Margarita Xhepa, artistja që bëri epokë

Nga Kastriot Kotoni

Arti shqiptar i kultivuar e ka jetën e tij shumë të shkurtër dhe ai ka ecur nëpër shtigje të pashkelura, jo vetëm për shkaqet historike, por edhe mentale. Në këtë dorëzim të fatit të tij, arti pa femrën shqiptare ishte i cunguar përpara viteve 1930. Historia e përfshirjes së femrës shqiptare në art fillon me artin muzikor, ku mund të përmendim Tefta Tashko Koçon, Lola Gjokën, Jorgjie Trujën. Arti skenik dhe dramaturgjik megjithë që kishte kohë që lëvrohej, rolet e femrave i luanin burrat. Artisti shqiptar erdhi nga një lëvizje e gjerë amatore si nevojë shpirtërore e popullit shqiptar edhe pas vitit 1944. U NGRITËN INSTITUCIONET E PARA ARTISTIKE NË MËNYRË INSTITUCIONALE.

U krijua “Teatri Popullor” me një frymë të re emancipuese ku në sajë të një konkurence u evidentuan artistet e ardhshme që i vunë themelet gjinisë së teatrit dhe filmit në Shqipëri. E tillë ishte edhe vajza nga qyteti i Lushnjës Margarita Xhepa e cila luajti në krah të artisteve Violeta Manushi, Marie Logoreci, Drita Pelingu, Antoneta Papavli, Besa Imami, Liza Vorfi, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, etj…artistët si Loro Kovaçi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Prokop Mima, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Lazër Filipi, Kujtim Spahivogli, Robert Ndrenika, Agim Qiriaqi, Andon Çezari, Fatos Haxhiraj, etj…i kanë dhënë jetën e tyre artit shqiptar. Këta artistë nuk e gjetën shtruar rrugën e tyre drejt artit, as tapet të kuq nuk kishin parë, por vunë talentin, dijet dhe vullnetin e tyre në shërbim të përmbushjes shpirtërore të spektatorit shqiptarë që aq shumë i çmonte.

Ata artistë ishin prindër, nëna dhe anvisa, baballarë që duhej të kryenin edhe shërbimet familjare, jo si artistët në botën perëndimore. Duhej të dilnin në skenë edhe kur kishin mort në shtëpitë e tyre ose të të afërmëve. Punë dhe sakrifica të panumërta.

Margarita Xhepa e pohonte vetë: jam një grua, si të gjitha gratë shqiptare, me problemet e mbingarkesat që të afron jeta e përditshme. Pasi gruaja jonë është e ngarkuar, e lodhur, që harron veten e saj. Sepse gruaja shqiptare është gruaja e sakrificës, padyshim është më e lodhura, më e vuajtura në familje dhe në shoqëri. Si nënë jam e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim. Por tashti jam e kënaqur, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotët e vetes dhe për shoqërinë, unë lumturohem, sepse nuk më shkoi mundi dhe sakrifica dëm. Dhe kjo është dhurata më e madhe që i bëhet nënës, kur i sheh fëmijët e saj të rritur, të edukuar, të zotë në profesionet e tyre duke qenë vetvetja. Si artiste në skenë kam qenë e mbingarkuar duke luajtur në teatër, si në komedi, tragjedi, drama, në kinematografi nëpër filma dhe jam ndjerë e respektuar nga artëdashësit shqiptar. Unë kam rilindur nga duatrokitjet e ngrohta të spektatorit shqiptar. U rrita me besimin e regjizorëve tanë të talentuar të cilët më besonin role të cilët më rrisnin përgjegjësinë dhe përkushtimin, më nxitën dashurinë për profesionin tim si aktore.

Pasi arti si profesion ka kënaqësinë që të ngjit në majë, dhe lum kush punon për të ngjitur këto maja. Ndër të tjera Margarit Xhepa në shumë biseda dhe intervista në media të ndryshme insiston në trajtimin që u bëhet artistëve nga shteti. Më tej ajo me shqetësimin intelektual, diku është shprehur: Artistët tanë në Shqipëri janë nga kontigjenti më i persekutuar nga vetë shteti shqiptar, me rroga skandaloze dhe pensione qesharake që s’na dalin as për kafetë që pijmë në pushim të provave. Dhe kjo është varfëria profesionale e një shteti të pakonsoliduar kurrë, që nuk mendon, jo vetëm për artistët, por edhe në shumë fusha të tjera shumë të rëndësishme, si shëndetësia, arsimi, duke krijuar kështu mundësinë e korrupsionit të llahtarshëm. Ka artistë që nuk kanë një shtëpi ku të fusin kokën, kurse politikanët kanë nga dy tre vila. Është e dhimshme.  Megjithëse ne artistët mbijetojmë në xhunglat e padrejtësive, të nëpërkëmbjes së shtetit të djeshëm dhe të sotëm, që na diskretiton me ndarje dhe fshirje personalitetesh, ne kemi punuar me pasion dhe kemi fisnikëruar shpirtin e shoqërisë shqiptare.

