Marigoja e flamurit
Më 23 gusht 1932 vdiq Marigo Posio, një nga gratë më të shquara shqiptare, një aktiviste e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Lëvizjes për Pavarësisë, si dhe konsolidimin e statusit social të grave shqiptare.
Ajo kryesisht kujtohet për qëndisjen e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali gjatë Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
E lindur më 2 shkurt 1882, ajo ishte e bija e priftit Kosta Poçi dhe Lenka Ballaurit nga Voskopoja. Marigoja u martua me Jovan Pozion nga Devolli, të cilët më vonë u vendosën në Vlorë.
Versionet për qëndisjen e flamurit që u ngrit në Vlorë nga Ismali Qemali janë të shumta, por një një gjë është e sigurtë, Marigoja është figura historike që lidhet ngushtë me ditën e shënuar të shqiptarëve.
Është thënë se Marigoja e qëndisi flamurin brenda natës, e ndihmuar nga dy vajzat e saj, ndërsa një tjetër version tregon se flamuri ishte pjesë e pajës së saj, i punuar sipas modelit të klerikut katolik, Dom Mark Vasa.
Ajo e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti.
Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm.
Të gjitha dritaret në atë kohë valëvitën flamurin e qëndisur nga vajza, emri i së cilës është shkruar me shkronja të mëdha në histori.
Marigoja nuk u njoh vetëm për faktin që qëndisi flamurin e shqiptarëve, por atdhetarja filloi edhe veprimtarinë politike. Ishte anëtare e klubit “Labëria” dhe aktiviste që kontriboi edhe në organizimin e orkestrës së klubit.
Më 1914 organizoi shoqërinë e parë të grave në qytetin e Vlorës, të cilën e riorganizoi më 1921 nën emrin “Shpresa Kombëtare”, duke nxjerrë dhe drejtuar gazetën me të njëjtën emër.
Dekorata e parë e Marigosë ishte në vitin 1960, me urdhrin e klasit të dytë, duke vënë në pah traditat e lavdishme të gruas shqiptare.
Vajza që qëndisi flamurin ia dedikoi jetën Shqipërisë, historisë, shkrimeve, shoqërisë, të drejtave, poezisë.
Fati i saj i trishtë në vitet e fundit të jetës lidhet me tuberkulozin, sëmundjen që i mori familjen e më pas jetën. Më 23 gusht të vitit 1932 u shua ajo që ndër vite kujtohet si “Marigoja e flamurit”. Prehet në varrezën e Manastirit të Zvërnecit, ndërkohë që shtëpia e saj në lagjen “Muradie” në Vlorë u kthye në muze në 100-vjetorin e Pavarësisë, për të mirëpritur vizitorët shqiptarë dhe jo vetëm.
ObserverKult
Lexo edhe:
Puthja pasionante e Gustav Klimt, një grishje tunduese epshi
E gjithmonshmja dashni, poezi nga Donika Dabishevci, lexon Engjëllushe Alla (VIDEO)