Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula në një intervistë për ATSH foli për figurën e Martin Camajt, si një prodhimtar i madh, një personalitet i shkencës dhe sesi sistemi komunist ndjehej i frikësuar prej tij.
Sula fillimisht deklaroi se me krijimin e Autoritetit të Dosjeve, nga qeveria Rama për kurimin e së shkuarës, “është matur pritshmëria e publikut për institucionin ku rreth 70% e publikut të pyetur ka interes të drejtpërdrejtë për t’u njohur me dokumentacionin e Sigurimit të Shtetit”. “Vetë fakti se publiku ka ardhur në mënyrë të vazhdueshme, ka aplikuar, që kërkesat vijnë në rritje, që studiuesit përherë e më shumë kërkojnë materiale, që institucionet po kërkojnë përherë e më shumë informacion për zyrtarët kandidatë për pozicione publike, na bëjnë optimist se puna e institucionit tonë është mirëpritur”, u shpreh ajo. Në lidhje me hapjen e dosjeve pa lustracion dhe se çfarë pritet me ndryshimet e reja ligjore, Sula tha se janë disa qasje të ndryshme që vende të ndryshme kanë ndërmarrë për të përballur trashëgiminë e regjimeve diktatoriale dhe sistemeve totalitare.
“Në disa vende, lustracioni ka ndodhur i bashkuar me informimin, por në fakt këto praktika më vonë kanë treguar se nuk kanë qenë shumë të suksesshme. Ndërsa Shqipëria ka zgjedhur modelin gjerman që e ndan informimin nga lustracioni, jo vetëm se modeli gjerman ka qenë shumë i suksesshëm, por dhe për faktin se një tentativë ligjvënësish për ta bërë lustracionin bashkë me informimin në vitin 2008, u gjet jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Në këto kushte, Parlamenti kishte një rrugë, atë që ta ndante informimin nga lustracioni. Ajo që ndodhi menjëherë pas krijimit të institucionit për informim AIDSSH, ishte se ka patur disa nene lustracioni që kanë qenë pjesë e legjislacioneve të posaçme qoftë për sistemin e drejtësisë, Reformën në Drejtësi, qoftë për shërbimin diplomatik, apo për vetingun në Polici, apo disa institucione si Akademia e Shkencave që e kanë bërë pjesë të statuteve të tyre të brendshme. Ajo që mund të them është se i takon shoqërisë apo institucioneve të një sistemi demokratik të marrin hapa lustrimi. Hapi i parë, informimi, është i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, dhe këto institucione e kanë.
Në lidhje me kontestimet për figurat historike, siç është Martin Camaj, Sula theksoi se “ka një pasuri të madhe dokumentare që ne e disponojmë e që deri më sot ende mbahet sekrete, e klasifikuar e të cilën po e zbardhim dora-dorës”.
“Bëhet fjalë për figura shumë të rëndësishme historike. Natyrisht është dhe një pjesë e trashëgimisë kulturore shpirtërore e shqiptarëve kështu që është një pjesë e rëndësishme”, u shpreh ajo. “Duhet patur parasysh se Sigurimi i Shtetit ishte armiku i tyre me i keq ideologjik dhe politik. Ne kemi filluar me rreth 10 figurat e para. Kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë me Institutin e Historisë, Akademinë e Shkencave dhe i kemi parë edhe ato figura të cilët kanë punuar nën hijen e sigurimit, të përndjekur dhe syrvejuar, kemi parë dhe ato figura që nuk u pajtuan në mënyrë absolute me Sigurimin e Shtetit ose u përndoqën këtu ose kaluan kufirin. Ata që kaluan kufirin natyrisht janë dhe figurat më armike të regjimit sepse konsideroheshin tradhtarë. Ajo që mund të them është se mund të bihet në gabime interpretimi pa dashur të dyshoj në autencitetin e dokumenteve që ne kemi. Një dokument është një fakt, por duhet studiuar, duhet parë qëllimi, kushtet, rrethanat. Duhen parë dokumentet që janë marrë në rrugë operative, kush i ka krijuar dhe pse dhe duhet marrë shumë kohë dhe nuk duhet rënë në gabime”, tha ajo.
