Marsel Lela: Vargjet më të trishta që mund të shkruaj këtë ditë

Marsel Lela

Një vajzë e vogël çapitet udhëve të qytetit tim
e vetme mes mijëra kalimtarësh,
e pa vënë re, me ëndrrën e tre gojëve më të vogla se ajo
mbi supet e brishtë.

Kjo vajzë e vogël shet bajame
dhe falas të jep buzëqeshjen më të bukur në botë,
e njëherësh më të trishtën.

Nuk pranon t’i japësh para pa të dhënë mallin që ajo shet,
e bashkë me të, një mësim mbi fisnikërinë e epërme.

Një vajzë e vogël që nuk ka arritur akoma në moshën e
“kur të rritem”
shtyn nëpër rrugët e qytetit karrocën plumb të
“unë patjetër duhet”.

Plazhet ekzotike dhe manekinët e parfumosur llamburisin përzishëm
ndër poste, reklama dhe ekrane,
por ajo s’i vë re.

Është larg nga kjo botë që ka vetëm bark,
anipse përditë kacafytet me demonin e urisë.

Ajo u përgjigjet me pafajsi përqeshjeve të belbëta,
shakave të pështymta
dhe ikën një buzëqeshje më larg
për t’u falur bukurinë e shpirtit atyre që kanë sy për të parë.

Ajo është falenderuese edhe atëhere kur nuk merr asgjë në këmbim.
Largohet prej tjetrit duke lënë një ‘krak’ të pakuptueshëm
që shpesh mbyllet pa u kthyer në vurratë.

Një, dy, tre…. shtatë kaushë bajame ka shitur sot.
Kaq ka mundur t’i japë një qytet i tërë
që përmbytet çdo ditë prej lotëve të “bamirësisë”.

Një vajzë e vogël që shet bajame nëpër udhët e qytetit tim
zbulon mëkatet e mia përditë
dhe unë nuk kam se çfarë t’i jap veç kësaj poezie
dhe lotëve që më rëndojnë në shpirt,
si trasta në shpinën e një udhëtari.

ObserverKult


Lexo edhe:

Marsel Lela: Përse poezia shqipe ka mbetur tek lirizmi?