Edhe në Itali ka patur konflikte që mund të jenë të përditshme në aspektin e administrimit kolektiv të një pallati që mund të jetë pjesë e një qendre historike, por në fund e gjithë çështja shkon duke parë cila është e mira më e madhe publike”, tha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke komentuar debatin për Teatrin Kombëtar.
Në lidhje me dijeninë për shembjen, Margariti tha se “nuk futem në teknikalitetet e operacionit për sa nuk kam rol në atë operacion. Ashtu si bashkia nuk ka dijeni kur unë mbledh një Këshill Kombëtar në të cilin bashkia nuk merr pjesë, edhe unë nuk futem në teknikalitetet e bashkisë”, u shpreh ajo.
“Varësia e Ministrisë së Kulturës e truallit dhe e hapësirës ka përfunduar, jo në letra por realisht praktikisht shumë kohë më parë kur këto hapësira u transferuan tek ArTurbina. Dhe verën e vitit që shkoi me zhvendosjen e teatrit eksperimental tek ArTurbina, për mua aty ndërpriteshin të gjitha marrëdhëniet me atë godinë”, tha Margariti.
Duke iu kthyer përvojës së saj nga studimet në Itali, Margariti tha sa edhe në Itali ka patur konflikte të tilla. Por, tha ajo, flasim për godina që kanë një vlerë me identitetin kulturor që lidhen me periudha shumë të vjetra dhe të cilat kanë ndërtuar në rrënjë identitetin e atij vendi. “Konfliktet vazhdojnë, atje mund të jenë të përditshme në aspektin e administrimit kolektiv të një pallati që mund të jetë pjesë e një qendre historike, por në fund e gjithë çështja shkon duke parë cila është e mira më e madhe publike. Unë nga ana teknike si arkitekte, kam një qasje drejt restaurimit. Restaurimi të cilin e kemi mësuar në shkollën fiorentine se është totalisht konservativ dhe ky restaurim lidhet me çdo element që duhet të lidhet me gjenezën e tij, kështu që fillojmë dhe e ndajmë. Do të krijonte një debat të gjatë teknik çfarë do të thotë restaurim i asaj godine. Nuk është njësoj si restaurimi i Bylisit, Butrintit apo Amfiteatrit të Durrësit”, u shpreh ajo.
Në lidhje me apelin e “Europa Nostra” për teatrin, Margariti tha se “Europa Nostra” si shumë organizat të tjera mund të shprehë të gjithë pikëvështrimet e veta teknike përsa i përket restaurimit. “Nëse Europa Nostra shikon një vlerë, do hante debat të gjerë që këtë vlerë si mund ta kodifikonim në një vizion të një qyteti të ardhshëm. Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me ta, është përcjellë e gjitha nga mediet dhe shumë nga pikëvështrimet e tyre mund të jenë përcjellë jo korrekt”, tha Margariti. /atsh