“Mali nuk duket”, tregim nga Sami Milloshi

Tregim nga Sami Milloshi

E mbajta mend gjithë çka më tha mbramë Fadili, nji shoku  im i fminisë. E po due me e nda me ju.

 Ia nisi fjalës Fadili:

– Qyteti ynë asht i bukur,na pat thanë profesor Faja kur isha student. I ka ndërtesat jo shumë të nalta,e shumta pesë a gjashtë kate. E ju në daçi me u ba arkitektë të zot, e kam nji lutje për ju, të dashtun studentë: mos i projektoni ndërtesat ma të nalta se pesë gjashtë kate. Pse?

Sepse na e kemi malin afër e, ba me ndërtu grataçiela si ban bota,nuk mundemi me e pa ma malin. Nuk mujmë me e pa si len Dielli…

Unë u bana arkitekt, siç e din ti, por më ranë halle shumë.

Bane hesap,unë për njizet vjet,nuk mujta me ra n’piacë të qytetit me e pi nji kafe. Punë shpi, shpi punë.Kurgja tjetër nuk mujta me shijue.

Në mjes m’ duhej me i shërbye grues qi ishte paralizue. Mandej në punë.

Masdite duhej me i shërbye babës qi e lanë sytë. E merrsha për krahu me e qit te nji kafe n’skaj të rrugës. Knaqej nja dy orë me do shokë të tij tue ba muhabet. Mandej e merrsha prap për krahu me e kthye n’ shpi. Kur mbrrijshim te porta e shpisë, baba nuk harronte asnjiherë me ma puthë dorën e me m’falenderue:

 -T’u shtoftë jeta,o bir!

Kur ndrroi jetë baba,t’pamen e bamë te nji shpi mortore qi ishte në piacë të qytetit. “Parajsa” ia kishin vu emnin asaj shpie mortore. Mue bash m’u ba qejfi,se ishim tue e percjellë babën për n’parajsë,çka baba e meritonte.

Ishte po ashtu edhe nji rast i mirë për mue me kqyr piacën,qi siç të thashë,nuk e kisha pa për njizet vjet për shkak të halleve qi m’kishin ra n’shpatulla t’mija.

 Çka me i pa piacës,mor burrë?! Nuk e njifsha ma. I kishin naltsue do grataçiela qi ma zunë frymën krejt. E m’u ba se, jo veç baba, po edhe unë bashkë me të isha t’u shkue at ditë,larg qoftë o Zot,në parajsë.

Baba m’ka pas  lutë qi kur të diste me ia kthye ftyrën kah mali i Dajtit. Ia thashë kët porosi të babës pronarit të shpisë mortore. E ai m’u gjegj: 

– Zotni, më vjen shumë keq,po nuk muj me ta plotësue dëshirën. Tash grataçielat nuk po na lanë me pa Diellin, e jo ma me pa Dajtin…

Atëhere mue m’u kujtue profesor Faja me lutjen e tij para nji gjys shekulli për mos me i fut grataçielat në qytet. Por,e pashë qi as profesorit nuk mujta me ia plotësue lutjen. E,bash si atij,nuk mujta me ia plotësue as lutjen e babës…

Tue u kthye prej ceremonisë mortore m’u ba se isha tue ecë nëpër rrënoja. Dikush na e bani qytetin nji rrënojë stërmadhe.

E unë, arkitekti qi nuk më pyti kush, për shkak të halleve të mija, e pashë vonë, shumë vonë, se qyteti ishte ba i gjithi si rrënojë.

Çova kryet me pa malin në vend të babës. Por mali nuk dukej kurrkund…

ObserverKult


Lexo edhe:

SAMI MILLOSHI: AKUAREL I RRUGËS

Poezi nga Sami Milloshi

E kisha me e ba
nji rrugë të gjatë,
dhe ishte vapë,
dhe ishte bezdi
me e ba me kambë.

Atëhere ia nisa
me përfytyrue
fytyrën tande,
qi s’e kam pa kurrë s’afërmi.

Ia fillova tue t’ledhatue flokët,
ballin,
U ndala tue pi ujë
në sytë e tu t’blertë
E si e shova etjen,
ia nisa me t’pëshpritë
do fjalë te veshi,
E ty të zuni gjumi
n’krahanorin tim…
M’u desh

Poezinë e tij mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult