Tronditëse: Mbeti pa dhëmbë, pa thonj dhe pa flokë para ekzekutimit… fjalët e fundit që i tha

Historia e një intelektuali shqiptar, që u ekzekutua nga regjimi komunist vetëm sepse ishte profesionist, idealist, i shkolluar, i kulturuar dhe i paepur. Një rrëfim i ngjeshur me detaje nga jeta dhe persekutimi i Zija Lunikut dhe familjes së tij.

Zija Luniku bënte pjesë në një familje të madhe, me dy vëllezër avokatë, një noter dhe një tjetër student në Itali, ku ndërroi jetë në moshë të re. Zijai ishte një nga avokatët, ai studioi në Firence. Me të mbaruar studimet, u kthye në Shqipëri, ku u martua dhe i lindën tri vajza.

Gjatë pushtimit italian, kur ishte kuestor i Shkodrës, strehoi në shtëpi, Qemal Stafën. Sipas rrëfimit të nipit, për kujto.al, ekziston një dokument ku Zija Luniku i kthen përgjigje Ministrisë së Brendshme. Kërkesa thoshte që kishin informacione se komunisti i rrezikshëm Q. Stafa ndodhet në Shkodër.

Përgjigja e tij ishte: “Komunisti i rrezikshëm Q.Stafa nuk ndodhet në Shkodër”, ndërkohë që ai ndodhej pikërisht në shtëpinë e Zija Lunikut, duke qenë që ishte kushëri i parë i bashkëshortes së tij, Nashifer Kamber Sejdini. Në këtë shtëpi i lindi vajza e parë, Fatmira, më pas, e lë këtë detyrë dhe zhvendoset në qytetin e tij Elbasan, ku punon si avokat. Pas Çlirimit, spikat si avokat mbrojtës në disa nga gjyqet më të bujshme ndaj personaliteteve të qytetit.

“Kjo gjë si dhe frika nga influenca e kësaj familjeje bënë që në mendjen diabolike dhe paranojake të atyre qe kishin pushtetin të krijoheshin insinuata të tmerrshme që çuan në arrestimin e tij në dhjetor 1946. Mbas dy ditësh, çakejt e Sigurimit bastisën shtëpinë dhe morën të gjitha çfarë gjetën duke lënë në mes të dimrit pa ushqim, pa rroba dhe pa mbulesa, gruan dhe tri vajzat.

Aq i tmerrshëm ishte ky veprim, sa edhe hamalli që kishin marrë për të ngarkuar çka vodhën, hoqi pallton dhe mbuloi vajzën e vogël, Vjollcën. Po kështu u kontrollua dhe u plaçkit edhe zyra e tij në rrugën Tomson.

Qe një hetuesi e tmerrshme, siç dinin vetëm komunistët ta bënin, një burrë në lulën e moshës u arrestua dhe mbas 11 muaj hetuesi, doli në gjyq pa dhëmbë, pa thonj dhe pa flokë dhe absurditeti ishte se u dënua nga gjyqtarë injorantë, ai që kishte shkëlqyer në shkollën e tij dhe me krenarinë e shqiptarit kishte mbrojtur temë diplome me ligjin bazë të shqiptarëve në shekuj, Kanunin e Lekë Dukagjinit”, tregon për kujto.al, Ervin Lamçja, sipas kujtimeve të mamasë së tij, Fatmirës, e cila ishte vetëm 8 vjeçe, kur gjyqi do të vendoste vrasjen e të atit, Zija Luniku.

Komunistët do të dënonin me burg të gjatë, edhe të vëllanë, Abdurrahimin, me profesion noter. Edhe sot në zyrat e Hipotekës, mund të gjesh dokumente me kaligrafinë e tij, por regjimi nuk donte t’ia dinte për profesionistët e rinj, të arsimuar e të kulturuar, ata ishin ndër të parët që u vunë në shenjestër dhe u ndëshkuan rëndë.

Abdurrahimin e mbyllën në kalanë e Gjirokastrës. Zijait i morën të gjithë pasurinë duke i bastisur edhe zyrën, ku u mor kasaforta pa asnjë dëshmitar dhe pa asnjë procesverbal. Këto janë shkelje të praktikës së të drejtës, ku pasuria sekuestrohet vetëm nëse është vënë në bazë të një aktiviteti kriminal, apo atë kohë, mbi tregtinë e pandershme gjatë luftës. Në këtë rast nuk kishin të bënin me asnjë nga këto, por komunistët nuk donin t’ia dinin as për të drejtën. Zijait i morën jetën përmes një gjyqi të montuar dhe e çuan para togës së pushkatimit, pa mëshirë.

Dëshmitarët kanë treguar për një qëndrim të madhërishëm të avokatit edhe në ato çaste, gjatë të cilave tregoi karakterin e tij idealist dhe atdhedashurinë, që e kishin sjellë në këtë vend, me shumë ëndrra. Para pushkatimit ai tha: “Të rrojë Shqipëria!”/kujto.al

———————

Lexo edhe:

E donte të vdekur vetë Enver Hoxha, si e torturuan derisa dha shpirt…

ObserverKult