“Makbethi”, ambicia e sëmurë për pushtet- në qendër të shfaqjes

Përkitazi me shfaqjen “Makbethi” e Shekspirit- premierë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Nga: Agron Gërguri

“Makbethi” është njëra nga tragjeditë më të njohura të Shekspirit, që hyn në radhën e kryeveprave  të dramaturgjisë botërore. E shkruar në mes viteve 1605-1606, mbështetur në  kronikat e kohës në Skocinë e shekullit XI të kronistit Raphael Holinshed të cilat Shekspiri i përplotëson në përmbajtje dhe personazhe tjera siç është Banko, pjesa e mirë e Makbethit.

Shfaqja fillon me ushtarin që kthehet nga fronti, sado me duar të humbura në luftë, ai sjell lajmin e fitores por edhe e ambienton temën e shfaqjes në shtratin e saj tragjik. Ky personazh sikur është shëmbëllim i vëllait të Eskilit të cilin e përmend Seneka si luftëtar të paepur i cili pavarësisht se i kishte humbur gjymtyrët, nuk e kishe ndalur luftën. Vendosja skenike e këtij personazhi i cili e sjell dramën nga jashtë do duhej të ishte konform situatës. Fanfaret e luftës do duhej të paralajmëronin futjen e tij në qendër të skenës si një akcent apo preambulë e asaj që do të ndodhë në vazhdim.

Pas rreshterit në skenë hyjnë Makbethi me mikun e tij Bankon që kthehen si triumfator, e në rrugë u dalin magjistricat me parashikimin se Makbethi do bëhet mbret.
Shekspiri thuaja në çdo vepër e “reinkarnon” një të vërtetë që ndihet dhe i jep formë fizike për t’u ballafaquar me të. Në këtë funksion janë edhe magjistricat të cilat janë aty në rrugën e një ambiciozi,duke nxjerrë në dukje ambicien e sëmurë për pushtet.

Për ta bartur temën e ambicies së sëmurë tek audienca regjisori kishte vë pasqyrat si provokim që spektatorët të reflektojnë nëse kanë ambicie makbethiane të fshehur që gjakon për pushtetin. Edhe thirrja që spektatorëve u bëjnë magjistricat është një proces i detektimit për të identifikuar makbethët e vegjel të strukur te frika, por që një shikim ua nxjerr ambicien që kanë.

Ato me një ritual të koreografuar mirë thërrisnin “shfaquni”. Dhe shfaqet Makbethi në fytyrën e të cilit projektohet brendia si një libër në të cilën zonja Makbeth e lexon ambicien e sëmurë të të shoqit me dëshirën e saj dhe e stimulon duke iu dhënë guxim veprimeve për të kap  pushtet.

Sado që Makbethi i Shekspirit e di se “ambicia hidhet e kërcen më tepër se që i përket” megjithatë infektohet pakthyeshëm nga ky kërcim përtej vetes. E thërret në gosti mbretin Dankan dhe e vret në shtëpinë e tij, akt që përkon me kodin moral shqiptar i sanksionuar edhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit  dhe di i tillë ky akt do duhej të shkaktonte një ballafaqim shqetësues tek spektatori. Andaj pasqyra!
Festa e fitores në luftë kalon në delir,  zonja Makbeth mbush kupat festive deri në dehje të të ftuarve si investim në krimin që do të ndodh, skena ilustrohet me një partiturë të kënduar si formë mjuzikli brenda shfaqjes për të përmbushë gjendjen e delirit që ushqen vullnetin e Makbethit për të nis procesin e pakthyeshëm në realizimin makiavelist të qëllimit. Pushteti!
Nga kroi derdhet gjaku i kaltërt mbretëror si shëthurje e rendit të gjërave, njëkohshëm në videoprojektor ndërrohen vitet dhe shekujt nëpër të cilët ka udhëtuar krimi në luftën për pushtet për të mbërri deri në ditët e sotme. Në këtë rrugë të realizimit të ambicies nuk kursehet as shenjtënia e miqësisë. Makbethi e vret mikun e tij Banko i cili ngrihet fantazmë për ta pa se ai që e vrau ishte Makbethi që po bëhet mbret,  ky moment ndërgjegjësimi si një digë morale që çështja të mos zhvillohet tutje e tundon Makbethin por nuk ndalon.

