Marco Aurelio (26 prill 121 – 17 mars 180), perandori dhe filozofi romak, kishte prejardhjen nga një familje senatorësh spanjollë. U adoptua nga xhaxhai i tij që më pas do të bëhej perandori Antonio Pio (Antonius Pius), me urdhër të perandorit Adrian.
Që në moshën 8-vjeçare u pranua nga Këshilli Klerikal i Romës.
Në politikë ai ndoqi Adrianon dhe Antonino Pio; në retorikë u edukua nga Cornelio Frontone dhe nga stoikët mësoi “të mos mrekullohet nga asgjë, të mos ketë frikë nga asgjë e të mos ketë ngut kurrë”.
Ja, i pajisur me një formim të tillë, në një tendë të largët, përtej Danubit, në intervale pushimesh “nën një qiell të plumbtë a me shi”, besohet që Marco Aurelio të ketë shkruar “Meditimet” e tij të famshme.
Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga këto “Meditime”:
Gjithçka për të cilën ti lutesh që të arrish nëpërmjet një rruge të gjatë, mund ta kesh që tani, nëse nuk vendos që të heqësh dorë prej saj.
Domethënë: nëse e lë mënjanë të shkuarën, nëse ia beson të ardhmen provanisë. Dhe merresh vetëm me të tashmen, me sytë drejt përkushtimit dhe drejtësisë.
Drejt përkushtimit, për të dashur atë që të kanë caktuar. Sepse natyra e ka caktuar atë për ty dhe ty për atë.
Drejt drejtësisë, për të thënë të vërtetën lirshëm dhe pa perifraza e për të vepruar në përputhje me ligjin dhe vlerat e veçanta për të cilat po flasim; mos u ndal nga ligësia. Nga opinioni, nga zëri i të tjerëve e as nga ndjesitë e trupit tënd. Do të jetë pjesa e cila është e prirur të pësojë diçka që do ta bëjë të vuajë.
Tani, kurdo që të largohesh nga jeta, nëse, pasi ke braktisur gjithçka do të nderosh vetëm parimin tënd drejtues. Dhe hyjninë që ndodhet brenda teje. Nëse do të kesh frikë jo se do të jesh ti ai që do të vdesësh i fundit. Po se nuk ke filluar kurrë të jetosh në përputhje me natyrën.
Atëherë do të jesh një njeri i denjë për botën që të ka krijuar dhe nuk do të jesh më i huaj në vendin tënd dhe nuk do të habitesh për ngjarjet e përditshme sikur të ishin ndodhi të papritura e nuk do të qëndrosh i varur as te kjo e as tek ajo.
*Shkëputur nga libri i Marco Aurelio: “Meditimet”
Përktheu: Alda Mukli
Përgatiti: A.S.- ObserverKult
Lexo edhe: