Mbretërit, perandorët, diktatorët dhe mollët e Tetovës

Elita - nga salajdin salihu

Mollët e Tetovës janë përmendur nga shumë kronistë e udhëpërshkrues. Me kësi shënimesh mund të bëhen libra. Janë përmendur, madje, edhe në relacione sekrete diplomatike. Në këngë gjithsesi. “Si mollë Tetove shpirti i saj erëmonte“. Ky varg është shënuar në vitin 1889 nga gjuhëtari dhe etnografi, Aleksander Lvoviç Duvernua (1840 – 1886). Në një këngë tjetër sërish vasha krahasohet me këtë mollë: “E kuqe si mollë Tetove“. Pra, e bukur, e fortë, e gjallë, joshëse. Ky krahasim, që shkakton të qeshura te të rinjtë, përdoret ende nga më të vjetrit.

Nga Salajdin Salihu

Mollët e Tetovës janë adhuruar edhe nga zhupanët, mbretërit e perandorët. Zhupani Stefan Nemanja, që e pushtoi Pollogun në shekullin XII, donte përherë t’i kishte mbi tavolinë. Ai urdhëroi që të rriteshin edhe në territore tjera. Priftërinjtë i mbollën në kopshte manastiresh, por jashtë Pollogut nuk e kishin të njëjtën shije. Të veçanta i bënte vetëm toka. “Mund të thuhet se molla e ka djepin e vet në Tetovë“, thuhet në Salnamet e Vilajetit të Kosovës, më 1895.

Mollët e Tetovës pëlqeheshin edhe nga sulltanët. Pashallarët tetovarë për çdo vit u dërgonin atyre “arnaut almasi“, siç njiheshin në Stamboll, ku, sipas Mark Tyrtës, “vlerësoheshin në mënyrë të veçantë – si fruta tepër fisnike”.

Në shkrimin “Lugina e Tetovës si vend mollësh”, më 1933, autori J. Jakovleviq shkruante se “Tetova me vullnetin e Zotit është vend mollësh”. Sulltani ua lejonte tetovarëve që t’i paguanin taksat me sasi mollësh, ndërkaq dëmtuesit e pemëtarisë dhe çezmave dënoheshin edhe me vdekje. Kultivimi i mollëve, sipas tij, ishte edhe obligim hyjnor. Bejlerët tetovarë krijuan kopshte mollësh dhe aty çlodheshin duke e shijuar kafenë dhe duhanin cilësor, kurse pranë u rrinin hoxhallarët, që i nxisnin njerëzit të merreshin me pemëtari.

Molla e Tetovës lulëzon vonë dhe ia dredh ngricës pranverore. Është më cilësore kur rritet në lartësi mbidetare 500 deri 800 metër mbi det. Ka shije të mirë edhe molla që rritet në lartësi 800 deri 1000 metër lartësi mbidetare. Mbi këtë lartësi (rritet deri në dy mijë metër lartësi) e humb cilësinë. Pasi e duron ndryshimin klimatik është e përshtatshme për eksport në distanca të largëta. Është eksportuar në Stamboll, Egjipt, Jerusalem, Evropë.

Mollët e Tetovës janë përmendur edhe nëpër takime të rëndësishme burrështetasish, që kishin ndikim në politikën botërore.

Mbreti bullgar, Borisi III (1918 – 1943), që njihej për përgjigjet lakonike, shpesh herë i përmendi mollët e Tetovës. Për vdekjen e tij ka disa versione. Disa thonë se ishte helmuar prej nazistëve, pak kohë pasi e kishte takuar Hitlerin. Të tjerë thonë se ishte helmuar me urdhër të Stalinit. Borisi III e trashëgoi fronin pas abdikimit të babait, Ferdinandit, kurse, si i ati, ndoqi politikë progjermane.

Në vitin 1941, pas nënshkrimit të protokollit të Vjenës, që e përcaktonte vijën kufitare ndërmjet Italisë dhe Bullgarisë, disa qytete, përfshirë Tetovën, i takuan Shqipërisë nën pushtetin italian. Kur emisari gjerman, Karl Klodiusi, e takoi në Sofje që ta diskutonin vendimin, mbreti, që e pranoi humbjen e këtyre territoreve, i tha: “S’do mundem të ha mollë Tetove!”. Si kompensim kërkoi disa vende të tjera.

Historiani Nikollai Koçakov shkruan se kur Hitleri i kërkoi në gushtin e vitit 1943 që të futej në luftë kundër italianëve dhe t’i pushtonte disa vise, përfshirë edhe Tetovën, mbreti i dha përgjigjen lakonike: “Nuk kam nevojë për molla Tetove në kohë vape”. Dhe nuk ndërmori veprime luftarake.

Herën e fundit atij ia përmendën mollët e Tetovës. Autori amerikan, Robert Konkuest, autori i librit “Terrori i kuq në Rusi“, e mbron tezën se monarku i fundit bullgar u vra me urdhër të Stalinit.

Konkuest, duke u bazuar në një protokoll të ruajtur në arkiv, shkruan se Borisi kishte arritur në Kremlin nëpërmjet Turqisë dhe ishte takuar me Stalinin. Por diktatori sovjetik u soll ashpër dhe e trajtoi si shërbëtor. Kur Stalini i kërkoi Borisit që ta ndryshonte anën dhe t’i shpallte luftë Rajhut të Tretë, mbreti bullgar ia kërkoi si këmbim Maqedoninë. Stalini, që nuk duronte kushte, i bërtiti: “Do të kalben mollët e Tetovës”.

Borisi u kthye në atdhe me aeroplan. Si duket, gjatë kthimit në atdhe, atij i vunë një maskë oksigjeni që përmbante helm.

Përkundër shumë rrëfimeve sot gjithnjë e më pak gjeni mollë Tetove. Mollët i kanë shekujt e tyre. Dhe ky nuk është shekulli i mollëve të Tetovës./

ObserverKult

Lexo edhe:

ARTAN FUGA: JAM KUNDËR TË PËRJASHTOHET PASURIA E GEGNISHTES!