Aktorja Adivie Alibali është e njohur nga të gjithë si Mamica Kastrioti, pasi dekada më parë ka luajtur në filmin “Skënderbeu”, një produksion shqiptaro-rus i vitit 1953 nga regjisori i njohur rus Sergei Yutkeviç.
Ajo është kthyer pas në kohë dhe ka kujtuar gjithçka nga ky film në emisionin “Pas Mesnate”. Adivie ka thënë se iu bënë shumë intriga për rolin, por regjisori rus zgjodhi pikërisht atë.
Sakaq, aktorja tha i kanë sjellë dhe probleme me vizën, pasi këtë rol e donin dhe shumë aktorë të tjerë.
“Gjatë kësaj kohe, unë isha fejuar dhe isha e dashuruar marrëzisht. Ai mund dhe të më ndalonte dhe të më thoshte mos shko në film. Mua ma sabotuan vizën, mezi ma nxorrën, pasi të gjitha donin ta luanin Mamicën. Burrin tim e lajmërojnë një ditë prej dite dhe i thonë. Fotografinë time e morën në Moskë dhe e aprovuan nga Këshilli i Ministrisë, duke thënë që jemi dakord që kjo të bëjë Mamicën. Ndërsa, këto te ne bënin tjetër punë dhe thoshin nuk bën. Bënin politikën e tyre në art.
Unë e kam bërë filmin pa prova, vetëm kam mësuar skenarin dhe kam bërë prova me Yutkeviç. Në rast se unë kam dal me kaq sukses të madh në këtë film, është vetëm merita e Yutkeviç, i cili ishte në katërt regjisorët më të mëdhenj të Bashkimit Sovjetik.
Unë filmin nuk e kam parë për disa vite, pasi u ndjeva keq në atë kohë, se më shan aktorët.
Mbas disa vjetësh shkova në Amerikë dhe e kishte djali kopjen, e vura tre netë rresht pa njeri, vetëm. Një natë, dy netë dhe thash e paskam pasur gabim, pasi paskam qene mirë në film”, rrëfeu aktorja.
Ajo folur për kaluarën, nga 15 vitet e internimit, vështirësitë ekonomike deri te rritja e fëmijëve mes shumë sfidash.
“Donin kokën e burrit tim. Ai ishte një nga integritarët më të shquar të Shqipërisë dhe donin kokën e tij. Pati fatin e keq dhe i futën dy vëllezër në burg. Ndërsa, atë nuk e futën në burg, por e internuan bashkë me mua dhe të dy fëmijët, i vogli ishte pa moshë dhe shkoi në Tiranë dhe e rritën njerëzit e mi. Ka qene një varfëri në kulm në atë kohë. Ne jetonim vetëm me dy mijë lekë.
Ne kemi qëndruar 15 vjet në internim. Nuk tregoj shumë se janë poshtërsirat e atij pushteti të jashtëzakonshëm. Na liruan dhe u gëzuan njerëzit, ndan llokume. Mbas dy javësh, erdhën dhe na pezulluan lirimin tonë se gjoja nuk kemi falenderuar partinë.
Ne jetonim në varfëri, por ndërgjegjen e kishim”, u shpreh aktorja e madhe./abcnews.al
ObserverKult
Lexo edhe: