
Më 14 tetor 1929 në fshatin Zym në mes të Gjakovës dhe Prizrenit, vritet nga policia e fshehtë serbe kleriku, mësuesi, studiuesi i gjithanshëm, shkencëtari i shquar Shtjefën Konstantin Gjeçov Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi, autori i veprës monumentale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botuar pas vdekjes, në vitin 1933, një përmbledhje e rregullave të së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit shqiptar.
At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e fratit dhe më pas vijoi mësimet mes françeskanëve në disa vende të ndryshme, por edhe jashtë Shqipërisë.
Françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, deri kur dha edhe frymën e fundit. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896, u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.. At Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj.
At Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).
At Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”. Ai u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famullitar. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, At Shtjefën Gjeçovi pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë.
Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit.
Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Ai u bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës sonë, pasi ajo… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”.
E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Shkëlqimin e tij At Shtjefën Gjeçovi e ka në vitet 1900 kur diskutohej për çështjen kombëtare derisa mori udhë Pavarësia e Shqipërisë. Të gjitha veprat lidhen me këtë ndjenjë të fortë që françeskanët e kishin, për fe dhe atdhe.
ObserverKult

Lexo edhe:
MEHMET KRAJA: PËR SHTJEFËN GJEÇOVIN NË 150-VJETORIN E LINDJES






