Malena, bukuria është fat- por edhe mallkim!

Kanë kaluar pothuaj 20 vjet nga premiera e filmit “Malena”, por, ai vazhdon tutje të jetë një nga filmat për të cilin debatohet e flitet shumë. Është ky filmi i regjisorit Giuseppe Tornatore i njohur më shumë si filmi që i dha famën Monica Belluccit, aktores që luan personazhin kryesor tek e cila sillet e tërë ngjarja. Në qendër është problematika edhe tash aktuale e shoqërisë: seksizmi.
Sot, “Malena” mbetet një klasik, pavarësisht kritikave që mori sapo doli, me pretendimin se “është një film që përpiqet të jetë diçka tjetër” (Roger Ebert).

“Unë ndihem shumë mirë me veten, por jo sepse jam e bukur”, do të thoshte aktorja Monica Bellucci në një intervistë për BBC-në, ku edhe shtoi: “Të ndihesh mirë me veten, nuk ka të bëjë me mënyrën si dukesh, por me mënyrën si ndihesh. Unë jam me fat, sepse më kanë dhuruar shumë dashuri.”

E megjithatë, vetë suksesi që pati filmi flet njëzëri me mesazhin që perceptojmë prej tij: Bukuria është fat, është edhe mallkim.
Shikuesit u dashuruan me “Malenën”: gruan e bukur, me trupin e saj prej statuje, si dhe me mënyrën si i bënte të gjithë të marroseshin pas saj.
A do të kishte qenë kaq i suksesshëm sikur bukuria e Malenës të ishte në plan të dytë?

Ndaj “Malena” nuk është thjesht një dramë individuale e personazhit, e gjendur rastësisht në vitet ’40, por një sarkazëm therëse me audiencën që ose e dashuron, ose e urren këtë film./ObserverKult