Mbesa e Qazim Mulletit: Të tallet mbiemri ynë është e tepërt, ne ende vuajmë…

Pas rileximit në skenën e Teatrit Kombëtar të veprës “Prefekti”, pati reaguar dhe mbesa e Qazim Mulletit, ish-prefekt dhe ish-kryebashkiak i Tiranës, i cili ironizohet te vepra e Besim Levonjës, i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit 2021.

Në reagimin e saj, të bërë kohë më parë, Besforta Mulleti tregon vuajtjet e familjes së saj gjatë kohës së komunizmit, ndërkohë që sipas saj edhe sot vuan akoma pasojat.

“Unë isha 8 vjeç kur familja ime u rikthye në Tiranë. Deri atëherë ne kishim jetuar në Shkodër, ku familja e babait ishte vendosur pas vdekjes së gjyshit dhe përfundimit të internimit në Kavajë, meqenëse nuk iu lejohej të ktheheshin në Tiranë, pasi ishin dëbuar.

Unë isha një tiranase që flisja me dialekt shkodran e sa herë përmendja mbiemrin, dëgjoja fraza nga shokët e klasës “Mulleti? Si Qazim Mulleti?”, të cilët vazhdonin me pas me batuta nga komedia. Unë nuk e kam parë kurrë të ashtuquajturën komedi “Prefekti”.

Besoj se nuk është e nevojshme t’ju them pse… por e mbaj mend shumë mirë zhgënjimin në fytyrën e babait tim sa herë që ndërronte kanalet dhe ndonjë kanal lokal po shfaqte komedinë. Më 28 Nëntor 2021, Teatri Kombëtar vendosi të rishfaqte njërën prej “kryeveprave” të komunizmit, komedinë “Prefekti”. Kjo ka qenë gjithmonë një temë shumë e ndjeshme për familjen dhe fisin tonë”, shkroi ajo më 2021.

Besforta Mulleti thotë se artistët që kanë për detyrë morale si në çdo vend të botës të edukojnë duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe këtu dhe nëse nuk e bëjnë këtë, të paktën nuk duhet të hapin plagët e atyre që kanë vuajtur.

“Ne akoma luftojmë nëpër gjyqe për të drejtën e pronës. Ne jemi nga ato familje që u shpronësuan për të mirën e interesit publik nga Bashkia e Tiranës para pak vitesh për të ndërtuar një shesh rekreativ, të cilit minimalisht duhet t’i kishin vënë emrin “Qazim Mulleti”.

Të gjitha këto durohen, por të vazhdohet të përtallet mbiemri jonë në vitin 2021 është e tepërt. Në një vend ku akoma debatohet për shkrimin e saktë të historisë, sidomos të asaj pas vitit 1944, të vendosesh të rishfaqësh ditën e Pavarësisë, një vepër që tall e denigron një figurë që e nderon ajo pjese e Shqipërisë që e njeh mirë historinë dhe patriotët e vërtetë, është e turpshme dhe aspak njerëzore.

Artistët kudo në botë krahas artit, e ndjejnë për detyrë edhe të lobojnë për kauza të rëndësishme e të edukojnë popullin. Në një vend si Shqipëria, ku strukturat përgjegjëse nuk funksionojnë, ky detyrim bëhet më i madh për artistët shqiptarë.

Është detyrë e tyre dhe e shoqërisë civile të promovojnë vlera e figura që kanë kontribuar pozitivisht për këtë vend. Nëse nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë të paktën të heshtin e te mos vënë gishtin ne plagë. Doni të bëni art? Filloni shkruani kryevepra të reja, vini në skenë vepra te intelektualëve të dënuar, persekutuar, burgosur e pushkatuar nga regjimi komunist, përndryshe mbeteni vetëm ca artistë të rëndomtë që as teatrin tuaj nuk e mbrojtët dot”, përfundon mesazhi i saj, transmeton ‘shqiptarja.com’.

Kujtojmë se leximi në Teatrin Kombëtar të veprës “Prefekti” të Besim Levonjës, i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit, ngjalli një sërë kritikash. Sipas kritikëve në vepër ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit, ish-kryebashkiak dhe ish-prefekt i Tiranës në vitet e pushtimit nazi-fashist.

Ishte shoqata “Tirona Intellectum” që reagoi ashpër për rikthimin e kësaj vepre. Sipas tyre, duket se Teatri me këtë vepër po rivlerëson tezat e qasjet që kishte Teatri gjatë regjimit komunist, luftën e klasave dhe stigmatizimin e banorëve të Tiranës që jo vetëm u dënuan dhe iu morën pronat për t’ia dhënë elitës së re komuniste, por edhe u portretizuan dhe u përjetësuan në vepra arti.

Aktori që e risolli veprën është Arben Derhemi dhe sipas shoqatës fakti që ky aktor është nga Tirana e bën edhe më të turpshme ngjarjen.

Nga ana e tij, aktori Arben Derhemi, pati reaguar në lidhje me kërkesën e Shoqatës Tirana për të hequr zyrtarisht nga transmetimi komedinë “Prefekti”.

Qazim Mulleti

Lexo edhe:

GJITHË JETËN NË INTERNIM, KUSH ISHTE RESHIT MULLETI/PERSEKUTIMI I DJALIT DHE GRUAS PËR SHKAK TË KOMEDISË