Mbahet koncert dedikuar grave gjakovare të prekura nga kanceri i gjirit

Nga Blerim Valla

Në sallën koncertale të Shkollës së Muzikës ”Prenk Jakova” në Gjakovë, ishte stafi i mësimdhënësve të prirë nga drejtori Kastriot Sada dhe nxënësit e kësaj shkolle të njohur të muzikës, që organizuan një koncert koral, dedikuar muajit rozë, në shenjë ndërgjegjësimi, mbështetjeje e solidarizimi me gratë të prekura nga kanceri i gjirit nga komuna e Gjakovës.

Në këtë aktivitet ndryshe nga të tjerët në kuadër të muajit rozë, e që kishte si qëllim përkrahjen dhe sado pak relaksimin e grave nga komuna e Gjakovës të prekura nga kanceri i gjirit, morën pjesë: Kori i Grave dhe Vajzave ”Besa”, nga Gjakova, nën dirigjimin e prof. Klodina Kryeziu Hana me korepetitor Besim Qorri, që interpretuan disa këngë të njohura shqiptare dhe të huaja.

Pastaj Kori i Shkollës së Muzikës ”Prenk Jakova” nga Gjakovë, i përbërë nga nxënësë të kësaj shkolle të cilët kishin përgatitur pika të zgjedhura korale të muzikës klasike shqiptare dhe të huaja, nën dirigjimin e prof. Kastriot Sada me korepetitorët: Nezahate Shala-Zeka dhe Gent Kumnova. Të dyja këto kore u mirëpritën dhe u duartrokitën nga publiku i shumtë në sallë.

Ndërsa mysafirë të këtij koncerti i cili u mbajt për herë të parë si i këtij lloji dedikues në Gjakovë, ishin flautistja Jeta Gërqari dhe pianisti Andi Duraku, të cilët kishin përgatitur disa pika interesante me vepra të autorëve vendor dhe të huaj.

Duhet cekur se mbështetës të këtij koncerti shumë në nivel dhe të veçant ishin Shoqata “Ia vlen të jetosh” nga Gjakovë, me drejtoreshën Valbona Kastrati, e cila tubon gratë gjakovare të prekura dhe të mbijetuara nga kanceri i gjirit, pastaj Drejtoria e Shëndetësisë e Gjakovës dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjakovë, me drejtoreshën Adelina Shehu – Kola. Si dhe Drejtoria Komunale e Arsimit e Gjakovës, me drejtoreshën Eranda Kumnova – Baçi.

Kurse tejet interesante dhe që u pëlqyen shumë ishin mesazhet vetëdijesuese në shenjë ndërgjegjësimi, mbështetjeje e solidarizimi me gratë e prekura nga kanceri i gjirit, që u dhanë para publikut gjatë këtij koncerti, nga dy onkologët Dr. Ilir Kurtishi e Dr.Brunilda Profka-Haxhiu, pastaj nga Dr.Aida Kumnova – Gjinekologe/Obstetër, dhe nga Eldita Doli-gazetare.

Përndryshe Shoqata e grave të prekuara nga kanceri “Ia vlen të jetosh” me seli në Gjakovë që në gjirin e vet përfshin afro 70 femra gjakovare që janë ballafaquar dhe të mbijetuara nga kanceri i gjirit dhe lloje të tjera të kancerit, është themeluar para një viti. Kjo shoqatë ka për synim që të mbështes gratë dhe familjet e tyre që përballen me këtë sfidë shumë të gjatë dhe të kushtueshme, dhe udhëhiqet nga arkitektja Valbona Kastrati, edhe vet kjo e mbijetuar e kancerit të gjirit.

ObserverKult


Lexo edhe:

BLERIM VALLA: PSE U HARRUA KAQ SHPEJT ALI PODRIMJA?