Nga Nevila Dervishi
Renditja e mbiemrave më të përdorur nga shqiptarët, në një studim të kohëve të fundit të kryer nga profesori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Çlirim Bidollari, nxirrte në krye ata që janë trashëguar e përdoren nga popullsia e lidhur me besimin mysliman.
Kështu, në gjashtë mbiemrat më të përdorur janë Hoxha, Shehu, Prifti, Çela, Leka dhe Dervishi, të paktën tre prej tyre – Hoxha, Shehu dhe Dervishi – kanë lidhje me këtë përkatësi të besimit fetar.
Për habi, renditja e mbiemrave më të përdorur nga shqiptarët ka ndryshuar me kalimin e kohës.
Këtë e vërteton një studim i historianit Paskal Milo, i cili është mbështetur në të dhëna statistikore të regjistrimit të vitit 1945.
Sipas artikullit të Paskal Milos, të publikuar në vitet 1970 në një gazetë të kohës së komunizmit, renditja e mbiemrave më të përdorur në Shqipërinë e 1945 ishte kështu: Në vendin e parë mbiemri “Hoxha”, në vendin e dytë “Çela”, që mund të jetë mbiemër pagan, në vend të tretë dhe të katërt mbiemrat “Gjoni” dhe “Kola”, të përhapur kryesisht mes popullsisë së besimit katolik dhe i pesti në radhë, mbiemri “Dervishi”, sërish një mbiemër që ka lidhje me besimin mysliman.
Mbiemrat nisën të përdoreshin nga shoqëria njerëzore rreth shekullit të XII-të me qëllim dallimin mes njerëzve dhe sidomos për shmangien e martesave brenda fisit.
Fillimisht mbiemrat u përdorën nga shtresat e pasura të popullsive, më pas nga klerikët dhe më vonë nga shtresat e popullit të thjeshtë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇFARË PËRMBANTE PAKOJA QË MUSINE KOKALARI IA DËRGOI ENVER HOXHËS?