“Mbi mjerimin e jetës studentore”, kritikë radikale nga Mustapha Khayat

Del këto ditë në librari “Mbi mjerimin e jetës studentore”, nga Mustapha Khayati (përkthyer nga Armand Dedej).

Nga Armand Dedej

Ky është teksti i dytë në serinë “pika të vogla”.
Mustapha Khayati (1938-2011) ka qenë historian dhe mendimtar tunizian. Ishte aktiv në lëvizjet studentore në vendlindje, studioi filozofi në Strasburg dhe u bë një ndër anëtarët dhe kontribuesit më të shquar të Internacionales Situacioniste.


“Mbi mjerimin e jetës studentore” është një pamflet i shkruar më 1966 nga një grup autorësh (ku spikat Khayati), i cili iu shpërnda dorazi studentëve në fillim të vitit akademik.

Në të parashtrohet një kritikë radikale ndaj status quo-së dhe ideologjisë sunduese, veçanërisht në suazat e nënshtrimit të studentëve ndaj kapitalizmit të pasluftës në perëndim.


Shtypi i kohës e quajti tekstin deri edhe “shpërfaqja e parë konkrete e një revolte që synon haptazi shkatërrimin e shoqërisë”, dhe idetë e tij patën rol instrumental në revoltat e 1968-ës.

Më poshtë pasthënia e përkthyesit për botimin shqip:

Situacionizëm edhe në Shqipëri


Situacionizmi ka mbërritur në Shqipëri përmes dy tekstesh: kryeveprës “Shoqëria e spektaklit” dhe pamfletit “Mbi mjerimin e jetës studentore”. Pamfleti “Mbi mjerimin e jetës studentore” është një tekst klasik i situacionizmit, që shënon veprimtarinë politiko-intelektuale të pesë studentëve nga universiteti i Strasburgut, i cili i parapriu kryeveprës “Shoqëria e spektaklit”, të shkruar nga lideri i situacionizmit, Guy Debord.

Pamfleti në fjalë është më tepër një ngjarje politike kolektive, sesa një krijim letrar individual i Mustapha Khayati-t. Ky pamflet është një skicim tepër sintetik i përmasave social-politike të situatës studentore dhe i raportit të saj me situatën e shoqërisë në tërësi, parë nga këndvështrimi i një kritike sociale ultramajtiste, me frymëzim kryesisht marksist.

Ndërkohë, “Shoqëria e spektaklit” është një kritikë totale e shoqërisë bashkëkohore, e përcaktuar kjo e fundit si një shoqëri e prodhimit dhe e konsumit të mallrave dhe spektaklit, në kuadrin e një shtetizmi gjithashtu spektakolar.

Khayati i parapriu analizës së thelluar të Deborit, duke bërë që pamfleti i tij, “Mbi mjerimin e jetës studentore”, të ishte vepra e parë sistematike e situacionistëve, dhe një ndër tre veprat e mëdha sistematike që do të prodhonte e gjithë krijimtaria e tyre letrare në tërësi – dy të tjerat do të ishin “Shoqëria e spektaklit”, që u përmend më lart, dhe Revolucioni i jetës së përditshme i Vaneigem-it (apo “Manuali i mënyrës së jetesës në funksion të brezave të rinj”).


Me pak fjalë, situacionizmi është një sintezë ndërmjet hegelianizmit të majtë, anarkizmit
dhe marksizmit, i cili është ndikuar gjithashtu nga arti modern (dadaizmi e surrealizmi) dhe psikanaliza frojdiane. Situacionizmi është një lëvizje sa intelektuale aq edhe politike, e cila shënon tejkalimin e dyfshtë revolucionar të artit modern dhe lëvizjes punëtore, duke i sintetizuar ato në një nivel më të lartë.

Në këtë aspekt të veçantë, situacionizmi e paraqet veten si sintetizimi sociologjik i të gjitha avangardave artistike, i cili rezulton në një avangardë të re politike. Ndërsa, në një aspekt më të përgjithshëm, ai mund të konsiderohet si një neomarksizëm.

Ai është sintetizimi teorik i aspekteve anarkiste të filozofisë hegeliane dhe asaj marksiste, i cili e pasuron antishtetizimin klasik të Bakuninit, me thellësinë dialektike të Hegelit dhe me analizën social-ekonomike të Marx-it, ndërkohë që synon ta materializojë politikisht estetikën realitet-krijuese të artit modern, duke e projektuar atë në një krijim të ndërgjegjshëm të realitetit social.

Të gjitha këto karakteristika teorike, situacionizmi i aplikon sintetikisht në funksion të “situatës”, në kuptimin e krijimit të situatave revolucionare që tejkalojnë realitetin ekzistues duke mos qenë pjesë e tij. Në këtë rast, kritika sociale konceptohet si parakushti i shndërrimit të jetës sociale në një vepër arti të krijuar në mënyrë autonome nga qenie sociale që rikrijojnë vetveten përmes një gjëje të tillë.


Kjo është arsyeja pse situacionizmi, duke sfiduar Shkollën e Frankfurtit, paraqitet si një kritikë totale dhe radikale e status quo-së, e dimensionuar politikisht në formën e një lëvizjeje sociale, e cila priret të veprojë politikisht mbi realitetin ekzistues sipas taktikës guerilje.

Nga pikëpamja teorike ai shfaqet si një kritikë e dyfishtë: edhe e shoqërisë klasore të demokracisë përfaqësuese, edhe e shoqërisë burokratike të totalitarizmit bolshevik. Situacionizmi nuk bën dallime në lidhje me format në të cilat shfaqet shtetizmi spektakolar modern, qoftë ky i fundit policentrik (demokraci liberale), apo monocentrik (diktaturë e partisë-shtet).

Është pikërisht kjo intolerancë kritike ajo që e dallon situacionizmin nga versionet e tjera të teorisë kritike (Althusser, Badiou etj.), të cilat nuk bëjnë dallime ndërmjet ideologjisë revolucionare (leninizmit e maoizmit) dhe teorisë revolucionare (bazës anarkiste të kritikës sociale). Situacionizmi është pikërisht ndërgjegjja teorike e këtij dallimi: “Teoria revolucionare është tani armike e çdo ideologjie revolucionare, dhe ajo e di që ashtu është.”

ObserverKult

Lexo edhe:

MARIO VARGAS LLOSHA: I DASHUR MIK, HARRO GJITHÇKA… DHE ULU E SHKRUAJ