Gjithë jetën e shkrinë, rininë e tyre me vetmohim e sakrificë për të bërë art të vërtetë. Kurrë nuk e trajtoj artin e interpretimit si biznes. I kam rënë Shqipërisë pashë më pashë, realiteti shqiptar përjeton në çdo kohë tragjedi të tilla, siç kanë shkruar Naimi, Mjeda , Fishta, e Migjeni. Më dhemb shpirti për popullin tim që është i destinuar të vuaj përgjithnjë mungesën e një shteti të fuqishëm ligjor, që të jetë në shërbim të qytetarëve të tij. Shpesh më ftojnë në promovime librash poet e krijues të ndryshëm. Jam munduar që artit t’i jap shpirt, nga shpirti im.

Margarita Xhepa studioi në Liceun Artistik dega dramë Aleksandër Moisiu në Tiranë. Margarit Xhepa luajti për herë të parë në Teatrin Popullor të Tiranës në vitin 1951 më rolin e shërbyeses, në një dramë ruse “Makar Dubrov”. Më pas vazhdoi me dramën “Zëri i Amerikës”. Në vitin 1952-1957 (aktore Estradën e profesioniste të Tiranës). “Majlinda” Teatrin Popullor, “Në anën tjetër”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, Trgjedia “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Rikardi i tretë”, “Dhelpra dhe rrushtë”, “Romeo e Zhuljeta” Shekspir, “Helenën” nga Çehov, “Cuca e Maleve”, “Lumi i vdekur”, “Kush e solli Doruntinën”, “Përballë vetes”, “Xhaxha Vanja”, “Vizita e inspektorit”, “Marçela”; “Arturo Ui” “Streha e të harruarve” etj… Në kinematografi ajo fillon me filmin “Vitet e para” në vitin 1964, Tokë e Përgjakur, “Dimi i fundit”, “Koncert në vitin 1936”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Apasionata”, “Dollia e dasmës sime”; “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Militanti”, “Misioni përtej Detit”, “Gabimi im”, “Ne dhe Lenini”, “Mirupafshim” me regjizorin grek Jorgo Koras, etj… filmi i fundit i saj i cili mori pjesë në festivalin ndërkombëtar Dea ishte “Vdekja le të presë”.Një sukses tjetër i saj ishte pjesëmarrja në Teatrin e Athinës me “Elektra të Sofokliut në rolin e Dados, me regjizorin e mirnjohur grek , Dhimitër Mavriqo. Ajo kishte titujt Artiste e popullit, Mjeshtre e madhe, Nderi i Kombit tituli Gjergj Kastrioti dhe ishte fituese e “Actor of Europë 2021”, për interpretimin e rolit të Mëmës tek shfaqja “Kush e solli Doruntinën”. Ajo bashkëpunoi me regjizorët më të mëdhenj shqiptarë, Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti, Sajmir Kumbaro, Esat Mysliu në 40 filma dhe Sokrat Miho, Kujtim Spahivogli, Pirro Mani Mihallaq Luarasi etj…në 150 role në teatër . U nda nga jeta në moshën 91 vjeçare një ditë pas festimit të ditëlindjes së saj më 2 prill të 1934-tës.

Margarita Xhepa dhe kolegët e saj të cilët nuk janë më në këtë botë, të cilëve u ndritë shpirti bënë epokë me artin e tyre. Në kujtesën e spektatorit shqiptar ata kanë lënë gjurmë të thella të pashlyeshme, kanë edukuar breza me ndjenjën e së bukurës dhe kanë fiksuar me artin e tyre historinë e jetës shpirtërore shqiptare.

ObserverKult


Lexo edhe:

NË KUJTIM TË MIKES DHE POETESHËS PA NJË TË DYTË SE VETVETJA, LINDITA AHMETIT