Maxhun Osmanaj: Shkrimi është “dhimbje” e bukur!

maxhun osmanaj

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari Maxhun Osmanaj.

– Si ndodh takimi i parë me letërsinë?

Takimi i parë me letërsinë ndodhi në mes frikës dhe kurreshtjes për të shkruar, në vitin e largët 1977, pas disa viteve lexim të vazhdueshëm, lektyra shkollore dhe jashtë asaj të obliguar, p.sh,lexoja edhe revistën letrare “Jeta e re” etj. Një ditë dërgova dy vjersha në “Pionier” dhe pashë që janë botuar. Aty mora “vizën “ për rrugëtim maratonë…

– Kur ratë në “grackën “ e saj?

Në “grackën” e saj rashë në vitin 1998, kur botova librin e parë më poezi për të rritur “Zgjimi i dhembjes”, dhe nga ajo “grackë” nuk dola asnjëherë…

– Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Duke lexuar shkrimtarë të mëdhenj botërorë dhe shkrimtarë të njohur shqiptarë, “s’guxoja” të quaja veten shkrimtar, por e ndjeva veten shkrimtar pasi botova dy-tre libra dhe filluan të shkruajnë shkrimtarët për mua. Shenjën e parë si poet ma ka dhënë kritiku i njohur, prof.dr Emin Kabashi, në vitin 1983, në një shkrim në gazetën “Bota e re”, për poezinë e të rinjve, kur në mesin e disa poetëve, e përmend edhe emrin  tim si poet premtues. Ishte për mua si një shtytje e fortë se mund të vazhdoj udhëtimin letrar, kuptohet nëse ruaj kontinuitetin e leximit…

– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “ Pse shkruaj?

Sa herë që ia kam bërë këtë pyetje vetes, kam arritur se kjo s’ka përgjigje! Pse! Sepse shkrimi është “dhimbje” e bukur,  që çdo ditë e përjeton më formën e saj të pashpjeguar. Vetëm shpirti është ai oqean ndjenjash të përziera që tundohet nga valët dhe stuhitë e brendshme dhe të jashtme, që shpërthen…

– Çka ju bën të veçantë si shkrimtar ?

Secili shkrimtar i ka veçantitë e veta në mënyrën e reflektimit, por veçantitë i heton kritiku dhe studiuesi i letërsisë për veprën e autorit kur e lexon dhe studion, ndryshe do të jem jo real. Shkrimtari s’duhet t’i tregojë veçoritë e veta, lexuesi, kritika lë t’i gjejë dhe të përsiatet me to.

-Çka keni thënë në shkrimet tuaja ?

Në shkrimet e mia kam thënë diçka: dhimbjen, ëndrrën e personazhit lirik apo rrëfimtar, mungesën e lirisë shpirtërore, dramat e tërthorta të personazhit, si dhe kam dhënë mesazhin e dashurisë, humanizmit dhe fisnikërisë së njeriut – shoqërisë. Shkurt, me vargjet dhe rreshtat e mi, jam përpjekur ta edukojë njeriun-shoqërinë aq sa kam pasur sukses.

-Çfarë ka mbetur ende pa u thënë?

Mendoj, asgjë s’kam thënë, çka duhet thënë…!

I besoni muzës apo përvujtnisë së punës së pareshtur ?

Më shumë i besoj përvujtnisë së punës  së pareshtur dhe një Zërit nga lart- Zotit, që më jap vullnetin dhe dashurinë për lexim, meqë më shumë lexoj, sesa shkruaj-krijoj.

– Sa jeni sistematik në të shkruar?

Më shumë jam sistematik në të lexuar, sepse shpesh kam frikë se mos po përsërit tema dhe krijimet dalin “broçkulla”. Nuk shkruhet me dhunë. Shkruhet kur ke një nxitje-cytje nga një xixë e brendshme që s’e sheh , por e ndjen, dhe nga një rreze e jashtme që të mbështjellë.

Sikur t’fillonit nga e para,  do të bëheshit serish shkrimtar apo jo?

Në fëmijërinë e hershme dhe në rini, kurrë s’kam menduar të bëhesha shkrimtar, por meqë letërsinë e konsideroj jetë, atëherë leximi më bëri shkrimtar;  kënaqësia dhe procesi i të shkruarit, sado që kalon nëpër horizontet e thella të shpirtit, diamanti i shkrimit më dhuron shkëlqim në jetë dhe në shoqëri. Do të bëhesha shkrimtar, përsëri. Pse jo! Letërsia është arti më i thellë i jetës, dhe jetën duhet dashur me të gjitha stuhitë që përjeton. Shkrimi ma ka ruajtur stabilitetin shpirtëror dhe më ka  bërë fitues kundër dramave të jetës…

ObserverKult

Lexo edhe:

SHKËLZEN HALIMI: TË SHKRUASH ËSHTË PUNË E DHIMBSHME

SABIT RRUSTEMI: E RËNDËSISHME PËR MUA, PËRMBUSHJA E MISIONIT NDAJ LETËRSISË