Gjatë vitit 2018 rreth 1 milion vizitorë vizituan 29 site të trashëgimisë kulturore në vendin tonë krahasuar me 670 mijë që kanë qenë në 2017.
Kështu deklaroi sot në Kuvend, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ku po diskutohet për projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik për vitin 2018”.
“Kultura mund të kthehet në një motor zhvillimi shoqëror dhe ekonomik. Per herë të parë qeveria Rama në 30 vite tranzicion i ka dhënë kulturës pozicionin që i takon, duke treguar se çështjet e kulturës janë në fokus të qeverisë dhe jo çështje të dorës së dytë.
Ministrja tha se “në 2013 ministrisë iu desh të ristrukturohej në vetvete dhe të merrte shumë punë të lëna pas dore, një sukses ishte edhe miratimi i ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, i miratuar vjet në parlament me një rëndësi të veçantë për menaxhimin e pasurisë sonë kulturore për ta kthyer në fokusin e një motori zhvillimi ekonomik dhe shoqëror”.
“Kultura është pasaporta jonë më mirë në Europë dhe kjo është e vërtetë. Ministria e Kulturës menaxhon 2228 monumente kulture në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat ftojnë në vendin tonë qindra e mijëra vizitorë shqiptarë e të huaj”,- tha Margariti.
Sipas saj, këto shifra na vendosin para përgjegjësisë për të përmirësuar shërbimet që marrin këta vizitorë në këto site.
“Gjatë 2018 u vendosën sistemet e biletarisë elektronike në 7 site dhe filloi puna për tre të tjerë që u realizuan në 2019. Gjithashtu filloi puna me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në 2018 për krijimin e një platforme dixhitale në internet “Culture Tickets Albania” ku tashmë që nga ky muaj, me krenari them, që ofrohet shërbimi biletarisë online në të 10 sitet e muzetë”-, nënvizoi Maragariti.
Ministrja e Kulturës theksoi se “janë 2228 monumente kulture që ne ti duhet ti ruajmë, të luftojmë me kohën, por edhe duhet ti bëjmë të aksesueshme dhe atraktive me fonde të limituara . Me këto fonde të limituara janë bërë punë të mëdha. Me një shifër 228 milionë lekë janë mbuluar të gjitha shërbimet e domosdoshme dhe prioritare, ruajtja, siguria, institucionet e artit, e trashëgimisë, shpenzimet e mirëmbajtjes, përballimi i lëvizjes së objekteve, të gjitha të realizuara në masën 100% “.
“Buxheti i Ministrisë së Kulturës ka pasur një rritje nga viti në vit. Në krahasim em 2017 ka njohur një rritje prej 16% , megjithatë nevojat janë edhe më të mëdha. Për 2018 buxheti i ministrisë ka qenë 2.3 miliardë lekë , ndërsa në 2017 ka qenë 1.95”. /atsh