Manifestim në “Burgun e idealit”/ Njeriu në burg i numëron të gjitha!

Gjatë mbrëmjes pati lexime skenike performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë.Data e këtij manifestimi, 2 prilli, përkoi edhe me përvjetorin e Demonstratave të vitit 1981

Mbrëmë në “Burgun e idealit”, në Prishtinë, u mbajt manifestimi i emruar „Njeriu në burg i numëron të gjitha“. Ky ishte  fillimi i nismës së re të aktiviteteve kulturore në përpjekje për ta funksionalizuar Muzeun “Burgu i Idealit” .

Shpalosja e një pjese të shkrimeve dhe materialeve tjera të trashëguara nga ish-të burgosurit politikë gjatë periudhës jugosllave në Kosovë e më gjerë është synimi i arkivimit, ruajtjes dhe i ekspozimit të tyre. Pastaj, motivi i numërimit si teknikë narrative – paraqitet në forma të ndryshme mbi përvojat e vështira dhe robërinë e të burgosurve të ndërgjegjës.

Qysh në rrëfimet e mbrëmshme të veprimtarëve Selatin Novosellës,  Shefik Sadriut, Shukrije Gashit,Kadri Kryeziut dhe të Martin Çunit, rrëfimet emocionale shpreheshin  herë si mënyrë e rezistencës, solidaritetit dhe vuajtjes, e herë si formë e simbolikës, mbijetesës dhe forcës për të mos harruar.

Këto rrëfime nënvizonin aspektet kyçe të këtij kapitulli historik, nëpër të cilin ka kaluar rrugëtimi i shtetformimit. Kjo hapje e mbrëmshme synonte që këto përjetime në hapësirën reale,  në lokalet e burgut, të bëheshin sa më të prekshme për vizitorët, si dhe të tërheqin vëmendjen sa më të madhe për muzeun.

Organizata “Molla e Kuqe”, në kuadër të projektit për rifunksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitet 2025 dhe 2026, ka planifikuar një seri aktivitetesh nga fusha të kulturës dhe artit, që trajtojnë temat e kujtesës, narrativave mbi të kaluarën dhe transformimeve që e kanë karakterizuar këtë periudhë.

Gjatë mbrëmjes pati lexime skenike performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë.

Data e këtij manifestimi, 2 prilli, përkoi edhe me përvjetorin e Demonstratave të vitit 1981. Një ngjarje kjo e kthesës në historinë e rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi.

Nga data 3 prill, “Burgu i Idealit” do të jetë i hapur për vizitorë gjatë orarit zyrtar: E Martë – Shtunë nga 10:00 – 14:00.

ObserverKult