Marena Angjele, piktore shqiptare e portreteve dhe skenave urbane në Angli, tregon për angazhimin e saj profesional, punimet artistike, çeljen e ekspozitave dhe bashkëpunime me artistë të tjerë shqiptarë.
Së fundmi Marena sapo ka përfunduar portretin e një personazhi të njohur të ekraneve televizive italiane, Giulia Salemi. Profesionin ajo e ka të trashëguar nga i ati, i cili gjithashtu ka qenë piktor.
Ajo ka punuar për 3 vite në bashkëpunim me disa galeri arti në Greqi. Dy vitet e fundit ajo po punon në Angli, në Stockport të Manchester.
Pikturat e saj mund të gjenden në Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Greqi, Rumani, Danimarkë, Belgjikë etj.
Ajo shprehet se gjatë eksperiencës së saj 20-vjeçare si piktore ka bërë vetëm 1 ekspozitë personale, por ka pasur shumë bashkëpunime me artistë të tjerë.
“Me aq sa kam mundur kam marrë pjesë në jetën kulturore, edhe pse kam pasur fëmijët e vegjël dhe për një nënë është e vështirë. Rrugëtimin tim fillimisht e kam nisur si mësuese vullnetare arti. Këtu në Angli jetoj prej dy vitesh. Fillimisht kam ardhur për të ndjekur një ekspozitë në qytetin ku jetoj, Stockport. Më pas kam marrë pjesë në një ekspozitë tjetër në shkollën e vajzës time. Për të punuar si mësuese arti këtu nuk e kam kualifikimin e duhur por jam duke studiuar. Këtë vit diplomohem për ‘Gjuhë dhe Matematikë’ dhe këto janë si një urë për studime të mëtejshme”, shprehet Marena.
Si për çdo shqiptar në vend të huaj edhe për të ka qenë e vështirë integrimi në rrugën e artit.
“Bota të mbyt me art dhe ka artistë që bëjnë nga gjërat më të pabesueshme, dhe sigurt që nuk mjafton vetëm talenti dhe dëshira por duhet edhe një menaxhim i mirë”, përfundon ajo. /atsh