Mbi romanin autobiografik ose kufijtë në mes të artit dhe terapisë

Gjergj Jozef Kola

Nji kritikë bashkëkohore mbi romanin shqiptar

Nga Gjergj Jozef Kola

1.
Në perëndim, në shtetet e mëdha si Gjermania, Franca apo Italia ka me miliona romane autobiografike që ruhen në sirtarët e tavolinës së punës, lexoj unë në shtypin e kohës.

Ma së shumti këto janë shkru nën kërkesën e psikologut, i cili gjatë terapisë i ka kërku pacientit me e shkru jetën e tij, sidomos femininë e rininë e pare, adoleshencën, deri në rritje të plotë.

Asnji nga këta persona nuk ka kërku kurrë ndonjihere me i botu, thjeshtë se pse ka qenë i vetëdijshëm se sa të ndryshëm janë romani autobiografik si terapi dhe romani autobiografik si vepër artit.

2.
Në letrat botnore, nji nga kryeveprat e njerëzimit që personifikon romanin autobiografik, asht DAVID COPPERFIELD i Charls Dickens. Autori londinez e ka gjetë atë urën e artë, që shumëpakush e gjen, me kalu nga personalja autobiografike te e përgjithshmja e botës, te publiku.
Te dy kishin mbetë jetimë në fëmini, të dy kishin pasë dy dashuni të mëdha, dy Dora e dy Anjeze, te dy kishin andrru me u ba shkrimtarë, si David Copperfield, ashtu edhe Charls Dickensi e në fund te dy ia dolën asaj, andrrës me dalë në jetë si shkrimtarë të vërtetë, si gjeni.
Te David Copperfield, personazhe si Mr. Micavber dhe Uriah Heep janë të bazuem në njerëz që Dickens kishte njoftë në jetën e tij reale. Këto personazhe shërbejnë si përfaqësues të personazheve dhe personaliteteve të ndryshme me të cilët Dickens ishte përballë në Londrën e shekullit XIX.
Edhe në romanet autobiografike shqiptare kena personazhe, porse asnjeni nuk bahet i përbotshëm si keta të Dickensit, sepse nuk ia dalin me kalu nga terapia e neurozes individuale te terapie e neurozes universale, e thanë kjo me gjuhen e psikanalizës. Romani asht sport i randë, asht maratonë e duhet vrapu me nji frymë e nji ritëm deri në fund.

3.
Në trojet tona ka plasë mania me botu libra autobiografikë e bashkë me të edhe guximi me ia shpërnda me pompozitet nji publikut të përzgjedhun, madje me terhjekë edhe pushtetin mbas vedit.

Tre romane autobiografikë që kam lexu unë, nji të nji autores nga Tirana, nji të nji autores nga diaspora shqipe në Londër e nji të nji autori shkodran, kanë të njëjtën mangesi të përbashkët: nuk e kanë kalu stolin e terapistit.
Tragjikomikja asht se keto romane autobiografike po pompohen me të madhe e shkohet deri atje saqë u afrohen studentëve në gjimnaze e në universitete tuj e çoroditë edhe brezin e ri nga pedagogë të pandërgjegjshëm e të pabojë.

Nji nga të paktet romane shqiptare që ia ka dalë me kalu nga autobiografia në letersi asht ai i Leon Lekajt: “SHPIRT I BRAKTISUR” i shkruem nën qetesinë e Olimpit të Athinës…

Unë mora në shqyrtim vetëm TRE ROMANE autobiografike që kanë ba bujë mediatike keto 2 vitet e fundit, se padyshim që ka edhe vepra të arrituna në ket fushë, si Flutura Açka, Angjelina Marku apo Ardita Lajçi-Gjocaj…


4
Unë uroj që ma në fund shqiptarët të arrijne me e nda murin e romanit autobiografik si terapi me atë të romanit biografik si vepër letrare.
Romane të tilla shkruhen në rini, diku rreth 30 viteve ku shkrimtari arrin pjekurinë e parë dhe i sillet fëminisë e rinisë së parë, ndryshe nga mbi 50 vjeçarët shqiptarë sot që e ngatërrojnë terapinë me letërsinë…
Une e kam shkru romanin tim të parë me elementa autobiografik kur isha student në Graz, në Universitetin Karl Franzens e nësë ai nuk ka pasë fatin e David Copperfield kjo nuk ka ardhë aq shumë prej pendës sime se sa prej ambjentit shqiptar, që librat me motive autobiografike i do si terapi e jo si letërsi…
KY ASHT ROMANI IM I PARE AUTOBIOGRAFIK I SHKRUEM NE RININË STUDENTORE.
Kët’ roman e shkrova nën qetësinë mbrojtëse të kodrave të qytetit piktoresk të Grazit e kërkova me ndërtu nji urë në mes të jetes time dhe jetës së lexuesit….
Në vendlindje ndoshta nuk kisha me e pasë kurrë qetësinë sociale e shpirtnore me e shkru nji roman të tillë, apo edhe shumë romane të tjerë.
I falem Nderës Austrise e jam i mbushun me plot mirënjohje e unë mendoj se nuk ka gja ma fisnike e të bukur se nji URE MIRNJOFTJET në mes të kulturave e popujve të ndryshëm.

Romanin mundeni me e marrë në platformën ma të madhe të librit bë botë: ne Amazon, në linkun në vijim: https://www.amazon.de/dp/B09R19WDL5

ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

“TALLAVA PËR FILLESTARË”, TREGIM NGA GJERGJ JOZEF KOLA