Manastiri i “Shën Kollit” në Mesopotam përbën një monument me historik dhe arkitekturë të veçantë, mbivendosje kulturash, arkitekturash dhe historish.
Kisha, më e madhja ndër kishat bizantine të ruajtura në Shqipëri në shek. XI-XIV dhe ndër monumentet arkitekturore me të vjetra, është restauruar duke nxjerrë në pah vlera të jashtëzakonshme historike.
“Falë një ndërhyrjeje restauruese kanë dalë në dritë të gjithë elementët arkitektonikë, detajet e imëta, që ia shtojnë edhe më tepër misterin. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për përforcimin e strukturës, riparimin e çatisë, ndërsa ka ende punë për t’u bërë për sistemimin e oborrit dhe zbulimin afreskeve, që koha dhe regjimet i kanë fshehur”, – thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Kisha e Shën Kollit ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Kjo Kishë mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku./atsh