Madhështorë në letërsi, të tmerrshëm në dashuri, ja cilët janë shkrimtarët që do iknit prej tyre

Në teori, të gjithë duan të bien në dashuri me poetët e shkrimtarët. Dhe duket e natyrshme kur imagjinohen letrat e dashurisë apo, përjetësimi në vargje.

Por nuk është gjithmonë kështu. Madje historia ka treguar që zakonisht është e kundërta. Shumë mendojnë se shkrimtarët janë partnerë të tmerrshëm: egoistë, shumë të fokusuar te krijimtaria dhe sërish egoistë.

Pjesa më e madhe e shkrimtarëve të njohur kanë pasur jetë të trazuar romantike. Por disa prej tyre kanë qenë vërtet “burri që nuk do të doje të kishe”.

Lordi Bajron

Ai mund të jetë shenjtor i romantizmit në letërsi, por jeta e tij personale ishte larg asaj që përcjell krijimtaria. Bajroni ishte i përfshirë në një lidhje të gjatë incesti me gjysmë-motrën e tij, ndërkohë që ishte i martuar me një nga gratë e tij.

Pas ndarjes nga gruaja, ajo pretendoi se ishte përdhunuar rregullisht nga i shoqi. Nga një marrëdhënie e mëvonshme e tij me motrën e Mary Shelley-it lindi një fëmijë. Këtë fëmijë ai refuzoi ta njihte si pasardhës.

Çarls Dikens

Dikens ishte i virgjër kur u martua me Catherine Hogarth në moshën 24-vjeçare. Menjëherë pas martesës, ai u obsesionua pas motrës së bashkëshortes, Mary, e cila vdiq shumë e re.

Dikens u shkatërrua shpirtërisht dhe gjatë gjithë martesës, bashkëshortes së tij iu desh të konkurronte me një fantazmë për një vend në zemrën e shkrimtarit. Pas 20 vjetësh martesë dhe 10 fëmijëve, Dikens u njoh me një aktore të re, Nelly Ternan dhe kuptoi se i ishte mërzitur gruaja, të cilën e la për të jetuar me dashnoren.

T.S. Eliot

Edhe pse ishte i fejuar me Emily Hale, Eliot u magjeps nga Vivienne Haigh-Wood kur e takoi për herë të parë në vitin 1915. Por ndjenja nuk zgjati shumë. Ai ndenji me të për 18 vjet, një lidhje jo e lumtur më së shumti për shkak të probleme shëndetësore të saj dhe çekuilibrimeve mendore, derisa në vitin 1933 vendosi të shkëputej nga ajo, aplikoi për divorc dhe u kërkoi të gjithë miqve të tij të mos flisnin më me të.

H.G. Wells

Ai njihet për librin “Lufta e botëve” dhe për skandalet në jetës private. Ai u martua me një nga studentet e tij dhe pastaj, me lejen e saj, u përfshi në një sërë lidhjesh të tjera. Romanca e tij me shkrimtaren Rebecca West ishte e stuhishme: ai e la shtatzënë kur West ishte 19 vjeçe dhe nuk pranoi ta linte gruan për të.

ObserverKult


Lexo edhe:

SHKRIMTARËT E MËDHENJ RUSË QË DOGJËN VEPRAT E TYRE