Makinat e Enver Hoxhës, kur s’kishim bukë për të ngrënë…

…Një Mercedes 600 tip limuzine ka qenë diamanti mbi kurorën e makinat me të cilat ka udhëtuar drejtuesi i lartë i shtetit komunist Shqiptar, Enver Hoxha.

Makinat e Enverit

Në historinë njerëzore të 100 viteve të fundit, një nga kureshtitë më të mëdha ka të bëjë dhe me markat e makinave me të cilat kanë udhëtuar krerët e shteteve. Sidomos e atyre drejtuesve të lartë, jeta e të cilëve ka qenë e mbuluar me më shumë mister se sa e yjeve të muzikës apo të kinemasë të cilët kanë qenë shumë më të hapur për median dhe publikun…

…Një Mercedes 600 tip limuzine ka qenë diamanti mbi kurorën e makinave me të cilat ka udhëtuar drejtuesi i lartë i shtetit komunist Shqiptar, Enver Hoxha.

Nga Leonard Veizi

Dëshmitë

Në ditët e sotme gjetja e një Pullman 600 që nuk është në pronësi të dikujt cilësohet si një gjë mjaft e vështirë. Duhet pasur parasysh nga ky tip i shtrenjtë e plot shkëlqim, i projektuar dhe montuar mes viteve 1963 dhe 1981, janë vetëm 2.677 ekzemplarë.

Megjithatë Enver Hoxha ka parapëlqyer që nëpër rrugët e kryeqytetit apo udhëtime të shkurtra të përdorte një Mercedes 300 SEL. Për të shkuar në zyrën në Komitetin Qendror, Enver Hoxha nuk përdorte makinë, por shkonte në këmbë. Ndërsa limuzina gjashtë dyershe lëvizte rrallë.

Ky dossier është mbështetur mbi tre dëshmi që cilat më janë dhënë gjatë intervistave në kohë: e Sulo Gradecit, ish-shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, Arif Bizhgës, një prej shoqëruesve të tij pas Luftës dhe Hamdi Sinës, ish-shofer i familjes Hoxha.

Rregulli

Nëse Enver Hoxha ulej në sedijen e pasme të makinës, nuk kishte me trimëri, por as frikën s’mund ta njihje, ndërsa pakujdesia më e vogël shënohej me “bojë të kuqe”. Drejtuesi i automjetit duhet të kryente detyrën me përpikëri, ndërsa oficeri shoqërues ndiqte të gjithë procesin me një vëmendje dyshuese deri në çastin e fundit.

Në bulevardet e kryeqytetit, por dhe në rrugët inter-urbane, Benzi 300 SEL me benzinë, një prodhim super i perëndimorëve gjermanë, nuk duhet t’i kalonte 60 kilometrat në orë. Vetëm kështu jeta e drejtuesit të shtetit ishte e siguruar në çdo rast. Gjithçka e përcaktuar nga ekspertët ishte firmosur nga vetë kryeministrit Mehmet Shehu.

Pas Luftës

Menjëherë pas Luftës, Enver Hoxha ka përdorur një Fiat “Millecento” e pas saj ka marrë një “Alfa Romeo”, të dyja prodhim italian. Por pas kësaj periudhe filloi futja e makinave të prodhimit lindor. Për delegacione të nivelit të lartë, si në rastet kur në Shqipëri erdhi Hrushovi, Sianuku e Çu En Lai, nxirrej ZIM-i sovjetik, i zbuluar.

Enveri kishte pasur një ZIM që në vitin 1950 dhuratë nga Stalini me targën 0331. Në 1954 e ndërroi po me një ZIM pasi rusët në atë kohë sollën makina të këtij lloji për gjithë udhëheqjen. Në vitet ‘60 për të erdhi dhe një makinë kineze “Flamuri i Kuq”. Ndërkohë Enver Hoxha përdorte dhe një “Gaz 69” për rrugë malore, 4×4 që ishte një prodhim sovjetik shumë e mirë.

Prodhimet perëndimore

Pas viteve ’70 në “Bllok” u rikthyen sërish makinat perëndimore. Në atë kohë u porositën dhe 8 Benza në Gjermani. 7 prej tyre ishin “280 SEL” që i morën anëtarët e Byrosë Politike. Makina e 8-të ishte “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer për Enver Hoxhën. Sipas njerëzve që i shërbyen nga afër udhëheqësit komunist “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer ishte elektronik, me sofieta që ngrihej kur kishte rrugë të këqija, me xham që pengonte komunikimin me shoferin e me sediljet e pasme që mblidheshin për të krijuar një hapësirë të madhe. Shpenzonte gjithsej 15-16 litra benzinë për 100 km.

Teknologjia Benz

“Mercedes 600” u krijua nga tradita e shkëlqyer e Mercedesit, për prodhimin e limuzinave luksoze të kalibrit më të lartë, me super fuqi teknologjike 600. Ishte një limuzinë e klasit botëror, e cila inkorporonte me sukses një miksim të teknologjisë, e një cilësie të patregueshme, me karakteristika të sofistikuara dhe me performancë befasuese. Kjo makinë solli befasi për tregun.

Bossat që mbanin Mercedes 600

Po të kërkosh në revistat e kohës, do të gjesh materiale që flasin për prodhimin e shtrenjtë Mercedes 600 dhe njerëzit që kishin mundësi të kishin në përdorim të tyre një prej ekzemplarëve të rrallë. Projektuar dhe ndërtuar bukur, modeli i limuzinës Mercedes 600 ishte shumë ekskluziv dhe astronomikisht i shtrenjtë.

Makina më e shtrenjtë në botë, në vitin 1965 shkonte më shumë se 22,000 dollarë. Ajo pati klientë të shquar, ku përfshiheshin diplomatë, industrialistë dhe yje të skenës e kinemasë. Personazhe të famshëm kanë pasur në pronësi Mercedes 600, përfshirë: Coco Chanel, Elvis Presley, Elizabeth Taylor, John Lennon, Aristotel Onassis, Jack Nicholson dhe Bob Jane.

Trendi i këtyre makinave u shndërrua në trendin e makinave të diplomatëve dhe personazheve politikë, shumë prej të cilëve, krerë komunistë. Kanë pasur në pronësi Mercedes 600 në vite: Hirohito, Idi Amin, Jomo Kenyatta, Nicolae Ceauşescu, Leonid Brezhnev, Enver Hoxha, Pol Pot, Fidel Castro, Josip Broz Tito, Saddam Hussein dhe Kim Il Sung.

Fundi i makinave të rralla

Për shumë vite, disa nga makinat e Enver Hoxhës kanë qenë në fondin e Kinostudios e cila i përdorte për të luajtur filmat e kohës.

Mercedes 600 i rrallë i Enver Hoxhës tanimë nuk është më në listën e Parkut të Delegacioneve ku ai pati shërbyer për vite më radhë, në të cilin kanë hipur shumë nga personalitetet e huaja që zbritën në tokën shqiptarë pas vitit 1990.

Mercedes 600 prodhim i viteve ‘70 është ndërruar me një tjetër Mercedes 600 serie, shumë më modern por me shumë më pak vlera./fjala

ObserverKult

Lexo edhe:

KISHA QË U RRËZUA NGA ENVER HOXHA DHE NË VEND TË SAJ U NDËRTUA NJË BUNKER