“Martesa e Lejlës” e “Sotiri dhe Mitika”, është një nga publikimet e e shtëpisë botuese ZENIT që përfshin dy romane të Faik Konicës alias Gjoni i Krujës të cilat vijnë për herë të parë në gjuhën shqipe.
Dy romane misterioze, që kanë në fokus dy ikona të Letrave shqipe.
Janë një mori pyetjesh të cilat lindin tek lexojmë përmes rreshtave të Konicës, duke na bërë kureshtarë për këtë vepër të panjohur më parë prej tij, njëherit ndër të vetmit shkrimtarë që e la të shkruar amanetin për prehjen në dheun mëmë. Dheun që sidoqoftë nuk ia kurseu kurrë ironinë therëse, herë si doktor Gjilpëra e herë nën petkun e publicistit.
Andaj lind natyrshëm pyetja a është shkruesi Faik Konica i vërtetë?
Pa qenë korpusi “Albania” nuk do të qe edhe Konica i romaneve, madje as dyshimi se autori këtu është apo jo Konica.
Është për t’u habitur si ky fakt nuk ka qenë dëshmuar qartë por veç tërthorazi nga epistolari i gjerë i tij apo i një korpusi shumëpërfshirës si “Albania”.
Z. Krenar Zenjo, prej të cilit na vjen dhe parathënia e këtij libri shprehet:
“Sa dhe si, ndër vetëdijen e shkrimtarit, e nënvetëdijshmja përmes shkrimit përnjeshon pashmangshmërisht edhe në rastin kur shkruesi e ka mohuar autorësinë- dorëzuar me gjithë pseudonimin e posaçëm dhe sa do të ishte dallimi i paramenduar si dorëzim përfundimtar; apo i ndarë prej saj me shpresën e rikthimit nga një dorëzani besuar kohës të ngjashme dhe ardhmërisë?
Në ç’raport një moral e mision i shkruesit nga pozicioni rreptësisht letrar rri në marrëdhënie me kërkesën për apelim të një zgjimi kombëtar nga pozita e moralizimit misionar?
Sa është distanca e lejueshme nga një “ideal” për një ideal dhe deri ku nevoja për një idil gjer patetik të vlerës kombëtare, i bie në hak stilit dhe shifrës poetike të veprës letrare?
Ndër vorbullën e Rilindjes sonë të vonuar, më mbetet ende i turbullt përcaktimi i kahjes: në rrotullohej vokacioni letrar rreth devocionit të shqiptarisë apo anasjelljtas.
E megjithatë – shprehet ai – ajo botë e letrave “Albania” a do të qe krijuar pa një Konicë? A do të qe trupëzuar një Shqipëri më vete politike dhe pa dosje poetike?
Ky trillimi – vjen sa për t’i ndezur lexuesit kërshërinë dhe assesi për të paraqitur teza e dëshmi mbi autorësinë e vërtetë të teksteve nga Faik Konica, për të cilin Noli thoshte që :
” Ne, korrim drithën e mbjellë nga Faiku dhe se shqiptarizmën e mësuam prej tij”.
Novelat në këtë libër, shfaqin një kryevepër të panjohur në letrat shqipe. Sa klasike në zgjedhjen e subjektit dhe pathosin e përshkrimit aq edhe moderne për nga forma kompozicionale e shtrimit të tyre.
Nëpërmjet këtyre dy romaneve të shkruar në frëngjisht, Konica, thekson studiuesi, Fotaq Andreas, i cili ka ndihmuar në realizimin e një përkthimi mjeshtëror, që i qëndron besnik në frymë e në gërmë gjuhës së mëmës së autorit, sa që shpesh të krijohet ideja se veprat kanë qenë shkruar në shqip:
“Faik Konica përpiqet të japë një imazh sa më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një kohë kur autorë të huaj nuk mungonin t’i denigronin, përçmonin e poshtëronin në kor me propagandën antishqiptare sllavo-greke”.
Martesa e Lejlës – Të njëzet kapitujt e kësaj pastoraleje dashurore shkojnë fjollë, rrjedhin si një burim drejt një zgjidhjeje të dëshiruar, duke përbërë në tërësinë e tyre një akt të lartë, tek vërtetojnë (gjë e rrallë sot) që një roman mund të jetë interesant duke mbetur i ndershëm.
Sotiri dhe Mitika– Është një tregim i shpejtë që të mban të lidhur dhe që fillon në Amerikë për të përfunduar në Shqipëri.
Mund të themi se kemi të bëjmë me një histori të shekullit XVII-të aq shumë janë pikturuar dhe treguar me hollësi e delikatesë portretet e dy miqve, ku jeta e shpaloset në evoluim të shpejtë, gjersa arrin skaje dramatike në fund nëpërmjet një rrethane të llahtarshme e tragjike, për të përfunduar siç duhet: Lumturisht!
Me këto dy romane, del edhe më shumë në pah misioni historik i Konicës, mision që para së gjithash e mbi të gjitha e vesh atë me profesionin e nderuar të Patriotit të flaktë, të Rilindasit të zjarrtë, të Pionierit enciklopedist, që si rrallëkush luftoi injorancën, mediokritetin, mendjet e mbrapshta dhe ligashe e punoi për emancipimin e shoqërisë shqiptare”.
Nga Ilnisa Agolli
ObserverKult
Lexo edhe:
JA ÇKA THOSHTE FAIK KONICA PËR FLAMURIN KOMBËTAR
Ideali i lartë i tij për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin tonë kombëtar, haset që me shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”, revistë që Faik Konica themeloi dhe drejtoi.
Në shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901), pyetjes së një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet, duke u bazuar në veprën e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”.
Kjo vepër është botuar frëngjisht, në Paris më 1621.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult