“Mami, mos shko në punë”, kënga seksiste që ngjalli zemërim në Kinë

Një këngë e performuar nga babë e bijë, e titulluar “Mami, mos shko në punë”, ka ngjallur zemërim dhe reagime në internet nga prindërit dhe feministët në Kinë.

Kënga, teksti i së cilës është shkruar nga një muzicient jo fort i njohur dhe komediani Yan Lifei, përmban edhe fjalitë:

“Mami, mos shko në punë,
përndryshe nuk kam me kë të luaj.
Mami, edhe nëse shkon në punë,
nuk do të fitosh shumë para…
kur të rritem,
asessi nuk do ta lejoj mamin të punojë më.”

Kënga e cila fillimisht u performua nga Yan dhe vajza e tij duke u shfaqur në transmetuesin shtetëror në fillim të këtij muaji, shkaktoi një valë reagimesh në rrjetet sociale në Kinë. Përdoruesit në internet reaguan për misogjininë që bartë teksti duke kritikuar CCTV se si e ka lejuar transmetimin.

“Atij duket sikur i ka munguar dashuria nga nëna e tij – ndoshta ajo e ka braktisur atë kohë më parë, përpara se urrejtja e tij për gratë të shfaqej në tekstet e tij”, ka shkruar një person. Kurse një tjetër, duke iu referuar fëmijës që këndon në këtë këngë, ka shkruar: “A je memece? Babai yt nuk fiton aq sa bën nëna jote.”
“E gërditshme”, kanë shkruar të tjerët.

 “Në shtëpinë time, nëna ime punon dy herë. Ajo shkon në punë dhe pasi kthehet, ajo kujdeset për punët e shtëpisë gjithashtu. Vetëm tani po e kuptoj se ajo është një feministe e vërtetë”, ka shkruar një përdorues.

Duke u mbrojtur ndaj kritikave, Yan ka thënë se e ka shkruar tekstin e këngës me shaka, kur vajza e tij ishte dy vjeçe dhe qante sa herë që nëna i shkonte në punë. Por ai nuk e tërhoqi mbrapa pikëpamjen për rrogën më të vogël të gruas së tij.

 “Në fakt, gruas sime i duhet të punojë shumë çdo ditë, por paga e saj nuk është aq e madhe. Kam dashur ta trajtoj edhe këtë temë. Nuk kisha për qëllim t’i lëndoj gratë. Kam respekt të madh për gratë dhe e kuptoj thellësisht se sa e madhe është dashuria e nënës”, ka shkruar ai në Weibo.

Përdoruesit më pas gjetën edhe këngë tjera “të diskutueshme” nga katalogu i Yan-it, në të cilat, ndër të tjerash edhe këngën “Unë kam një grua të mirë”, në të cilën ai këndon: “Gruaja ime, ti dëgjo çfarë të them unë. Do të të dua përgjithmonë.” Në një tjetër këngë, që është duet lidhur me martesën, ai këndon “E ardhmja jote tashmë është puna ime”, dhe gruaja që i përgjigjet “Do të të ndjek kudo që të shkosh.”

Ndërkaq, një këngë tjetër është titulluar “Gruaja që i sjellë fat burrit”, duke iu referuar një termi tradicional ‘wangfu’, që përdoret për të përshkruar nënshtrimin e grave.
The Guardian – Në shqip: ObserverKult