Mbrojtësi i kambanës së Skënderbeut dhe autori i veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”/ Kush e tradhtoi At Shtjefën Gjeçovin?

Më 14 tetor 1929 në fshatin Zym në mes të Gjakovës dhe Prizrenit, vritet nga policia e fshehtë serbe kleriku, mësuesi, studiuesi i gjithanshëm, shkencëtari i shquar Shtjefën Konstantin Gjeçov Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi, autori i veprës monumentale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botuar pas vdekjes, në vitin 1933, një përmbledhje e rregullave të së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit shqiptar.

Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë përkujtoi 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Shtjefën Gjeçovit. At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e fratit dhe më pas vijoi mësimet mes françeskanëve në disa vende të ndryshme, por edhe jashtë Shqipërisë.

Françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, deri kur dha edhe frymën e fundit. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896, u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.. At Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj.

At Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).

At Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”. Ai u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famullitar. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, At Shtjefën Gjeçovi pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë.

Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit.

Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Ai u bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës sonë, pasi ajo… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”.

E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Shkëlqimin e tij At Shtjefën Gjeçovi e ka në vitet 1900 kur diskutohej për çështjen kombëtare derisa mori udhë Pavarësia e Shqipërisë. Të gjitha veprat lidhen me këtë ndjenjë të fortë që françeskanët e kishin, për fe dhe atdhe. Sot pas 30 vitesh demokraci ende vepra e plotë e At Shtjefën Gjeçovit nuk është botuar dhe shumëçka kanë mbetur dorëshkrime.

ObserverKult


Lexo edhe:

MEHMET KRAJA: PËR SHTJEFËN GJEÇOVIN NË 150-VJETORIN E LINDJES