(Mbresa për veprën ”Muranë fjalësh” nga Majlindë Sinani Lulaj)
Majlindë Sinani Lulaj nuk është emër i panjohur për skenën publike të Kosovës. Është pra në natyrën e gjërave familjariteti i natyrshëm me fjalët, por ne që e ndjekim atë në rrjete shoqërore kemi pikasur edhe shkrepëtima të përsëritura dhe bindëse të dhuntisë letrare, në formë përsiatjesh lirike e rrëfyese.
Nga Shqiptar Oseku
E vërteta jo aq e fshehtë është se shumë prej nesh kemi pritur qyshkur që ajo të dalë me një përmbledhje të veten shkrimesh, për të mëtuar vendin që i takon në fushën e letrave shqipe. Një paralajmërim i hershëm i kësaj vepre është ndier në ajër që në vitin e largët 2017 kur poezi të saja u botuan te revista prestigjioze ”illz” e Klubit të Poetëve në Tiranë, pra aty ku botohen ajka e autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Tashti kur kemi më në fund në duar një përmbledhje të shumëpritur, mund të themi se paskemi patur se çfarë të presim. ”Muranë fjalësh” shpërfaqet të shumtën si lirikë e arrirë, e thurrur me estetikë të vuajtjes, e me tropet sqimatare të dikujt që ka diçka të rrëfejë e që di se si ta bëjë.
”Muranë fjalësh” është një nga ato që quhen përmbledhje konceptuale, ku pjesët e ndryshme bashkëveprojnë për të sajuar një tërësi të plotë organike, si hënë pesëmbëdhjetëshe. Ajo që godet lexuesin, sidomos në lexim të dytë e të tretë, është persistenca e gjuhës dhe e atmosferës pothuajse gotike që përshkon tërë veprën; si pika referencash mund të kemi modernistet suedeze Karin Boye dhe Edith Södergran, ose poezinë nga Sylvia Plath ”The Moon and the Yew Tree” (Hëna dhe pema e tisit). Emërtimi i përmbledhjes më duket shumë i goditur, citoj nga Fjalor i gjuhës së sotme shqipe: ”Murán/ë,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës; -a(t) grumbull gurësh të një muri të rrëzuar; gërmadhë; / grumbull gurësh, që vihen ku është vrarë ose është varrosur dikush.”
Lirika e Majlindës nuk është e populluar aq dendur me njerëz. Ajo që vërehet është një si traditë matriarkati, me nënën, gjyshen si shembëlltyra që shquhen me përcaktim të saktë. Lexuesi i emancipuar do të pikasë, natyrisht, heshtjen e mbarsur të nënës, e avlëmendin penelopian të gjyshes, si simbole që hapin dyert për interpretime kritike e feministe. Ta zëmë, te poezia ”Heshtje që s’len me pa”:
n’frymëmarrjet e kësaj nate,
zhurmon heshtja e mbledhun
n‘prehnin e nanës.
Reliefi lirik përbëhet nga troje të dritëhijes, me terrin e dritën si antonime e antiteza njëherësh. Një nga tropet e dritës është drita e syve, kjo relikë e lashtë e antikës që gëlon kryeneçësisht në kulturën gojore e letrare shqiptare. Pitagora dhe Platoni ishin të parët që formuluan idenë e ”dritës së syve”, për të tfilluar se si ndodh shikimi. Në dialogun e famshëm Timaeus, Platoni tregon se si një ”fije zjarri të butë synor” del nga ninëza e syrit dhe, duke përdorur edhe dritën e mjedisit, prek si me tentakula sendin që vështron. Kur këputet kjo fije zjarri, atëhere njeriu nuk shikon dot më. Me kalimin e shekujve, kjo ide për dritën dhe terrin është ngarkuar me trope filozofike, fetare e letrare për mëshirën e mëkatin, jetën e vdekjen, që nga shën Augustini e gjer te Göte. Te poezia ”Hi urne”, autorja shkruan kështu:
terri s’asht padrita e syve,
veç pamundësia
me jetue çka asht e dekun.
Ky sfond krijon gradualisht një spiritualizëm universal, ku dita e drita bëhen sinonim me shpresën, e mirësinë, ndonëse jo gjer atje sa të ravijëzojë një besim në të ardhme. Sepse, si shkruan te një poezi për të nesërmen:
e sontmja dhe e djeshmja
janë binarë që shtrihen pushueshëm
tuj pritë me kalue nji nesër që s’dihet a vjen.
Te autorja, e tashmja është e vetmja kategori operative: njeriu e ruan a e humb shpirtin e vet në kohën e tashme, pa mundur të fshehet mbrapa historisë, as mbrapa vizioneve vezulluese të së ardhmes. E djeshmja dhe e nesërmja mungojnë. Rrjedhimisht, as spiritualizmi i saj, pra nuk është dogmatizëm fetar, pse i mungon utopia e feve. Ai mund të kuptohet vetëm në kontekst të humanizmit sekularist, tokësor, të epokës. Te poezia ”Zoti n’zemra”, ajo shkruan:
na,
lypësit e pangimë përjetshëm,
a i bajmë shpi
Zotit n’zemra,
e mandej faltoreve
s’ju duhen shenja e emra
Mungesa, jo vetëm e dritës, është përndryshe lajtmotiv që përshkon si pe i kuq tërë veprën. Mungesa shfaqet si hyjni pagane në shumë manifestime: si mohim, braktisje, heshtje, ankth, kujtim i tymtë, robërim – pse mungesa lidh gjithmonë më fort se prania, dihet kjo – por edhe si boshllëk, amulli, çmendi, ftohtësi, fshehtësi, mallkim, regëtimë, e vegim; biles edhe vdekje, e si harresë. Por mungesa mund të jetë, paradoksalisht, edhe e pranishme: në formë të përpëlitjes ta zëmë, të dihamës, a të nyjes. Ose, si te poezia ”Madrigal”, në formë të një arome të fëmijërisë që nxjerr kryet ”në rrjedhën që vlon e s’ka të ndalme”:
MADRIGAL
era e pogaçes përvidhet
brenda mureve
që mbrrijnë me shndërrue n’akull
rrjedhën që vlon e s’ka të ndalme
për mue
s’asht ma nji gatesë
me grunin e motit t’mbledhun n’hambare
brumi i saj asht madrigal
gatue me dashuninë e fjalëve
Vërej këtu me shumë simpati fjalën pogaçe, nga bukë, bukaçe, që shqipja mëmë ua ka dhuruar bujarisht edhe fqinjve të vet. Por ajo që më këput është përmendja e madrigalit, polifonisë së hershme të kohës së barokut nga shekujt XV-XVI. A ka referencë më të goditur për këtë idilë, ku figura e nënës sundon në mungesë?
Madrigali ka origjinë kishtare që shihet tek emërtimi, nga latinishtja Matricalis, amësor, pra hymn për kishën amë. Ja këtu, një tjetër fije që lidh cepat semantikë të poezisë. Madrigali është, si dihet, bija që u arratis nga familja e koreve fetare për të shtjelluar tema njerëzore, në frymë të Rilindjes dhe përndritjes (iluminizmit). Sot vetë madrigali quhet nëna e harruar e operas: një tjetër fije e hollë, për ty që di të çmosh subtilen. (Këshillë për ty që kërkon përjetim total të poezisë: përcille të lutem këtë poezi me madrigalin Lamento della nimfa, nga libri i tetë i madrigalëve të Claudio Montenverdit!)
Toni i lirikës, përndryshe, duhet të ketë qenë sfidë për dikë si Majlinda. Ndoshta kjo është arsyeja pse në gjuhën e saj ka një si përmbajtje, si distancim psikologjik, nga gjërat që shtjellon uni poetik. Është thuase autorja shkruan nga një dimension i shkëputur jashtëtrupor, ku mund të studiojë veten në vetë të tretë. Një fill i mundshëm interpretimi mbase gjendet te poezia ”Anatomi zemre”:
Zemra asht arkë që ndrynë fshehtësinat n’besë,
lojë thotë edhe kur krisi si qelq prej dhimbash
Supozoj se uni poetik dhe uni personal i Majlindës e kanë këtë të përbashkët, ta quajnë lojë edhe kur kris zemra si qelq prej dhembjesh. Dhe anasjelltas: sa kris zemra si qelq prej dhembjesh, ta quajnë lojë: e ta përshkruajnë nga një largësi. Ka pararendëse të mëdha, në të shkruajturit në këtë mënyrë. Sylvia Plath e nis poezinë ”Hëna dhe pema e tisit”, që përmenda paraprakisht me këto fjalë: ”Kjo është ngjyra e mendjes/e ftohtë dhe planetare/pemët e mendjes janë të zeza./Drita është blu.”
Depersonalizim instrumental, pra, si modus operandi për të ndërtuar një atmosferë që kap largësinë emocionale nga nëna e ftohtë. Depersonalizimi dhe dekomponimi i unit nuk janë njësoj funksionalë, meqë ajo e shpërfaqë mungesën si melankoli intime dhe, nganjëherë, si te poezia ”Dimni i marsit”, si nostalgji kolektive. E pra këto mund të sabotohen nga përqendrimi tek estetika, e nga distanca emocionale e vargut. Autorja shkëlqen, kur i përdor fjalët për të grisur perdet që na fshehin njeriun dhe gruan mbrapa tyre.
Vepra ”Muranë fjalësh” do mirëpritur si uverturë të një krijimtarie që troket në vëmendjen tonë. Natyrisht, duke njohur autoren si sqimatare të madhe, e duke ditur sa vjet që priti të botojë këtë libër, nuk ushqej iluzione se ajo do të na mitralojë si tjerët, me disa përmbledhje në vit. Por një shprehje suedeze thotë: kush pret të mirën, nuk pret kurrë tepër. Unë do të pres durueshëm dhe me ngazëllim të lexoj më shumë tash e tutje prej saj. Dhe në ndërkohë, do të rilexoj sërish ”Muranë fjalësh”, me madrigalë në sfond.
ObserverKult
___________
Lexo edhe:
NJI MENDIM I PËRMBLEDHUN PËR “MURANË FJALËSH”
“MURANË FJALËSH”, NJË TRAJTË QË VJEN SI FIJE DRITE NË SYRIN E LEXUESIT
Kliko edhe:
PROMOVIMI I LIBRIT TË MAJLINDË SINANI LULAJT “MURANË FJALËSH” (VIDEO)