Mario Vargas Llosa: Prej atij çasti unë nuk mendova më asgjë…

Mario Vargas Llosa

Atë ditë, si çdo ditë tjetër në këto tri javët tona në Nju Jork, u ngrita në pesë të mëngjesit dhe, duke u përpjekur të mos zgjoj Patrician, shkova në sallon për të lexuar. Nata ende nuk ishte hapur dhe dritat e qiellgërvishtësve përreth dukeshin si të shqetësuara nga një tufë gjigande xixëllonjash që po pushtonin qytetin.

Pak a shumë, brenda një ore do të fillonte të agonte dhe, nëse qielli do të ishte i qëruar, dritat e para mëngjesi do t’i hidhte mbi lumin Hudson dhe Central Parkun plot pemë, të cilat vjeshta kishte filluar t’i lante në ar.

Një pamje e bukur që dritaret e apartamentit ma dhurojnë çdo mëngjes (banojmë në katin dyzet e gjashtë).


E kisha planifikuar ditën me saktësi. Do të punoja nja dy orë për të përgatitur mësimin që do të jepja të hënën në Princeton, ku do të ilustroja temën me shembuj të marrë nga «Mbretëria e kësaj bote» e Aleho Karpentierit (Alejo Carpentier), gjysmë ore do të bëja ushtrime për shpinën, një orë do të shëtisja në Central Park, pastaj gazetat, mëngjesi, dushi dhe Public Library e Nju Jorkut, ku do të shkruaja «Guri i Provës» për El Pais mbi vetëvrasjen e Teilor Klementit, një studenti të ri në Universitetin e Rutgers, i cili u hodh nga ura Xhorxh Uashington, sepse dy shokë homofobë e kishin denoncuar si gay, duke shpërndarë në internet një video ku ai po puthej me një burrë.


Aty për aty, u përthitha nga magjia e «Mbretërisë së kësaj bote» dhe nga shpërfytyrimi mitik që proza e Karpentierit bën për përpjekjet e para të pavarësisë së Haitit.

Tregimtari i gjithëdijshëm i historisë është një erudit dinak i fshehtë, libresk, barok dhe qëmtues që rrëfen deri në thellësi për ndjeshmërinë e skllavit Ti Noel, i cili beson tek Loat e Mëdhenj vudú, dhe që magjitë e kultit, si Mackandal, kanë dhuntinë e likantropisë, domethënë, mund të të shndërrojnë, me dëshirë, në kafshë.

Pothuaj kishte njëzet vjet që nuk e kisha rilexuar dhe forca bindëse e saj vazhdonte të ishte e parezistuesh
Befas ndjeva prezencën e Patricias në sallon.

Po më afrohej me telefonin në dorë dhe me një shprehje të fytyrës, që më trembi. «Ndonjë tragjedi familjare», mendova.

Kapa receptorin dhe brenda disa fishkëllimash, jehonash e gërvimash, si të vinin nga funddheu, dëgjova një zë të më fliste në anglisht.

Në çastin që munda të dalloj fjalët «Akademia Suedeze» linja u ndërpre. Mbetëm të heshtur, duke parë njeri-tjetrin, pa mundur të shkëmbejmë asnjë fjalë, deri sa telefoni filloi të bjerë përsëri.

Kësaj here zëri arriti i qartë. Zotëria nga ana tjetër e linjës tha se ishte sekretari i Akademisë Suedeze, se më ishte akorduar Nobeli letrar dhe se lajmi do të bëhej publik pas katërmbëdhjetë minutash.

Do të mundja ta dëgjoja në televizion, në radio dhe në internet.
Duhet të njoftojmë Alvaron, Gonzalon dhe Morganën, – tha Patricia.
Më mirë të presim sa lajmi të bëhet zyrtar, – i thashë.


Dhe i kujtova se, disa vite të shkuara, në Romë, na kishin treguar shakanë e rëndë që disa miq (më mirë armiq) kishin bërë me Alberto Moravian, duke u hequr si funksionarë të Akademisë Suedeze dhe e kishin përgëzuar për çmimin e madh.


Në qoftë se është e vërtetë, do të përmbysim shtëpinë, – pranoi Patricia. – Më mirë, ndërkohë, shko bëj një dush.


Por, në vend të shkoja për dush, mbeta në sallon duke kundruar, përmes qiellgërvishtësve, zbardhëllimet e para të mëngjesit njujorkez.

Nëpër mend më erdhi shtëpia e rrugës Ladislao Kabrera, në Koçobamba, ku kalova fëmijërinë time, mu kujtua libri i Nerudës «Njëzet poema dashurie dhe një këngë dëshpërimi», që ime më ma kishte ndaluar ta lexoja dhe që për këtë e kishte fshehur në komodinën e saj.

Ishte libri im parë i ndaluar që kam lexuar. Mendova ata që do t’i gëzonte ky lajm, po të ishte i vërtetë.

M’u kujtua im gjysh Pedro, me hundën e madhe dhe me tullën që i shkëlqente, i cili shkruante vargje gazmore dhe sqaronte familjen «Për poetin të ngrënët është prozë», kur unë nuk doja të haja ushqim.

Kujtova tim ungj Luçon, në shtëpinë e të cilit, në Piura, e kalova vitin e fundit të kolegjit, atë vit të lumtur, duke shkruar artikuj, tregimthe dhe poema që i botoja, herë pas here, tek «Industria».

Ai me këmbëngulje më nxiste të mos hiqja dorë për t’u bërë shkrimtar dhe, gati sikur fliste me vete, më siguronte se kush nuk ndjek prirjen e vet, tradhton vetveten dhe është i dënuar të jetë fatkeq.