Sula shtoi se “gjysma e kohës së shtetit shqiptar ka qenë në diktaturë”. “Policia Politike sekrete ka qenë e fuqishme. Janë harxhuar shumë burime njerëzore e financiare që ta sofistikojnë punën. Përveç kësaj ka funksionuar propaganda që ka bërë që shumë klishe, steriotipe të jenë të ngulitura thellë në shoqërinë tonë dhe do duhet shumë punë së pari nga studiuesit që të çlirohen nga këto steriotipe dhe t’i shikojnë me objektivizëm”, u shpreh Sula. Ajo tha se “për figura historike në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të hartuar pra nga armiqtë më të mëdhenj të tyre, vihet re një reduktim thjesht për t’i parë si mjet të qëllimeve të veta dhe shpeshherë bashkë me targetimin dhe ndjekjen që iu është bërë këtyre figurave është bërë edhe mohimi i vlerave të tyre shkencore, njerëzore, vlerave artistike si në rastin e Martin Camajt por dhe në shumë raste të tjera”. Pyetjes, pse Camaj, shihet me dritë dhe me hije, Sula tha se ”Martin Camaj ka qenë figure e shquar e letrave shqipe, të cilin e ka patur frikë sistemi, se ai kishte ndikim”.
“Për këto arsye, regjimi e ka arrestuar në mënyrë të fshehtë, e ka terrorizuar dhe ka bërë fushatë dezinformimi në mënyrë të fshehtë, një vrasje morale në komunitet. Ndërkohë vepra e tij nuk u njoh asnjëherë dhe faktikisht në Shqipëri është sjellë vonë dhe njihet pak. Për këtë arsye me hapjen e dokumenteve të Sigurimit për figurat historike është e nevojshme që këto figura të sillen jo si subjekte të sigurimit, por për t’u parë si subjekte të plota, pra për t’u ridimensionuar. Për këtë arsye me tryezën që do të organizojmë me 28 gusht jemi bashkë me botuesin e veprës së Martin Camajt, familjen e me fondacionin ‘Martin Camaj’. Do sjellim aspekte të jetës, përndjekjes, veprës, qoftë si shkrimtar, gjuhëtar apo dramaturg, që Martin Camaj të njihet jo si një subjekt i Sigurimit të Shtetit, por si një Martin Camaj i tërë, me të tërë dimensionin e tij”, theksoi Sula.
Në lidhje me gjetjen e varreve të të ekzekutuarve nga diktatura, Sula tha se është e pafalshme për shoqërinë që njerëzit e vet më të mirë i ka pa një varr, të panderuar.
“Institucioni ynë është gjendur përballë kërkesës së familjarëve për të gjetur vendvarrimin. Ne kemi raportuar në mënyrë të vazhdueshme se bashkëpunimi me familjet na ka vënë në pozicion aktiv për ta ngritur zërin sepse u bënë gjithë këto vite që institucionet nuk po funksionojnë dhe për këtë arsye i jemi shumë mirënjohës Parlamentit se më në fund kemi dy ndryshime ligjore esenciale, që do t’i japin frymëmarrje këtij problemi”, tha Sula. “E para, përkufizimi i personit të zhdukur në ligjin tonë është qartësuar mirë. Është marrë përkufizimi i njëjtë i Konventës Ndërkombëtare Kundër Zhdukjes me Forcë, ku dhe trupi i ekzekutuar, konsiderohet i zhdukur. Kjo do t’i lehtësojë familjarët pasi nuk është e nevojshme që për trupin e zhdukur të bëjnë vërtetim fakti në gjykatë, por përmes faktit se personi është i ekzekutuar nis gjetja. Pra, është hequr një barrierë ligjore për ne dhe familjet. Ndryshimi i dytë është koherent me sugjerimin e Organizatës Botërore ICMP, Komisioni Ndërkombëtar i Zhdukjeve me Forcë që ka menduar të ketë një institucion që merret me koordinimin e institucioneve të ndryshme. Për të gjetur një trup duhet organizim ndërinstitucional, pra mungonte një ekip koordinues që lidhte familjet dhe këtë mandat ia ka dhënë me ligj AIDSSH-së”, sqaroi ajo.
Sula shtoi se “IMCP gjeti dy trupat e parë dhe përmes ADN-së i identifikoi dhe ua ktheu familjeve. Tani mbetet që çdo institucion të bëjë punë e vet dhe të punojë në harmoni. Ligji gjithashtu parasheh që ne bashkë me qeverinë të caktojmë rolin e çdo institucioni përmes një VKM-je që të mos ketë sorollatje të individit, por çdo institucion të ketë detyrat e veta të qarta”, përfundoi kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula./ATSH