.

Ju ishit kuptimi i gëzimit. I lumturisë. I të ardhmes. Tash këto kuptime kanë dalë nga fjalori ynë.

Ne e kemi humbur barkën e cila na shpinte kah drita e përpëlitemi nëpër gjerësitë e brishtësisë. Jemi tash një hije eshtrash e na kanoset të na thërrmojë një goditje e lehtë fare edhe era e rëndomtë e veriut.

Megjithatë nuk jemi në kthetrat e vetmisë. Kemi shumë njerëz të mirë që na e largojnë vetminë, që qëndrojnë pranë nesh. U jemi falënderues shumë, shumë atyre. Mirëpo…  me Ju, kjo botë do të ishte e shndritshme. Edhe këta miq që i kemi do të ndjeheshin më rehat me Ju, ndërsa pranë nesh nuk do të gjëmonte ushtima e lumit të thatë.

Këto fjali e bënin përshkrimin e ambientit  tonë në këto ditë të fundit të marsit kur të ftohtit u sulet luleve të pemëve.

Ndërkohë sot na e hapi derën e kullës Arba, Bija Jote Luran, Mbesa Jote Lindush. Hyri brenda me Edlirën. Na u bashkuan dy anëtarët e vatrës sonë.

Gjyshja ime! Gjyshi im! tha Arba në vend se të na përshëndesë. Dhe, menjëherë na u lëshua në përqafim.

I shikova fjalitë që i kisha shkruar më parë dhe shpejt e shtova emrin e Arbës midis tyre. Rrezja e dritës doli e fortë me Arbën mbi shtresat  e zisë. Për një çast u ndërpre vazhdimësia e pikëllimit.

Arba është drita vetë e kësaj kulle që ka mbetur të shpërndajë ndriçimin që Ju e latë, në aktrim – Ti Luran dhe në poezi – Ti  Lindush.

Arba tash do të vazhdojë ta bëjë më të bukur mozaikun me portretin kolektiv të familjes sonë ku do të jeni Ju: Luran e Linditë, ne dy pleqtë: nëna e babai Juaj, Edlira dhe ARBA.

Ne JU duam shumë, shumë.

ObserverKult


Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: VITE PO BËHEN PA LURANIN, SHTATË MUAJ E SA PA LINDITËN