Në Teatrin shqiptar në Shkup, u mbajt mbledhje komemorative dhe u bënë homazhet për nder të figurës së aktorit, Luran Ahmeti.
Luran Ahmeti lindi më 31 korrik të vitit 1974 në Shkup. Në vitin 1999 diplomoi në Fakultetin e Artit Dramatik pranë Universitetit Shën Cirili dhe Metodi. Lurani ngelet një nga shtyllat kryesore të shtëpisë së tij amë – Teatrit Shqiptar Shkup, në të cilin në karrierën e tij 25-vjeçare realizoi role impozante dhe la gjurmë në historinë e artit dramatik.
Publiku do të kujtojë personazhet e luajtura nga Luran Ahmeti në: Dy pistoletat, Eshtrat që vijnë vonë, Oleoria, Edipi mbret, Repriza e lirisë, Nënkresbami, Akuariumi, Kafeneja në udhëkryq, Algereto Albania, Paraja, Gjymtimi, Darka e thërrimeve, Vdekja e Dantonit, Metoda, Bregu i pikëllimit sipas veprës së Teki Dervishit, të cilën fatkeqësisht nuk arriti që të performojë në premierën dhe shfaqje, e cila do duhej që të jetë edhe hapja e dyerve të teatrit për publikun pas një periudhe të gjatë të rekonstruktimit të tij.
Ndër vite karriera kinematografike e Luran Ahmetit, pos në produksionet e Maqedonisë së Veriut, u zhvillua edhe në projekte të suksesshme rajonale dhe botërore, në filma artistik dhe serialet më të njohura të Turqisë e deri te filmat hollivudian. Mes tyre: Taken 2, Ballkan kan, Limonata, Elveda Rumeli, O sa mirë, Shekulli i madhërishëm, Dasma e Ballkanit, Reisi, Karakoll, Lugina e ujqërve, Një tregim Prishtine dhe shumë të tjerë./portalb.mk