Mbi 230 filma në festivalin DokuFest- sivjet edhe online edhe i hapur për publikun

Në Prizren nga data 6 deri më 14 gusht, do të mbahet festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër Dokufest. Vitin e kaluar, Dokufest-i u mbajt në platformë online, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas organizatorëve, këtë herë festivali do të jetë pjesërisht online dhe i hapur për publikun në kinema. Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për filmat konkurrues do të ndahen tetë çmime, por do të ketë edhe një çmim nga publiku. Ai thotë se pandemia ka kufizuar, por nuk ka rrezikuar organizimin e festivalit. Nurkollari thotë se kanë ardhur qindra vizitorë dhe e kanë konfirmuar ardhjen shumë artistë e artdashës të tjerë. Festivali DokuFest, këtë vit shënon edicionin e 20 jubilar.

– Festivali i filmit dokumentar dhe i filmit të shkurtër DokuFest, nisë të premten. Si do të duket DokuFest-i këtë vit?

Nurkollari: Unë shpresoj se DokuFest-i do të duket ashtu siç është dukur diku 18 vjet me radhë, sidomos ato vitet e fundit para pandemisë, e jo të duket sikur vitin e kaluar, që ka qenë online.

Do të duket, për mendimin tim, një festival mjaft i mirë, me program të shtrirë në gjithë Prizrenin dhe një pjesë e mirë e programit do të realizohet në Kalanë e Prizrenit. Do të ketë filma e mysafirë të shumtë, që është një befasi për ne. Shkurtimisht mendoj se DokuFest-i, do të fillojë të duket ashtu siç është dukur, me një shpresë që në vitin e ardhshëm do të duket ashtu tamam siç ka qenë.

– Cila është tema e këtij festivali?

Nurkollari: Ne në këtë vit nuk kemi një temë, të themi kështu që është sikur viteve të kaluar kur jemi bazuar në një temë dhe kemi ndërtuar program mbi atë temë. Por, ketë vit kemi zgjedhur tri fjalë, me shpresë që atyre tri fjalëve t’u shtohen edhe shumë fjalë.

Kemi vendosur shkronjat R dhe E, si dhe fjalët “rinis”, “rikthim”, “riimagjinim” dhe shumë ri-ja të tjera, që dikush mund t’i supozoj e imagjinoj.

Pra, thelbi në fakt ka qenë një rinisje apo një rikthim. Pra, këto janë disa fjalë nëse mund të quhen si temë, se ne normalisht do ta ndërtonim edhe një program filmik rreth temës, do të bënim edhe disa debate.

Por, sivjet ky vit është më specifik edhe për ne në fakt, është si një vit ure për vitin e ardhshëm edhe për një shoqëri të çliruar nga ky virus e nga kjo situatë ku ndodhemi jo vetëm ne, po e gjithë bota.

–  Sa është numri i filmave dhe dokumentarëve që do të shfaqen?

Nurkollari: Numri i përgjithshëm i filmave që do të shfaqen brenda nëntë ditëve është rreth 230, prej atyre 106 janë në tetë kategori garuese dhe ata të tjerë do të shpërndahen në 11 kategori të tjera, që janë jashtë konkurrence për ndonjë çmim, po që janë po ashtu pjesë e vlefshme e programit.

Pra, janë diku 234 filma në gjithë programin e festivalit.

– A e ka rrezikuar pandemia traditën e festivalit dhe si do të organizohet shfaqja e filmave për shkak të pandemisë?

Nurkollari: Pandemia ka kufizuar, në këtë moment nuk është se ka rrezikuar, sikur që ka rrezikuar, ta themi, vitin e kaluar. Tash mund të themi se pandemia ka bërë disa kufizime dhe ne do t’i përmbahemi këshillave të protokollit, të dhënave nga institucionet shëndetësore. Në hapësirat që janë të mbyllura do të ketë nevojë edhe për përdorim të maskave edhe ne kemi vendosur dezinfektuesit në hyrje të secilit objekt që e përdorim. Do të ketë distancë sociale, natyrisht do të përdorim 70 për qind të kapacitetit të kinemavee jo 100 për qind.

– Si do të mund t’i shohin artdashësit filmat online?

Nurkollari: Filmat online do të mund të shikohen në portalin të cilin e kemi lansuar e që do të jetë i qasshëm deri në fund të festivalit online: dokufest.com. Por, duhet të them se vetëm një pjesë e selektuar e filmave do të jetë dhe do të shfaqen online.

Prej tyre, e gjithë kategoria e filmave kombëtarë do të mund të shihen vetëm në Gjermani, në Zvicër dhe Suedi dhe askund tjetër. Ndërsa një numër tjetër i filmave do të mund të shihen në Kosovës dhe Shqipëri.

– Do të ketë filma edhe online dhe në kinema?

Nurkollari: Po ashtu një pjesë e vogël e programit është online nga programi i cili është fizik. Në pjesën fizike është komplet, do të thotë nuk ka asgjë që është online e nuk është në kinema, përderisa online është vetëm një e katërta e programit.

– Kush do të bëjë vlerësimin e filmave dhe për cilat kategori do të ketë çmime?

Nurkollari: Ne i kemi tetë kategori garuese dhe shto asaj edhe Çmimin e Publikut, që nënkupton që do të ketë nëntë fitues. Kemi publikuar edhe emrat e gjithë anëtarëve të jurisë që shumica janë të akademisë së filmit. Janë nga Kosova, nga Gjermania, Australia, SHBA-ja edhe nga vende të tjera të botës.

– Çka do të veçoni nga ky edicion i DokuFest-it?

Nurkollari: Një energji të paparë për organizimin. Një entuziazëm i qytetarëve. Një befasi e këndshme për numrin e madh të filmbërësve dhe vizitorëve të tjerë, që veç kanë arritur në Prizren dhe do të vijnë brenda këtyre ditëve.

Është numër i jashtëzakonshëm duke marrë parasysh situatën me pandeminë. Unë mendoj se do të ketë një numër të konsiderueshëm të njerëzve që do të vijnë.

Do të ketë vizitorë që vijnë brenda ditës, për vikend, nga gjithë Kosova e Shqipëria, prandaj mendoj se do të ketë më shumë vizitorë./(rel)

LEXO EDHE: Edicioni jubilar i Dokufestit fillon të premten, do të shfaqen dhjetëra filma