Manastiri i Gjon Vladimirit në Elbasan, lipsanet u kthyen me kërkesë të komunitetit

Manastiri i Gjon Vladimirit në perëndim të Elbasanit sipas një gojëdhëne është ngritur mbi themelet e kishës së “Trinisë së Shenjtë”, e cila u shemb nga tërmeti.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, solli në vëmendje kthimin e eshtrave të Shën Gjon Vladimirit në manastirin me të njëjtin emër.

“Me kërkesën e komunitetit të zonës, kthyem lipsanet e Shën Gjon Vladimirit. Në manastirin me të njëjtin emër të fshatit Shijon të Elbasanit”, – tha Margariti.

Lipsanet e shenjtorit Shën Joan Vladimiri kanë qenë pjesë e fondit muzeor në Muzeun Kombëtar. Dhe prej prillit të këtij vitit janë pjesë e manastirit të Elbasanit duke u kthyer këtë manastir në një atraksion më shumë për besimtarët dhe turistët.

I përket shekullit XVIII

Emri i Shën Gjon Vladimirit nuk është i njohur vetëm në zonën e Elbasanit. Por në të gjithë Shqipërinë e më i njohur Gjon Vladimiri ka qenë një mbret shumë i përshpirtshëm i Ilirisë. Dhe sundonte mbi një hapësirë të gjerë të rajonit të Ballkanit.

Ishte bamirës e ngriti shumë kisha e manastire. U vra në mënyrë të pabesë e që atëherë u adhurua si shenjtor. Dhe eshtrat e tij udhëtuan nëpër kisha e manastire e u nderua nga besimtarët.

Për nder të tij, në fshatin Shijon të Elbasanit u ngrit manastiri i Shën Gjon Vladimirit. Ky monument kulture i kategorisë së parë i përket shek. XVIII. Një objekt i ruajtur mjaft mirë dhe funksional, ku besimtarët ortodoksë kryejnë shërbesat fetare.

Karl Topia ndërtoi manastirin e Gjon Vladimirit mbi rrënojat e kësaj kishe

Në vitin 1381, Karl Topia ndërtoi manastirin e Gjon Vladimirit mbi rrënojat e kësaj kishe. Në një mbishkrim me përmasa 2.20×0.27 m, që gjendet i gdhendur në gurin e madh arkitra të portalit të derës jugore të kishës thuhet: Duhet ditur se ky tempull u shemb nga tërmeti deri në themel gjatë sundimit dhe në ditët kur zotëronte mbi të gjithë vendin e Albanit i ndrituri Karl Topia i parë, nip dhe prej gjaku i mbretit të Francës.

Ky e ndërtoi këtë tempull të gjithënderuar të Shën Gjon Vladimirit dhe e ngriti prej themeli deri në mbarim nga besimi dhe zemra e përvëluar.

Prej lindjes së Krishtit deri në ndërtimin e tempullit janë vjet 1380 dhe prej krijimit të botës janë vjet 6890. Dhe deri atëherë vjet 22 të zotërimit të tij, indikti 5, cikli i diellit 1, cikli i hënës 14. Dhe është ndërtuar tempulli që shkon katër herë më i madh se ka qenë më parë tempulli i vjetër.

Mbishkrimi ka pesë radhë dhe është shkruar me shkronja të mëdha, me shkurtime e sigla dhe me gabime drejtshkrimore e gramatikore./ATSH

LEXO EDHE: Restaurimi i Kishës së Manastirit të Rubikut, monument me vlera unikale