Rreth 600 mijë vargje të ciklit të këngëve kreshnike shqiptare ka gjasë që sivjet të bëhen pjesë e thesarit të vlerave shpirtërore jomateriale të kulturës botërore. Një paralajmërim i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Shqipërisë ka dhënë shpresë se do t’i jepet fund zvarritjes njëdekadëshe mes institucioneve politike e akademike në Tiranë e Prishtinë.
Të enjten, ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, ka dhënë kumtin se katër “dukuri” të vlerave jomateriale të kulturës shqiptare janë të denja për të kandiduar si kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, nën mbrojtjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Sipas ministres, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka miratuar për kandidim “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës”, “Ritualin e lashtë të shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubletën si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj”, “Kcimin e Logut” dhe “Eposin e Kreshnikëve të kënduar dhe shoqëruar me lahutë”.
Gjatë po të njëjtës ditë, ministrja Margariti ka paralajmëruar se institucioni që ajo drejton tashmë po punon për plotësimin e dosjeve “në mënyrë që të mund t’i kapim afatet e kandidimit”.
Pas dosjes së këngëve të jugut (iso-polifonia), e cila që nga viti 2006 është pranuar si vlerë e trashëgimisë gojore të njerëzimit, edhe “Eposi i Kreshnikëve” po bëhet gati për të kandiduar në UNESCO, transmeton ‘koha’.
Studiuesi i epikës kreshnike, Zymer Neziri, e ka përshëndetur hapin e fundit të institucioneve të kulturës në Shqipëri për t’i bërë gati dosjet që do të shoqërojnë kandidimin e këtyre vlerave jomateriale të kulturës shpirtërore shqiptare.
“Këtë hap qeveritar të institucioneve në Tiranë, natyrisht, e vlerësoj dhe më gëzoi ky vendim i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, ka thënë Neziri të premten për ‘kohën’.
Në tetor të vitit të kaluar, ai bashkë me 13 lahutarë nga e gjithë hapësira shqiptare patën mbajtur një prezantim në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë.
Ndonëse kishte qenë e njoftuar katër muaj më herët, Ministria e Kulturës në Tiranë kishte humbur afatin e fundit më 20 mars të vitit të kaluar.
Neziri, i cili është edhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës (IAP), ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Tiranën zyrtare, duke filluar nga ambasada e saj në Prishtinë e deri te Ministria e Kulturës.