Poezi nga Maram al-Masri
Kam frikë të vdes
para se ta shkruaj këtë poezi të mrekullueshme.
Kam frikë të vdes
para se të bëj paqe me trishtimet e mia.
Kam frikë të vdes
me të brendshme të pista.
Kam frikë të vdes
ndërkohë që në garderobën time kam plot dhurata të padhuruara.
Kam frikë të vdes
para se t’u jap dashurinë time atyre që i dua
Vëllezërve të mi
Fëmijëve të mi
Fëmijëve të fëmijëve të mi
Miqve të mi
dhe atij të dashuri që do më dashurojë vërtet.
Kam frikë të vdes
me një puthje në gojë.
Kam frikë të vdes
para se ta shoh botën në paqe.
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe:
MARAM AL-MASRI: JAM GRUA ME MILIONA BUZË PËR TA PUTHUR
Dua që bota ta dijë
se jam një grua
me një milionë krahë
të shtrirë për ta përqafuar.
Një grua me miliona sy
për ta parë.
Një grua me miliona buzë
për ta puthur.
Me miliona veshë
për ta dëgjuar.
Dua që bota ta dijë
se jam një grua që i përngjaj lehtësisë së ajrit
dhe peshës së malit.
Jam një grua e krijuar nga uji dhe poezia
e shkruar nga loti dhe buzëqeshja.
Dua që bota ta dijë
se jam bija e agut dhe e dritës
Jam një grua që i trembem territ
territ të zemrave dhe ndërgjegjes.
Dua ta dijë se çdo herë që
jam rrëzuar
jam ngritur
Se në çdo herë që kam vdekur
kam jetuar.
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult