Mallkimi i Titanikut ka goditur përsëri. Këtë herë jo në mes të Atlantikut verior, por në Muzeun e Titanikut në Tennessee.
Një mur akulli, që përfaqësonte ajsbergun që bëri që anija “e patundshme” të fundosej në 1912, u shemb të hënën në muzeun në Pigeon Forge.
“Muri ynë i ajsbergut u shemb dhe lëndoi tre mysafirë, të cilët u dërguan në spital. Në këtë kohë, ne nuk e dimë shkallën e dëmtimeve të tyre, por lutjet tona vazhdojnë të jenë me të gjithë ata që u prekën”, thanë pronarët e atraksionit Titanik në një mesazh të postuar në mediat sociale.
Muzeu u mbyll për një periudhë, por u rihap të martën në mëngjes, pa ajsberg.
“Muri i ajsbergut aktualisht nuk ekziston, dhe zona e prekur është bllokuar, për momentin. Ne parashikojmë se do të duhen të paktën katër javë që ajsbergu të rindërtohet”, thanë pronarët, Mary Kellogg Joslyn dhe John Joslyn.
Muri i akullit, 4.6 x 8.5 metra, përbëhej nga akulli i vërtetë që vizitorët mund të preknin. Për të qëndruar ashtu u përdor një sistem filtrimi i ujit.
Departamenti i policisë Pigeon Forge ka hetuar incidentin dhe tha në një deklaratë se shembja duket të jetë aksidentale. Muzeu po kryen hetimin e tij.