Nga Blerim Latifi
“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vet, mos po mendoj si serb.
Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit.
Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental.
Familjet e kolonëve janë interesimi kryesor i rrëfimtarit, por vendësit janë kureshtje dhe e panjohura e tij. Ai interesohet për ta, përpiqet të afrohet, t’u flasë, t’ua mësojë gjuhën, zë miqësi me njërin prej tyre, por rezervat e armiqësia e vjetër me paragjykimet e ngjyrimet etnike, rri pezul në ajër.
Personazhet e tij, serbët dhe shqiptarët janë mosbesues, paragjykues, me armiqësi të vjetra e të reja. Shpërthimet e konflikteve gjithnjë kërcënojnë që të marrin përmasa të padëshirueshme.
Mbi këto rrethana e situata ndërtohet romani me shtrirje epike, përpjekje për portretizime psikologjike, fragmente të luftës, me të kaluarën e dy etnive që rëndon mbi ta si mallkim. Pastaj sikur nuk mjaftoi një luftë, së shpejti do të shpërthejë një luftë tjetër edhe më e egër, edhe më shkatërrimtare.
Nga frika e një shpërthimi, por edhe bezdia e konfrontimeve të vazhdueshme, protagonisti shpërngulet nga qyteti ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Rrëfimtari është dëshmitar i drejtpërdrejt i ngjarjeve, vuan me viktimat, ndjek situatat, asnjëherë nuk largohet me shpirt dhe me mendje nga qyteti që e braktisi.
Romani “Zogjtë e qyqes” trajton urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, dashurinë e pa realizuar që e intrigon lexuesin.
Çunit të zgjuar që në fillim, përderisa udhëton me tren nga vendlindja në qytetin e ri, i bëhet fiksim kapiteni polak i kavalerisë, i vrarë nga malësorët, ndërsa nuk e kuptonte ç’deshi kapiteni polak në luftën e serbëve kundër malësorëve. Gjyshi ia kishte treguar rrëfimin e kapitenit polak, kurse ky e krijon mitin për të. Djaloshi jeton e fantazon rrëfimet e gjyshit, dëgjon pamje nga lufta, me sy të nxjerrë kafke, koka të prera e trup të gjymtuar. Secili nga pleqtë e ka nga një rrëfim për luftën me vendas dhe për betejat e fituara.
Babai i tij është ndryshe, i heshtur dhe i zymtë. Ai e mitizon edhe të atin, derisa kupton se ai nuk i ndjek të këqijtë nëpër male e kufij, por torturon njerëz. Dhe këtu nis zhgënjimi i madh i djaloshit. Ai është djali i një torturuesi.
Kronika e tre brezave të familjes: gjyshit që e dërgojnë xhandar në tokat e reja, ndërsa me fillimin e Luftës së Dytë kthehet në vendlindje, pastaj babait që i ndjek hapat e gjyshit dhe bëhet milic i pushtetit popullor, nipi që kthehet prapë për të vazhduar traditën, paqësimin e vendësve. Dhe bie në luftë…
Romani me shprehjet letrare dhe situatat e larmishme që na sjell, shenjon dramën e ndërlikuar të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërnjerëzore në Ballkanin e mbizotëruar nga projektet e nacionalizmave të etur për territore, gjatë shekullit të kaluar, si dhe vështirësitë po aq të ndërlikuara për të hapur perspektiva të reja për paqen dhe për shndërrimin e dallimeve nën një shumësi vlerash, që nuk kërcënon të kthehet në pluralitet të urrejtjes, i mbajtur peng përgjithmonë nën kthetrat e përgjakura të historisë./Gazeta Liberale