Martin Camaj: Tash që nuk asht’ ma…

Figura e Martin Camajt si studiues dhe shkrimtar zë një vend të shquar në kulturën kombëtare shqiptare.

Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar.

Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.

Ai ka lënë pas vetes shumë vepra, në mesin e të cilave edhe veprën “Dranja”.

“Dranja” u fillua së shkruari rreth vitit 1975 dhe mbaroi më 1979. Është vetë fati i poetit i ngjashëm me fatin e Dranjës, breshkës së mitizuar në madrigalet e tij, perëndeshës së kujtimit të dalë nga Dheu:

“Dranja” ndonëse nuk është në vargje si madrigali tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si e tillë i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe.

Në lexim e sipër, duhet patur parasysh se trajta e jashtme, historia e një breshke dhe e rrashtës së saj, lidhen me nënkuptime simbolike, me fjalë të tjera me zbërthimin e përmbajtjes së brendshme apo “teoremës”. Me rëndësi për autorin është fjala e bukur poetike, ku bëhen përpjekje që gjuha t’i përshtatet lakueshëm çdo situate.

“Dranja” është një formë e re letrare për kulturën e shkruar shqiptare. Duke qenë thellësisht vepër simboliste, madrigalet mund të jetojnë edhe si copa më vete.

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga “Dranja”:

Tash që nuk ashtë ma, më vijnë në kujtesë sjelljet e ecja e saj mbi sende. Dranjes ndër sheje të vogla i shihej qëllimi.
Me atë kthen edhe përfytyrimi i viseve jugore këtu ndër Alpe kur hap derën në vjeshtë e më del përpara një burrë me kosh në shpinë plot me zogj. Tregtar apo lypës? Herë mbas here nxjerr tinëzisht prej shtjellës së mantelit leshi të randë edhe ndonjë breshkë për ta shitë me çmim të naltë.

   E lëshon në shqimthin e derës për të më tregue si ec. I thom:
   “Jo, jo! Shoh se nuk ashtë si Dranja, e cila sa vehej për udhë nëpër pluhun, lente mbrapa ravën e drejtë, stilin e vet të pashkëmbyeshëm.”
    Njeriu, shembllesa e lisit me borë ose krahnjerr në dimën, ngjallet e shkundet, gati për të zanë kuvend.

    “E di-thotë-njeriu me njeri nuk ndërrohet, por frymori me frymor… Çka kishte të posaçme ajo?”
    “Marrëveshja ime me të! Marrëveshja rrodhi se unë Dranjes s’ia preva kurrë rrugën. Eca prore krah për krah me të, pa ba leqe si gjarpni. Me kohë zbulova se ajo në çdo lëvizje shfaqte vullnet të fortë e vendosuni si ashti që barte.”

    Mandej përpiqem t’i sqaroj se breshkat e tij janë të ngathta sikur të kishin dalë atëherë prej dheut.
    Tue thanë kështu tres në kujtime e kundroj sendet që ishin e janë, përzieshëm, si në një pasqyrë të gërrisun, plot njolla.

*Shkëputur nga vepra e Martin Camajt: “Dranja”, botuar nga “Onufri”

Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Mori mësimet e para në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër.

Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe.


Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia.

Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992.

Përgatiti: A. S.- ObserverKult

Përgatiti: ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

Martin Camaj: Vendit tem