Jusuf Buxhovi: “Macedonia –From antique to our time”, botoi “Jalifat Publishing”, Houston, faqe 677.
Përkthimi i këtij libri në anglisht nga Avni Spahiu si dhe plasimi i tij në qarqet shkencore dhe universitare amerikane por edhe botërore në përgjithësi, siç ka ndodhur edhe me “Kosovën” në tri vëllime, është me interes të veçantë, ngaqë përhap të vërtetën rreth Maqedonisë si pjesë e botës ilire nga antikiteti, të përvetësuar nga grekët dhe të përjashtuar nga historiografia institucionale shqiptare, siç përhapë edhe të vërtetën se në shtetin e sotëm të quajtur Maqedoni e Veriut, të shtrirë në pjesën më të madhe të Dardanisë antike dhe më vonë në vilajetin e Kosovës, ndërlidhet identiteti historik, etnik, shpirtëror, kulturor dhe politik i shqiptarëve nga lashtësia, i mohuar nga historiografia hegjemoniste serbe, ruse, bullgare dhe ajo e sajuara “maqedone” me ç’rast ata paraqiten “ardhacakë”, “pushtues”, “zullumqarë” të ardhur në këto hapësira nga shekulli XVII e këndej me ndihmën e osmanëve!
Mbi këto platforma, nga Kriza Lindore e këtej, janë ndërtuar edhe hartat e reja të shteteve në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku hapësira etnike dhe ajo shpirtërore-kulturore e shqiptarëve është copëtuar nga shtetet fqinje (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia), me ç’rast janë bërë edhe përpjekje të vazhdueshme që ata me luftëra dhe gjenocide të përjashtohen prej saj, siç ka ndodhë në vitin 1878, 1912, 1944 për të vazhduar edhe me etnocidet në përputhje me konventat me Turqinë për shpërnguljen e tyre në vitin 1938 dhe 1953.
Prandaj, i konceptuar mbi këta faktorë dhe i mbështetur mbi fakte të qëndrueshme historike, libri përhapë të vërtetën për vendin dhe rolin e shqiptarëve në këtë shtet të krijuar politikisht në vitin 1944 në Kuvendin e ASNOM-it (fillimisht si pjesë e federatës jugosllave në përputhje me vendimet e AVNOJ-it të vitit 1943) dhe në vitin 1991, me ç’rast ata do të diskriminohen qoftë si pakicë kombëtare gjatë Jugosllavisë së Titos, qoftë me statusin e qytetarisë “me të drejta njerëzore” në rrethanat e shpalljes së Maqedonisë shtet-komb.
Duke elaboruar edhe zhvillimet më të reja nga shpallja e shtetit të Maqedonisë në vitin 1991, krahas kritikës që u bëhet politikave hegjemoniste veçmas asaj serbe dhe jugosllave me sy kritik vlerësohet edhe roli i faktorit politik shqiptar nga viti 1991 e këndej, ngaqë nuk kanë qenë në gjendje ta mbrojnë pozicionin e referendumit të vitit 1992 për statusin e popullit shtetformues mbi konceptin e një shteti federal-konfederal të dy popujve të barabartë (shqiptarë dhe maqedonas), dhe po ashtu, edhe luftën e UÇK-së të vitit 2001, të filluar me kërkesën për shtet federativ (shqiptar-maqedon), brenda një kohe do ta ndryshojnë me atë të “shtetit qytetarë” të të drejtave demokratike!
Kjo do të pasqyrohet më së miri me Marrëveshjen e Ohrit, ku klasa politike “me meritat e luftës”, që do të vijë në pushtet, nuk do të bëjë tjetër, që për përfitime personale dhe klanore, do të shndërrohet në një vasale të politikës maqedonase, e cila faktorin shqiptar do ta shfrytëzojë për qëllimet e njohura shtetmëdha duke degraduar statusin e saj në atë të pakicës kombëtate, në përputhje me numrat ku kuota mbi 20% e popullsisë është parakusht për aplikmin e të drejtës së gjuhës në nivel të administratës lokale dhe të arsimimit shqip!/(Jusuf Buxhovi)
ObserverKult
Lexo edhe:
JUSUF BUXHOVI NË KUJTIM TË PROFESOR ZEKERIA CANËS: BETOVENI, POEZIA, SHIU…
Në kujtim të profesor Zekeria Canës, historianit dhe intelektualit të njohur nga plejada e gjeneratës së artë të viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta, që i dha impulse lëvizjes kombëtare për liri, barazi dhe demokraci, që solli shtetin e Kosovës.
Nga Jusuf Buxhovi
Pranvera e vitit 1962 ishte me shira të pareshtura. Retë e mbushura me lagështi, sikur ia kishin ndaluar rrugën rrezeve të diellit.
U desh korriku që përfundimisht ta kthejë verën e mbetur.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult