Masat kundër pandemisë pezullojnë edhe aktivitetet e muzeve dhe galerive

Pa u bërë dy muaj prej hapjes së muzeve dhe galerive, Qeveria ka marrë vendim për pezullim të sërishëm të aktivitetit të këtyre institucioneve. Kthimi i kësaj mase është bërë shkaku i shpërndarjes enorme të koronavirusit. Qeveria të martën ka nxjerrë vendimin, përmes të cilit edhe muzetë e galeritë llogariten si hapësira me rrezik për shpërndarjen e virusit. Këto institucione kishin nisur aktivitetin më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Por rritja e numrit të të infektuarve i ka kthyer në gjendje të mëparshme.

“Pezullohen aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës (përfshirë fitneset, pishinat, shkollat e futbollit dhe sporteve e tjera, trajnimet e kësaj lëmie etj.). Të gjitha aktivitet e lartcekura që zhvillohen në ambiente të hapura detyrohen të zbatojnë në përpikëri kushtet e parapara në Manualin për mbrojtje nga COVID-19”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.

Kësisoj, muzetë dhe galeritë janë kthyer në kohën e vendimit të parë për pezullimin e aktiviteteve të tyre. Ishin mbyllur më 13 mars në kuadër të masave të para të Qeverisë për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit. Galeria Kombëtare e Kosovës muajin e kaluar ishte prekur nga COVID-19. Një punonjëse e administratës së këtij institucioni kishte rezultuar pozitive. Aktiviteti ishte pezulluar për disa ditë derisa ishin testuar edhe punonjësit e tjerë.

Pas nxjerrjes së vendimit të ri të Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënës e sot (e martë) do të kërkohet mbyllja e këtyre institucioneve që janë nën vartësi të MKRS-së, transmeton ‘koha.net’.

“Të martën do t’i lajmërojmë që konform vendimit të Qeverisë duhet të ndërmerrni masa për mbyllje të përkohshme deri në një vendim tjetër të Qeverisë”, ka thënë ai.

Muzeu Kombëtar i Kosovës, sikurse institucionet tjera publike, ka punuar vetëm me staf esencial shkaku i pandemisë. Kësisoj kishin respektuar rregullat e vendosura për institucionet private dhe publike.