Dehja nga pushteti…
 
Ambienti i dehur nga festa kundërrmon në alkool. Makbethi në gjendje deliri pi gjak të kaltërt mbretëror ndërsa  pellgu i gjakut mbushet me vrasje të tmerrshme, të cilat në shfaqje edhe mund të organizoheshin më akcentueshëm për të prek reagimin pëlcitës tek spektatori.
Makbethi nuk bënë fushatë elektorale premtuese por e di se madhështinë e pushtetit duhet veshur me lajka. Në funksion të këtij lajkatimi ai (lexo regjisori) fton spektatorët në ahengun festiv të mbretërimit dhe dy prej spektatorëve i afrohen tavolinës së madhe mbretërore pa ndonjë reagim refuzues. Ky kurth moral të cilin di ta ngre teatri shtron pyetjen dilematike: pse jemi aq oportun, sa që edhe kur na thërrasin në aheng  festiv të kurorëzimit tmerrësisht të gjakosur ne nuk hezitojmë (lexo rezistojmë) që me prezencën tonë të legjitimojmë të keqen, për një gotë venë. Pse e bëjmë këtë? Nga frika apo servilizmi ndaj pushtetit apo se ndoshta thellë diku në ne rri e strukur ambica e sëmurë që po u zgjua do të bëjë të njëjtën. Në këtë skenë pasqyrat shndërrohen në idiomë duke na e thënë në zverk: ja këta jeni kur ia mësyni karrieres siç  bënë Makbethi kur e ndien “aromën” e pushtetit dhe  mjerisht bëhet model i arritjes së qëllimeve.

 “Gjeje trimërinë ku të është fshehur dhe do të kesh sukses” e motivon apo manipulon kështu znj. Makbeth të shoqin duke i dhënë kamën në dorë që ai të vret siç edhe bënë për të arritur qëllimin. Veprimet kanë kosto dhe as fjala “amen” më nuk del, ashtu siç këlthitja nuk ka zë por mbytet në të keqen e veprimit, ngase në rrugën e afirmimit të ambicies vret edhe mikun bashkëluftëtar Bankon vetëm se edhe ky kishte dëgjuar parashikimin e magjistricave për mbretërimin e Makbethit dhe mund t’i ndizej zjarri i ambicies edhe atij.

Teatri si pasqyrë e të vërtetës së fshehur

Dhe prapë pasqyra si një idiomë apo fotografi që na dërgon deri te errësira e mendjes  për të pa ku farkohet ambicia e sëmurë dhe mungesa e vullnetit për ta stopuar këtë ambicie që shpërfytyron njeriun.
Dhe kupa e krimit mbushet. Makdafi niset ta rrëzojë nga froni Makbethin me luftë për ta bërë mbret Mallkomin të birin e Dankanit,  sado që Donalbani është më i urtë, më i vëmendshëm dhe më i mençur karakteristika këto që i mishëron bukur aktori, Tristan Halilaj.
“S’ka natë që s’ka të gdhirë sado qoftë e gjatë dhe e përgjakshme”. Makbethi ka prek kulmin dhe tamam mendon se është i pamposhtur e humb betejën dhe në një gjendje çmendie epileptike ai gjen vdekjen nga dora e Makdafit edhe kurora e tij përgjaket.
“Vdiq mbreti, rroftë mbreti” që do të thotë se e tëra është e prirur të përsëritet derisa njerëzimi të gjej vaksinën kundër “ambicies së sëmurë” e cila kryesisht shfaqet si pushtet, famë, protagonizëm …

E keqja  shpaguhet me pësim

Mirëpo Shekspiri nuk ndalet të bëjë sehir para të keqes  por ambicien e sëmurë e endë nëpër labirithet e përjetimeve shkatërruese që   zonjën Makbeth  e “dërgojnë” në altarin e pendesës duke ngre pyetjen shqetësuese athua ku e ushqen njeriu gjithë atë vrazhdësi: në rastin e zonjës Makbeth, a është mungesa e një trashëgimtari apo thjeshtë pushteti e ka pasur dhe e ka joshjen e pashpjegueshme deri te Faraonët që deshën të zëvëndësojnë zotin.  
Gjaku i kaltërt mbretëror vazhdon të derdhet nga epruveta e jetës duke krijuar një idiomë teatrore që korespondon me epruveten tjetër ku “pastrohet” Makbethi. Dy kroje rrjedhin kuq dhe kaltër dhe bëjnë pellgun e krimit si platformë e sundimit të përgjakshëm duke krijuar ngjyrat e një flamuri që përcjell një mesazh përkujtues nëpër çka  kemi kaluar gjatë luftës.
  
Regjisura e Qendrim Rijanit

Qendrim Rijani edhe me këtë shfaqje dëshmon autorësi regjisoriale edhe pse nganjëherë në dëmë të aktrimit dhe tipizimit të personazheve. Ai e ka të rëndësishme ta zbërthej tekstin në kuadër të filozofisë së tij teatrore që krahasueshëm me Antonen Arton, mund ta identifikojmë si teatër i ashpërsisë apo teatër i gjakut edhe pse i mungon depërtimi i frikës dhe dhembjes deri në palcë të cilën e pretendon Artoja. Mbase gjuha teatrore e Artos e zbërthen më  së miri “Makbethin” për të prek deri në asht degradimin e natyrës njerëzore kur ia mësyn ta bëjë realitet ambicien e sëmurë. Siç kryesisht ndodh në shfaqjet e Rijanit edhe në këtë shfaqje kishte dinamikë të sforcuar por dukej se temporitmi nuk ishte diagramuar ashtu që t’na e jepte mundësinë që të  krijojmë impakt me fatin apo fatkeqësinë e personazheve sepse spektatori lidhet ngushtësisht me të bëmat dhe përjetimet e personazheve përmes të cilëve pastaj përvijojnë mesazhe të cilat i dirigjon regjisori.  Mizanskena e organizuar mirë pa çka që hapësira e ngushtë skenike ishte handikep sepse shfaqja do duhej të kishte së paku edhe dy tre plane veprimi në thellësi. Këtë hendikap e amortizon dhe idejshmërisht e përmbush me pasqyra megjithatë disa skena do “qartësoheshin” apo narracionin do ta bënin më të rrjedhshëm sikur ndryshimet e vendndodhjes të identifikoheshin më besnikrisht në raport me ngjarjen.
Mbase në funksion të zbërthimit narrativ vjen edhe skena e interferimit brenda shfaqjes e Magdafit përkatësisht Shkumbin Istrefit i cili në funksion të narratorit i lidh penjtë e këputur narrativ duke ju drejtuar personazheve përkatësisht aktorëve me emrat e tyre.
Edhe futja e pjesëve të kënduara me idenë që ta mekoj gjithë atë dhunë e gjak është ide e mirë, hiq mikrofonat që e prishin imazhin. Në përgjithësi regjisori  vërehet se është investuar në secilën idiomë a fotografi që krijohet në shfaqje mirë keq ai e merr përgjegjësinë.
Sado autorësia regjisoriale është në korespondim me atë që Shekspiri e thotë me “Makbethi” -n megjithatë do doja që disa skena të kishin një “qetësi” që zien e në fakt  ofron intimitetin të cilin teatri e ka atu dhe përveçse të reagojë shqyrtueshëm t’i lë spektatorit kohë për ta shijuar edhe estetiken e veprimit skenik..

Personazhet dhe aktorët

Dankani i Luan Jahës
Dankani një sundimtar i vjetër dhe i respektuar skocez që është stolisur me virtytet e mirënjohjes dhe bujarisë në interpretim të Luan Jahës tregon shenja të një marrosje që i ngjan Mbretit Lir. Insistimi që të humorizoj sjelljet e tij shkaktojnë të qeshura që janë jashtë kontekstit të karakterit të Dankanit siç e ka ndërtuar Shekspiri por që latimi regjisorial i Rijanit dhe interpretimi i Jahës duket se kanë zgjedhur të  zbërthejnë karakterin duke e fshehur ate.

Çifti Makbeth, të unisuar në krim
 Ata nuk kanë fëmijë dhe akuzojnë fëmijët e Dankanit, Mallkomin dhe Donalbanin për vrasjen e mbretit Dankan.  Zbraztinë psikologjike ku rrënohet karakteri dhe ndodh humbja e besimit tek vetja kur e kap frika se mungesa e fëmijëve ia mohon përjetësinë andaj Makbethi i vret edhe fëmijët e kundërshtarëve potencial për të gjet njëfarë barazie pavarësisht se kjo barazi e dërgon tek thënia jonë popullore  “çka t’i bësh dikujt ia bënë veti”. Në këtë thënie ngërthet e keqja çiftit Makbeth.  Parashikimi i magjistricave është në fakt  pasqyra e diagramit të ambicieve të Makbethit, ambicie e cila pastaj gjenë bazë dhe ushqet edhe tek suksesi në  luftë.
“Gjeje trimërinë ku të është fshehur dhe do të kesh sukses”, është thënia “çelës” e zonjës Makbeth që motivon Makbethi  të mos e frenojë ambicien për t’u  bërë mbret, duke ia mprehur kështu thiken e krimit. Por veprimet  kanë kosto dhe  fjala më nuk i del e plotë …ai këlthet pa zë i kapur nga ngërçi i krimit. Një gjendje të cilën e përligj skenikisht aktori Adrian Morina(Makbethi)

Sado që çifti Makbeth është në kërkim të vetes thellë në vete e ndjejnë  se e kanë të humbur  përjetësinë  meqë nuk kanë trashëgimtar, kjo mungesë duket se është origjina e veprimeve të tyre.

Trajektorja e zhvillimit të karakterit të tyre ndryshues ka një apo edhe më shumë motive por është e ndryshme në kahe. Derisa Makbethin në fillim e dijmë për të mirë, trim e bujar ai me stimulimin e Zonjës Makbeth i jep rrugë ambicies për pushtet dhe meqë këtë e bënë përmes gjakut, nuk lë mundësi për t’u kthyer në ate që ishte, ndërkaq Zonja Makbeth krejt në fund e kaplon pendesa për veprimet dhe ajo e dënon veten. Këta sikur janë të dënuar të mos takohen në ide tjera përveçse në pasionin e dashurisë dhe në krim.

Zonja Makbeth, Gresa Pallaska

Zonja Makbeth është motivuesja e paskurpullt e të shoqit. Këtë paskurpulltësi dhe vijat tjera të ndërtimit të karakterit me ecje, shikim, diksion, timbrin e zërit Gresa i kishte latuar me interpretim estetik duke e portretuar Zonjën e cila aq sa shtytëse e burrit aq e mbushur  dhembje nga mungesa e një fëmijë endet nëpër aortat ku përzihet gjaku i krimit me gjakun mbretëror.  Ajo si regjisore e ngjarjes krejt në fund e prek ndëshkimin për ato veprime që vetë i kishte stimuluar.  E vret veten duke u vetëdënuar për ate që kishte bërë me një kukullë në dorë si një “arsyetim” , klithje pse nuk u bë nënë!

Makbethi i Adrian Morinës

Ai kishte hyr thellë në laboratorin psikologjik të Makbethit. Ai vepron dyshueshëm por prapë krimin e kryen. Ai reziston duke u dorëzuar para shtytjes së zonjës Makbeth. Me zë figurë, koreografi të veprimeve fizike Adriani e ngre në personalitet personazhin e Makbethit duke e armatosor me të këqija që vërshojnë përtej karakterit. Ai me interpretim të angazhuar e jeton secilën skenë, secilën situatë, gjithëherë i vëmendshëm…edhe kur dështon teknika ai gjenë mënyrë si ta kryej veprimin deri në fund (siç i ndodhi në premierë).

Thyerjet e vrazhda brenda karakterit i bënë kryesisht me elokuencë edhe pse nganjëherë ke përshtypjen se luan me personazhin duke e plasifikuar deri në kukullë. Makbethi i Morinës është specifikisht i  tipizuar ashtu siç Adriani e ka lexuar dhe duket se i ka vënë nuanca që edhe kur dalin përtej natyrës së personazhit ate e bëjnë veprues në secilën situatë. Mbase drama e brendshme do të thellohej sikur në proces të kishte një ballafaqim më të theksuar midis Makbethit luftëtar dhe Makbethit vrasës.

Magdafi i Shkumbin Istrefit i mishëruar me drejtësi

Shkumbin Istrefi në vijat e karakterit të Magdafit, durimtar dhe i urtë, kishte instaluar edhe njëfarë qëndrimi sipëror të cilin e thyen vetëm vrasja e pamëshirshme e familjes së tij. Partitura e interpretimit të skenës së dhembjes pasi merr lajmin e kobshëm është një nga pjesët më shprehëse të interpretimit të tij edhe pse karakteri i Makdafit dukej pak i “thartuar” ndoshta vija e gjakut që ia përshkonte fytyrën e bënte të tillë.


Magjistricat e reja
Koreografia e veprimeve të tyre sado krijon ambient kur mistikja flet megjithatë ato nuk janë ato magjistricat që magjinë e nxjerrin nga përvoja e moshës dhe ambienti i kontaminuar. Ato si të reja sidomos kur ekspozohen në pasqyrat e mëdha me veprime deri në kufi eksplicit tipizojnë diçka tjetër.

Aktrimi i Semira Latifi, Flakë Latifit dhe Fionë Abdullahut kishte harmoni në nivel të detyrave skenike me zë, lëvizje dhe sidomos me pjesët e kënduara duke i dhënë shfaqjes një tingëllim që prekte thellësi. Të tri aktoret merituan duartrokitjet për angazhimin e përmbushur artistik.

Banko i Shkëlzen Veselit besnik dhe i vendosur karshi mikut Makbeth. Me tipare që lënë mbresë njerëzore, luajtur me konkretësi duke përçuar bindshëm mesazhin e frymës njerëzore e cila po zvetnohet edhe sot. Veprimet foljore dhe fizike e portretonin karakterin e Bankos si luftëtar, mik dhe familjar.

Zonja Magdaf apo përkufizimi i njerëzores në interpretim të Ilire Vincës

Antipod i znj. Makbeth ishte znj. Makdaf e cila me zërin e mekur jepte butësinë e gruas familjare, jashtë ngjarjeve të përgjakshme. Ajo shembëllente kujdesin për familje dhe se këtë rrezatim e interpreton me vërtetësi të besueshme Ilire Vinca e cila me lojën e saj e intimizon spektatorin me çështjen e familjes dhe prindërimit.

Rreshteri i Ismet Azemit

Paraqitja e rreshterit  është preambula e shfaqjes. Aktori Ismet Azemi e përmbush këtë detyrë duke e mishëruar temën dhe tragjikën që ajo përmban,  me zë e figurë ai shfletojë nuancat e trimërisë, sakrificës dhe besnikërisë duke e përmbajtësuar një  gjendje dramatike dhe  paralajmëruar një proces tragjik.

Donalbani i mençur dhe i urtë

Tristan Halilaj mbase është njëri nga aktorët që e përshkon gjithë ambientin e shfaqjes me karakteristikat e personazhit të Donalbanit;  i urtë, vrojtues dhe i sinqert  të cilat i ndërton pa sforcime dhe me një harmoni të veprimeve gjithnjë në funksion të detyrës skenike.

Faris Berisha gjithashtu kishte realizuar një personazh me përmbajtje komplekse si figurë dhe karakter që është çdo kund e nuk është me askënd.

Edhe interpretët tjerë Ermal Sadiku (Mallkillmi), Shpetim Kastrati,  Basri Lushtaku (ushtarë) deri te Yzeir Meha kishin realizuar karakteret të verifikuar përmes lojës nëpër situata dramatike.

Shfaqjes i jep intonim edhe muzika, skenografia, kostumet e sidomos instrumentimi i atypëratyshëm i Filarmonisë së Kosovës.

Krejt në fund
Unifikimi në sinergji i parashkimeve okulte që zgjojnë  ambicien  e  sëmurë për pushtet duke e shkretëruar shpirtin dhe psikologjia e mungesës (Çifti Makbeth nuk kanë fëmijë) “Makbethin” e bënë një nga tragjeditë më të spiktura të Shekspirit dhe se leximi nëpër kohë gjithëherë lidhet me pushtetin dhe rrugën deri në maja duke shkel nëpër trupat e vdekur edhe të miqve. Por Makbethi nuk është ai heroi tragjik i Aristotelit përkundrazi publiku e do dënimin e tij dhe e prek katarsisin si ndjenjë të hakmarrjes kur ai vritet, e jo sakrificës si negacion.

Andaj  regjisori duhej më shumë t’i kishte dhënë hapësirë furtunës së brendshme të asaj  që ndodhë brenda personazheve sesa të kap ehon e jashtme të ngjarjes, efektin e pasojës.  Sepse spektatori duhet ta ndrydhë butonin e katarsisit nga intimizimi me personazhin.

Gjithsesi shfaqja “Makbethi” është një sukses i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe të gjithë ptodukcionit.

Produkcioni

Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Skenograf: Valentin Sfetozarev
Kostumografe: Maca Papuçevska
Kompozitor: Trimor Dhomi
Orkestra: Filarmonia e Kosovës
Koreograf: Artan Ibërshimi
As. Regjisor: Erleta Regjepi
Video: Rehan Abdulovski
Operator i audios: Arben Aliu
Video operator: Bujar Bekteshi
Inspicente: Nazmije Krasniqi
Disejni i dritave: Mursel Bekteshi
Shfaqja është realizuar në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës.

ObserverKult


Lexo edhe:

AGRON GËRGURI: “MARTESA”, SHFAQJE QË PARAQET AKTUALITETIN NË TË CILIN JETOJMË DHE TRAUMAT QË I PËRJETUAM…