Kujtova atë vit të shfaqjes së parë të veprës time teatrale «Ikja e inkëve», në Teatrin Varietete të Piuras, kur miku im Javier Silva, me një borie dhe me zë të lartë, e publikonte që nga çatia e një kamioni.

Kujtova Ruth Rohasin e bukur, Vestalen robinjë tek vepra ime, të cilën e dashuroja në fshehtësi.


Është një marrëzi të mendosh se kjo mund të jetë një shaka, – tha Patricia. – Së pari duhet të marrim në telefon fëmijët, Alvaron, Gonzalon dhe Morganën.


I morëm në telefon: Alvaron në Uashington, Gonzalon në Santo Domingo dhe Morganën në Lima. Mungonin ende shtatë minuta nga ora e shënuar.

Dhe m’u kujtuan miqtë e adoleshencës Luço Loajaza e Abelardo Okendo dhe revista «Literatura», nga e cila mezi nxorëm tre numra.

M’u kujtua manifesti ynë kundër dënimit me vdekje, homazhi për Cesar Moron, diskutimet tona të ashpra nëse Borhesi ishte më i madh se Sartri apo e kundërta. Unë isha për të dytin, ndërsa ata për të parin, dhe, sigurisht, ata kishin të drejtë. Pikërisht atëherë ata më vunë nofkën “Sartre i vogël guximtar”, që mua më pëlqente.

Kujtova konkurrimin që bëra në «Revue Francaise» të vitit 1957, me tregimin «Sfida», fitorja e të cilit më siguroi një udhëtim në Paris, ku kalova një muaj në lumturi të plotë, duke banuar në Hotel Napoleon, kujtova se si këmbeva katër fjalë me Albert Kamynë e Maria Kasares tek dyert e një teatri, në Grandes Bulevardes, kujtova përpjekjet e mia të dëshpëruara dhe të pafrytshme për t’u pritur nga Sartri, qoftë edhe vetëm një minutë, sa për t’i parë fytyrën dhe për t’i shtrënguar dorën.

Kujtova vitin tim të parë në Madrid dhe mëdyshjet që pata, para se të vendosja për t’ia dërguar përmbledhjen me tregime «Shefat» Çmimit «Leopoldo Alas», i krijuar nga një grup mjekësh në Barcelonë, me kryetar doktor Rokas dhe këshilltar poetin Enrike Badosa, falë të cilëve pata kënaqësinë e madhe të shoh të shtypur librin tim të parë.


Mendova se ç’fat i pabesueshëm paskësh qenë për jetën time, ai çast i vitit 1958, kur isha vetëm njëzet e dy vjeç, në atë pension madrilen të rrugës «Doktor Kastelo», ku vendosa të ndjek këshillat e ungjit Luço për të mos u bërë avokat, por shkrimtar.

Dhe qysh atëherë, edhe sikur të mbetesha pa një dysh në xhep, do ta organizoja jetën në mënyrë të tillë që pjesën më të madhe të kohës dhe të energjive të mia t’ia kushtoja letërsisë, se do të kërkoja një punë të tillë që të më linte kohë të lirë për të shkruar.

Ishte një vendim pothuaj utopik, por më ndihmoi shumë, të paktën psikologjikisht, dhe besoj se, në vija të përgjithshme, e realizova gjatë viteve të mia në Paris, sepse punët në Shkollën Berlitz, në Agjencinë France Presse dhe në Radio Televizionin Francez, gjithmonë më linin pak orë në ditë për të lexuar dhe për të shkruar.

Mendova paradoksin e habitshëm për të marrë sa vlerësime, si ky (nëse lajmi vërtet nuk ishte një shaka me shije të keqe), për t’ia dedikuar jetën time një pune e cila më ka bërë të gëzohem pafundësisht, ku çdo libër ka qenë një aventurë plot me të papritura zbulimesh, iluzionesh dhe entuziazmesh, që gjithnjë kompensohen me rritje vështirësish, dhimbje koke, depresione dhe kapsllëk.


Mendova sa e mrekullueshme është jeta që ne njerëzit sajojmë, qyshkur endeshim gjysmëlakuriq dhe hanim njeri-tjetrin, për të thyer kufijtë e ngushtë të jetës së vërtetë dhe, përmes fiksionit, për të kaluar në një tjetër jetë më të pasur, më të ndjeshme, më të lirë.

Fiks në gjashtë të mëngjesit, radiot, televizioni dhe Interneti konfirmuan se lajmi ishte i vërtetë. Siç e parashikoi Patricia, shtëpia u kthye në një çmendinë, dhe prej atij çasti unë nuk mendova më asgjë e, gati-gati, ndërpreva frymëmarrjen.

*Titulli i origjinalit: “KATËRMBËDHJETË MINUTA REFLEKSION”

Nju Jork, tetor 2010. (Botuar në gazetën EL PAIS)

Në shqip: Bajram Karabolli

Shkëputur nga libri «Sfida e krijimit»

ObserverKult

———————————————————————————

Lexo edhe:

MARIO VARGAS LLOSA: “DEKAMERONI” NJË KRYEVEPËR QË LINDI NGA IZOLIMI PËR SHKAK TË MURTAJËS

Qysh herën e parë që kam lexuar Dekameronin, kur isha fëmijë, kam menduar se situata fillestare e paraqitur në libër, përpara se të fillonte narracioni, ishte kryesisht një situatë teatrale: të kurthuar në një qytet të goditur nga murtaja.

Pa asnjë mundësi për t’u larguar, një grup të rinjsh ujdisnin për të ikur në një vend imagjinar. Duke i treguar njëri-tjetrit histori të ndryshme pasi janë ngujuar në një vilë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult