Mbahet ceremonia e lamtumirës për kineastin Kristaq Dhamo

kristaq dhamo

Sot, në orën 11:00-12:00, në hollin e Universitetit të Arteve do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës në nder të kineastit Kristaq Dhamo.

Lajmin e dha ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti e cila i përmes një njoftimi në rrjetet sociale shprehu mirënjohje ndaj Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Ambasadës shqiptare në Itali, Bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe kujtdo që iu bashkua Ministrisë së Kulturës dhe familjarëve të artistit të ndjerë në organizimin e ceremonisë mortore dhe plotësimit të amanetit të regjisorit për t’u prehur në tokën e tij.

Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji, duke vënë në skenë pjesën ‘Dëftesa e pjekurisë’ të K. Simonov, ku interpretuan regjisorët e ardhshem të teatrit shqiptar Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Mihal Luarasi.

Studimet universitare i kreu në Institutin e Lartë të Teatrit dhe Kinematografisë në Budapest, Hungari, me 1956, dhe fill më pas u emërua në kinostudion “Shqipëria e re”.

Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973-1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, i cili ishte gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).

Dhamo fitoi edhe çmimin për “Regjinë më të mirë” në Festivalin e Filmit Shqiptar, 1979.

Për shumë vite ai ka qenë drejtor artistik në Film Studio. Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Në 1979 i është dhënë titulli “Artist i merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e 11-të i filmit shqiptar 2000 është nderuar me çmimin e karrierës./ATSH


Lexo edhe:

ILIR BUTKA RRËFEN BISEDËN E FUNDIT ME KRISTAQ DHAMON: MË KA MARRË MALLI PËR…

ObserverKult