
Nga Anjeza Bashi
Më 12 mars 1891, në Triesh të Malësisë së Madhe lindi Mirash Ivanaj, organizator dhe reformator i arsimit kombëtar.
Kreu gjimnazin e Pozharevacit (Serbi) dhe vazhdoi studimet për dhjetë vjet për letërsi-filozofi e për drejtësi në Universitetin Mbretëror të Romës.
Karriera e tij nisi në Shkodër si publicist e jurist, për të vijuar më pas në arsim, ku kulmi i kontributit të tij u shënua gjatë viteve 1933-1935 si ministër i Arsimit.
Më 11 janar 1933, Mirash Ivanaj u emërua Ministër i Arsimit në qeverinë e Mbretit Zog, duke marrë mbi vete një nga sfidat më të vështira të kohës: riformatimin e thellë të arsimit shqiptar.
Reforma që ai udhëhoqi kishte një vizion të qartë dhe të guximshëm: ndërtimin e një sistemi arsimor kombëtar, laik, shtetëror dhe modern, të pavarur nga ndikimet fetare, politike apo të huaja. Shkolla shqiptare duhej të ishte një hapësirë formimi për qytetarë të lirë, të arsimuar dhe të përgjegjshëm, në përputhje me standardet bashkëkohore europiane.
Në thelb, Reforma Ivanaj përfshiu:
– Unifikimin e arsimit, përmes shtetëzimit të shkollave private dhe të huaja;
– Ligjin e Ri të Arsimit (1934), i njohur si Ligji Ivanaj, që e bëri arsimin fillor 5-vjeçar të detyrueshëm dhe rriti standardet në arsimin e mesëm;
– Tekste të reja dhe institucione arsimore moderne, si bazë për një sistem të qëndrueshëm dhe cilësor.
Reforma synonte të krijonte një identitet arsimor shqiptar, të çliruar nga varësitë e jashtme dhe nga kontrolli fetar apo politik i huaj.
Për shkak të këtij guximi, ajo hasi kundërshti të forta, si brenda vendit ashtu edhe nga jashtë. Në vitin 1935, përballë pengesave financiare dhe politike, Mirash Ivanaj dha dorëheqjen, pa mundur ta çonte vizionin e tij deri në fund.
Megjithatë, reforma mbeti një pikë kthese historike, që edhe sot shihet si një nga përpjekjet më serioze për ta ndërtuar arsimin shqiptar mbi parime dinjiteti, dije dhe lirie.
Ishte anëtar e kryetar i Këshillit të Shtetit (1936-1939). U detyrua të emigronte në Turqi për shkak të pushtimit të vendit. Në shtator të vitit 1945 u kthye në atdhe. Formimi intelektual perëndimor dhe karriera e tij gjatë periudhës së mbretërisë ishin të papajtueshme me ideologjinë dhe kontrollin absolut të diktaturës së re. Më 15 maj 1947 u arrestua dhe u burgos. U nda nga jeta në burgjet e regjimit komunist më 22 shtator 1953.
Sot, trashëgimia e tij vlerësohet me titullin “Nderi i Kombit”, si një dëshmi e integritetit profesional dhe përkushtimit ndaj modernizimit të shoqërisë shqiptare.
ObserverKult
Lexo edhe:
Malësia e Madhe “Nderi i Kombit” dhe bijtë e saj në rrjedhë të shekujve






